4 Prill, 2020 - 8:30 pm
Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.
KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.
Xhorxh Oruell ka lindur në Indi në vitin 1903 ku babai i tij ishte shërbyes civil në administratën e Perandorisë Britanike. Pas një viti, ai u soll për t’u rritur dhe arsimuar në Angli. Pasi që shkollimin e kreu në “Eton College”, duhet theksuar se ndiqte shkollim të cilësisë sipërore. Për shkak të mungesës së parave nuk pati mundësi të vazhdonte studimet universitare.
Pas përfundimit të kolegjit shkoi në Burmë ku dhe u punësua në Policinë Imperiale të Indisë. Pas disa vitesh u kthye sërish në Angli, pastaj shkoi në Spanjë, së bashku me Eileen, gruan e tij të parë, për të marrë pjesë në luftën civile në anën e republikanëve anti frankoist. Me 20 maj 1937 u plagos në qafë, ngjarje të cilën e shpjegoi në esenë “Wounded by a Fascist Sniper” (i plagosur nga një snajperist fashist) dhe në novelën “Homage to Catalonia” (Homazh Katalonisë). Pas kësaj ngjarje u kthye në Angli, moment i cili shënon ndryshim të madh në pikëpamjet e tij politike por edhe në intensifikimin e krijimtarisë letrare.
Xhorxh Oruell, ka shkruar 9 libra, dy përmbledhje me ese të shkurtra dhe disa qindra recensione dhe shkrime të tjera që përbëjnë artikuj të gazetarisë. Oruelli shkroi për eksperiencat e tij të papëlqyeshme në shkollën parapërgatitore, në esenë “Such ëere the Joys” (1968). Oruelli nuk fitoi ndonjë të drejtë studimi dhe meqë nuk kishte mundësi për të vazhduar arsimimin e tij, shkoi në Bruma dhe shërbeu në administratën e Policisë Perandorake Indiane nga viti 1922 deri në vitin 1927, kur ai dha dorëheqjen, pjesërisht për shkak të mospëlqimeve të tij në rritje për imperializmin britanik, një mospëlqim që e shprehu me fjalë në esetë e tij “Shooting an Elephant” (1950) dhe “A hanging” (1931).
Kur Oruelli u kthye në Europë ishte në një gjendje të mjerë ekonomike dhe bëri punë që paguheshin shumë pak, në Francë dhe Angli. Më në fund, në vitin 1928, ai vendosi të bëhej shkrimtar profesionist. Duke filluar nga viti 1930, Oruelli u bë një kontribues i rregullt për “New Adelphi” dhe në vitin 1933 ai e mori emrin Xhorxh Oruell, me të cilin ai do të bëhej i famshëm. Për romanin e tij të parë, ai përdori si frymëzim përvojat e tij të fundit me varfërinë dhe shkroi “Down and out in Paris and London” (1933). Ndërsa jepte mësim në një shkollë private, ai botoi veprën e tij të dytë të rëndësishme “Burmese Days” (1934). Dy vjet më vonë ai u martua me Eileen O’Shaugnessy.
Gjatë viteve ’30, Oruelli kishte adaptuar pikëpamjet e një socialisti dhe udhëtoi për në Spanjë, për të raportuar mbi luftën e tyre civile. Ai mori anën e militantëve të Partisë Marksiste të Punëtorëve të Bashkuar dhe luftoi përkrah tyre. Ishte kjo luftë që e bëri atë ta urrente komunizmin dhe të favorizonte socializmin anglez. Oruelli shkroi një libër mbi Spanjën, “Homage to Catalonia”, që u botua në vitin 1938. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Oruelli shërbeu si oficer në Gardën Rezervë dhe gjithashtu punoi si gazetar për BBC – në, Observer – in dhe Tribune – n, ku ishte redaktor letrar nga viti 1943 deri në vitin 1945.
Romani 1984 flet për një botë që gjendet e ndarë në një konflikt të vazhdueshëm. Konflikti justifikon sundimin e qeverisë, e cila ka zhvilluar shkencën me qëllimin për të kontrolluar dhe shtypur individin. Bota e Oruell është ajo ku jeta private e individit nuk ekziston. Njerëzit flasin gjuhën e gazetave. Bota është e ndarë në tre supershtete që shtrihen në shumë kontinente.
Shoqëria është e ndarë në popull, parti e gjerë dhe parti e ngushtë. Jeta dominohet nga mbikëqyrja e shtetit. Por viktimat e shtetit arrijnë të krijojnë simpati për mbikëqyrësin dhe me raste, edhe ta dashurojnë atë. Libri doli në botim më 8 qershor 1949, vetëm pak muaj para se autori të mundej nga tuberkulozi. Në vitin 1989 libri ishte përkthyer në mbi 65 gjuhë të ndryshme që përbënte numrin më të madh për ndonjë novel (me dallim vetëm të Harry Potter-it, mbi 67 gjuhë). Ndërkohë në Shqipëri vepra mbërriti vetëm pas rënies së komunizmit dhe kur u botua në vitin 1991. Mbrojtës i lirisë së individit, Oruell lufoi kundër çdo forme shtypjeje.
Ndëshkimi i totalitarizmit fillimisht shprehet në alegorinë e veprës Ferma e kafshëve (1945), një roman që pati popullaritet të gjerë në të gjithë botën, me tone të një shpotie të thekshme që merr shtysë nga ngjarjet e Revolucionit rus dhe tradhtisë që Stalini u bëri idealeve të tij, dhe më pas në utopinë negative të romanit 1984, një kuadër tronditës i një shoqërie ku Vëllai i Madh mishëron një fuqi të aftë të kushtëzojë dhe të shtypë individualitetin e qytetarit.
Mes shkrimeve të tjera me tone autobiografike të Orwell – it, mund të përmendim përmbledhjet e letrave dhe artikujve, esetë dhe romanin Keep the Aspidistra Flying (1936). Nuk do të ketë të qeshura veç të qeshurës së triumfit mbi armikun. Në doni një imazh të së ardhmes, përfytyroni një çizme ngjeshur në fytyrën e dikujt,… përjetësisht. Ky epigraf i profecisë së veprës, me valencë shumëpërfshirëse, është i vlershëm të na e risjellë, fare shqip, edhe kumtin mbi imazhin e së shkuarës nën vragën e çizmes, edhe përfytyrimin e të ardhmes si marrëdhënie me leximin në vijim…
Nëse doni një pamje të ndjesisë së fundme të një lexuesi të ndjeshëm, përfytyroni shenjimin e shollës në fytyrën e tij… përgjithmonë. Sugjerimi ndaj lexuesit, veçanërisht shqiptar, për të mos e nisur këtë libër, mbetet i barasvlershëm me lutjen për të mos e shmangur kurrsesi.
Në vitin 1984, qytetërimi është dëmtuar nga lufta, konflikti civil dhe revolucioni. Airstrip One, një provincë e Oqeanisë, është një nga tre super-shtetet totalitare që sundojnë botën. Në këtë vend imagjinar, pushtetin e ka “Partia” nën ideologjinë e një udhëheqësi misterioz, Big Brother. Partia ekzekuton çdo person që nuk është konformist me regjimin duke përdorur Policinë e Mendimit.
Koha është e trazuar dhe bota nuk gjen më ngushëllim: Nga “Down & Out in Paris and London” në vitin 1933, në “Fermën e Kafshëve” 1945, George Orwell pat përjetuar thellësisht një disharmoni të brendshme në raport me shoqërinë. Dallohej për një fëmijëri ndryshe nga ato të zakonshmet. Që fëmijë mbetej gjithmonë i hipnotizuar prej imagjinatës futuriste të shkrimtarit të famshëm britanik, Herbert George Wells. Por edhe pse pati një jetë të shkurtër, ai arriti të përmbushë ëndrrën e tij. ‘Njëmijë e nëntëqind e tetëdhjetë e katër’, është cilësuar si romani më i famshëm anglez i shekullit të 20-të, një libër zaitgaist, fryma e kohës, i cili shpërfaqi tërësisht vizionin distopik të Oruellit. Ai ishte thellësisht i rrënjosur si në moralin politik të autorit, ashtu edhe në kohën në të cilën ai jetonte, në vitet e pasluftës së dytë botërore.
Temat si, kërcënimi prej totalitarizmit, censura dhe manipulimi i gjuhës, vazhdojnë të ndezin ende sot botën me kërcënime profetike. Njerëzimi në romanin ‘1984’, gjendet në një konflikt të vazhdueshëm, që justifikon sundimin e qeverisë, e cila ka zhvilluar shkencën për të kontrolluar dhe shtypur individin. Bota e Orwell është ajo, ku jeta private e individit nuk ekziston. Njerëzit flasin gjuhën e gazetave. Winston Smith, një ish-gazetar i punësuar nga autoritetet shteterore, për të rishkruar artikujt e vjetër të gazetave, vendos të rebelohet i pashpresë, kundër shtypjes së “Partisë” dhe diktatorit sundues, Vëllait të Madh.
Revolta e Winstonit nxitet akoma dhe më shumë prej mikeshës së tij, Xhulia, një tjetër disidente, që përdor seksualitetin e saj të shfrenuar për të sfiduar represionin e “Partisë”. Kur marrëdhënia e shkurtër e Winstonit dhe Xhulias zbulohet nga Policia Sekrete, ata i nënshtrohen torturave të pamëshirshme të O’Brajanit në ‘Dhomën 101’. “Nëse doni një foto të së ardhmes”, thotë kjo figurë djallëzore, “përfytyroni një çizme ngjeshur në fytyrën e dikujt,… përjetësisht”. Ky epigraf i profecisë së veprës risjell fare shqip, kumtin mbi imazhin e së shkuarës dhe përfytyrimin e të ardhmes po të njëllojtë. Fabula e ‘1984’ është një gjë; idetë e saj janë krejt diçka tjetër.
Libri doli në botim 73 vjet me pare, vetëm pak muaj para se autori të mundej nga tuberkulozi. Në vitin 1989 libri ishte përkthyer në mbi 65 gjuhë të ndryshme duke shenjuar kështu numrin më të madh për ndonjë novel. Ndërkohë në Shqipëri vepra mbërriti vetëm pas rënies së komunizmit, në vitin 1991. Mbrojtës i lirisë së individit, Oruell luftoi kundër çdo forme shtypjeje. Sipas fjalëve të një kritiku britanik, Xhorxh Oruell, vlerësuar si “koshienca dimërore e brezit të tij”, u kthye në një lloj shenjtori laik, mishërimi i prozatorit tronditës, të frikshëm e të thellë në të gjithë raportin që ka individi me shtetin dhe në mënyrën sesi sillen regjimet autoritare ndaj individit.
Oruell në romanin “1984”, ka bërë parashikime brilante për atë që do të ndodhte, sidomos në vendet komuniste, duke u kthyer në një ogur paralajmërues edhe për dekada të tjera më pas. Kjo është dhe arsyeja që romani njeh një ribotim të kohëpaskohshëm. /KultPlus.com