23 Mars, 2020 - 8:27 pm
Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.
KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.
Në këtë mbrëmje, po rekomandojmë romanin në dy vëllime “Amerika”, me autor filozofin francez Jean Baudrillard.
Filozofi francez, postmodern, Jean Baudrillard, në librin e tij “Amerika” shpalos mendimin mbi shumë çështje me rëndësi që janë jetësuar në shoqërinë amerikane. Në një raport dialektik me Europën, autori shpjegon se përse ShBA-ja është utopia e realizuar, ku janë dallimet kryesore mes Amerikës dhe Europës si dhe shtjellon deri në detaje, atë që ai e quan <revolucion të zakoneve> apo mënyrë e të jetuarit, e konsideruar si arma më të fuqishme që posedon Amerika.
Rivalitet dhe progres. Veprime të thjeshta dhe praktike, simuluese dhe publicistike. Aktualitet e dinamizëm. Hapsirë kinematografike. Rrugë të dendura, elektrizuese. Pompoziteti, dhuna dhe seksi. Liria, barazia, demokracia. Multikulturalizmi.
Këto jane disa nga konceptet kryesore për ta dhënë një pasqyrë për Amerikën, e cila pavarësisht se ndanë civilizimin me Europën, sërisht dallimi mes tyre është i dukshëm. Jo në koncepte të reja të jetësuara atje por edhe me të njejtat që kanë krijuar në histori.
Në këtë libër, Baudrillard shkruan edhe për dallimin ndoshta me të theksuar mes Amerikës dhe Europës: Të konceptimit dhe të realizimit të ideve. Përderisa Europa është e preokupuar aq shumë me transedencën, analizën, konceptualizimin e ideve, Amerika jo që nuk angazhohet në atë drejtim, por përkundrazi merret vetem me materializimin e ideve, me realen, me realizimin e tyre.
Ky libër është një skanim prej filozofi për kulturën amerikane si dhe njëkohësisht edhe një krahasim i detajuar i ShBA-së me Europën, veçmas në mënyrën e jetesës dhe në kulturën në përgjithësi. / KultPlus.com