29 Mars, 2020 - 8:30 pm
Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.
KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.
Anna Karenina e njohur edhe me emrin Ana Karenin, është një ndër novelat më të njohura ruse e shkruar nga Leo Tolstoy gjatë viteve 1873 deri më 1877.
Në këtë vepër trajton stilin realist, duke treguar për familjet aristokrate në Rusi në atë kohë. Personazhi Ana Karenina është inspiruar nga vajza e Aleksandër Pushkinit, Maria Hartungu.
Kjo novelë ndahet në tetë pjesë. Vepra hapet me një citat madhështor “Familjet e lumtura janë të gjitha njësoj, ndërsa familjet fatkeqe janë fatkeqe ndryshe nga të tjerat”.
Së pari autori na prezanton me personazhin Princ Stepan Arkadieviç Obllonski, “Stiva”, një aristokrat moskovit i cili ka prishur marrëdhëniet me gruan e tij Darja Aleksandrovna “Dolli”, e cila ka zbuluar se burri po e tradhtonte me guvernanten franceze. Stiva ishte i frikësuar se do e humbiste gruan e tij me të cilën trashëgonte fëmijët, kështu që ai thërret motrën e tij Ana Arkadjevna Karenina, nga Petersburgu, që ta bind Dollin t’i kthehet prapë.
Ndërkohë shoku i fëmijërisë së Stivës, Konstadin Dmitrieviç Levin, “Kostja” arrin në Moskë dhe i kërkon dorën motrës së vogël të Dollit, Kitit. Ajo e refuzon sepse ishte dashuruar me Kont Aleksej Kirilloviç Vronskin, por ai nuk kishte asnjë synim që të martohej me Kitin.
Stiva dhe Vronski takohen në Moskë në stacionin e trenit. Stiva priste motrën e tij, ndërsa Vronski të ëmën. Aty ndodh një aksident sepse një punëtor shtypet nga treni. Vronski sapo e sheh Anën dashurohet. Ata takohen prapë në ballon që mbahet në shtëpinë e Sherbackëve. Ana për fat arrin t’i bashkojë Dollin dhe Stivën dhe bëhet shoqe me Kitin. Në ballo Vronski vallëzon me Anën dhe Kiti bëhet xheloze.
Ana, e shqetësuar se do i prishte marrëdhëniet me Kitin për shkak të Vronskit, kthehet në Petersburg. Vronski niset për në Petersburg me të njëjtin tren. Në anën tjetër Levini i dëshpëruar për refuzimin e Kitit kthehet në fshat, në fermën e tij. Ana kthehet tek burri i saj Aleksej Aleksandroviç Karenin, dhe tek i biri Sergei (“Seriozha”).
Libri vazhdon tutje edhe me shtatë pjesë të tjera. Ky libër nga Tolstoy llogaritet si një nga kryeveprat më të mëdha të gjithë letërsisë ruse dhe asaj botërore. / KultPlus.com