21 Prill, 2020 - 8:30 pm
Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.
KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.
Libri i Orwellit, “Ferma e kafshëve” mbahet si një nga alegoritë më të mira politike të shkruara ndonjëherë. Shkrimi përmes alegorisë është shkrim edhe i këndshëm edhe sfidues, ngase kërkon shumë vëmendje gjatë leximit, e madje edhe gjurmim më të thellë të asaj që lexohet. Platoni shkruante në mënyrë alegorike tek “Alegoria e shpelles”, Kafka poashtu në mënyrë alegorike fliste tek “Metamorfoza”, e shumë alegori të tjera.
Por ku qëndron e veçanta e librit të Orwellit në krahasim me alegoritë ose metaforat e tjera? Gjuha e Orwellit është gjuhë e thjeshtë, tejet e kuptueshme, me një fjalë libër për të gjithë. Orwellin mund të e lexojnë dhe kuptojnë njerëz të profileve të ndryshme, të përgatitjes profesionale të ndryshme, të moshave të ndryshme. Kushdo që e lexon Orwellin e kupton se është alegori dhe nuk bëhet fjalë për fermë të kafshëve në kuptimin bukfal.
Në qendër të trajtimit të librit është pushteti, ushtrimi i tij, dhe mirëmbajtja e tij. Të flasësh thjeshtë për pushtetin nuk është aspak gjë e lehtë, në kuptimin e asaj që t’u ikim interpretimeve të komplikuara filozofike për fenomenin në fjalë.