11 Prill, 2020 - 8:28 pm
Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.
KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.
Ndërkaq, sonte KultPlus ju rekomandon një vepër të letërsisë turke, ‘Flokëkuqja’ të shkrimtarit të njohur Orhan Pamuk, vepër kjo që brenda vetes ngërthen shumë gjëra që ndikojnë direkt në mendjen e lexuesit.
Fituesi i çmimit Nobel, Orhan Pamuk, autor i shumë romaneve i njohur kryesisht në mbarë botën me “Unë jam e kuqja” dhe “Bora”, është gjithashtu autor i një numri të madh librash jo-letrarë dhe me esse për atdheun e tij, Turqinë, që shpeshherë publikohen në New Yorker.
Pamuku është kritikuar dhe përndjekur nga qeveria turke për shkak se flet për lirinë e shprehjes dhe sepse ka sjellë në vëmendjen e botës genocidin armen dhe trajtimin e çështjes kurde nga Turqia.
Tek ‘Flokëkuqja’ secili gjen veten, herë në ndonjë personazh e herë në ndonjë situatë të brenda ngjarjes së romanit. Ajo që ka Pamuku ka bërë me Mitin e Edipit është për të gjitha lavdatat, ka shndërruar dhe ndërruar komplet atë që zakonisht jemi mësuar të lexojmë kur bëhet fjalë për Kompleksin e Edipit.
Ngjarja e romanit zë vend në Stambollin e viteve 80′. Xhemi, një gjimnazist i etur për libra, i duhet të fitojë vetë paratë e mjaftueshme për në universitet, ngaqë i ati, një aktivist i majtë, zhduket shpesh ga jeta e tyre familjare.
Xhemi do të ndjekë pas usta Mahmutin, një mjeshtër i hapjes së puseve me teknikave të vjetra, diku në një provincë jo larg prej aty e që pak vite më vonë do të jetë thjesht një lagje informale e qytetit. Por djaloshi ëndërrimtar, i magjepsur nga rrëfimet e vjetra, nga librat dhe ëndrrat që i sheh nën yje në fushë të hapur ku punon, do të trazohet kur të takojë Flokëkuqen e Ongorenit, një grua gati dyfishi i moshës së tij, pa e ditur se dikur ajo vetë ia kishte rrëmbyer zemrën të atij në ato trazime politike që ndoqën historinë turke pas grushtit të shtetit. Sikur të mos mjaftojë kjo, ai do ta braktisë në pus ustain e tij të dashur dhe do të jetojë më pas tridhjetë vjet me ndjesinë se e ka vrarë.
Duke luajtur me mitet themelore të Lindjes dhe Perëndimit, atë të Edipit të Sofokliut (atëvrasjes) dhe Rustemit e Syhrabit (djalëvrasjes), duke vendosur në qendër një grua flokëkuqe që vërtit botën e vogël të rrëfimit të tij, Orhan Pamuk ngre një histori të mrekullueshme të dashurisë së përbotshme babë-e-bir, duke përfshirë në të shndërrimin e Stambollit dhe të vetë kësaj bote të madhe.”
‘Flokëkuqja’ është njëri ndër ato romane që duhet lexuar të paktën njëherë në jetë, një roman që të ngërthen mbas vetes që nga fjalia e parë e deri në përfundim. / KultPlus.com