2 Prill, 2020 - 8:30 pm
Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.
KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.
Albert Kamy lindi në 7 nëntor 1913 në Mondovi ku studioi letërsinë dhe filozofinë. Për shkak të sëmundjes nga tuberkulozi nuk ndoqi karrierën universitare, por filloi të punojë si gazetar. Në vitin 1941 botoi romanin “I Huaji”. Botoi edhe shumë vepra të tjera. Në vitin 1950 Albert Kamy u shpërblye me çmimin “Nobel” për letërsi. Vdiq në 4 janar 1960 në një aksident.
Në romanin “I Huaji” shkrimtari francez rrëfen historinë e një njeriu i cili bëhet vrasës. Në pjesën e parë personazhi, një beqar i moshës së mesme përshkruan ditët e mërzitshme derisa ndodhet në një vrasje. Ai vret një arab. Në pjesën e dytë, Merso rikujton kohën e kaluar në burg, procesin gjyqësor dhe dënimin me vdekje. Ky roman i shkurtër ndahet në tre vdekje. Fillon me vdekjen e nënës së personazhit kryesor në azilin e pleqve në Marengo. Pason likuidimi i arabit dhe në fund vdekja e Mersos. Albert Kamy portretizon një njeri me pak kontakte sociale që jeton larg njerëzve dhe që nuk i lejon këta të fundit t’i afrohen. Ai mbetet i huaj ndaj vetvetes dhe ndaj të tjerëve.
Merso përfaqëson njeriun absurd të Kamysë. Ai jeton në botën e absurditetit, në të cilën del në pah gremina qe e ndan atë nga shoqëria, idealet, mundësitë. Jeta dhe vdekja e tij janë kundërthënie të papajtueshme në raport ndaj rrethit shoqëror. Mersoja nuk është në gjendje të harmonizojë dëshirat dhe marrëdhëniet e tij me shoqërinë në të cilën jeton, sepse as bota nuk e pranon. Këtu e ka burimin e vetë ajo ndjenjë e thellë që e shoqëron si hije gjatë gjithë jetës. Ai e ndjen veten si të huaj.
Fragment nga libri
Nga thellësitë e së ardhmes gjatë kësaj jete absurde që kisha bërë, një frymë e pakuptueshme ngjitej drejt meje duke kapërcyer vitet e pa jetuara dhe kjo frymë rrafshonte në udhë e sipër gjithçka më shtrohej përpara në ato vite po aq të zbrazëta që po jetoja.
Ç’rëndësi kishin për mua vdekja e të tjerëve, dashuria e një nëne, ç’rëndësi kishin për mua Zoti i tij, fatet që zgjedh kur unë zgjidhem nga një fat i vetëm dhe bashkë me mua edhe miliarda të privilegjuar që, njësoj si ai vetë, quheshin vëllezërit e mi. A e kuptonte, a e kuptonte ai këtë?
Të gjithë ishin të privilegjuar. Kishte vetëm të privilegjuar. Edhe të tjerët do të dënoheshin një ditë prej ditësh.
Romani “I huaji” është përkthyer në 68 gjuhë të ndryshme, në gjuhën shqipe në disa variante, nga Ferid Perolli dhe Gani Luboteni (1961, 1978), Ali Podrimja (1986), Nasi Lera (2009), Raimonda Vuçini (1991, 2018), Entela Karaj (2004) dhe Aurel Manushi (2010).
Është romani i tretë frankofon më i lexuar në botë, pas ‘Princit të vogël’ të Antuan de Sent-Ekzyperi dhe ‘Njëzet mijë lega nën det’ të Zhyl Vern. Një përshtatje filmike e veprës u realizua nga Lukino Viskonti më 1967. /KultPlus.com