22 Prill, 2020 - 8:30 pm
Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.
KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.
Në këtë mbrëmje, po rekomandojmë librin “Lufta dhe Paqja” të autorit rus Leo Tolstoy.
Lufta dhe Paqja, është një novelë historike, në përkthimin shqip e ndarë në katër libra, flet për ngjarjet e trazuara në Rusi gjatë luftërave të Napoloeonit në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë.
Mbështetur mbi një stil jete aristokratike që tashmë kish filluar të zhdukej gjatë kohës që Leon Tolstoi shkroi librin e tij në vitet 1860, libri përmbledh një periudhë relativisht të shkurtër – pesëmbëdhjete vjet – por paraqet jetët e karaktereve të ndryshëm nga të gjitha segmentet e shoqërisë me detaje të gjalla dhe të mirërealizuara.
Tregimi pasqyron përballjen e një gjenerate me ndryshimin, i cili i bën disa që të luftojnë për të mbrojtur strukturën ekzistuese edhe me jetën e tyre, ndërsa të tjerët e kuptojnë se mënyrat e vjetra po zhduken.