28 Prill, 2020 - 8:30 pm
Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.
KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.
Rekomandimi për sonte është njëra nga kryeveprat e filozofit gjerman Fridrih Niçe, “Përtej së Mirës dhe së Keqes”.
“Krijesat njerëzore, të trishtuara thellë, tradhëtojnë vetveten kur janë të lumtura. Ato kanë një mënyrë të veçantë për të kapur lumturinë: sikur duan ta shtypin dhe ta mbysin nga xhelozia, ah, e dinë shumë mirë se ajo do t’u ikë.’Si vepra e dytë monumentale e Niçes, pas “Kështu foli Zarathustra”, ky libër mund të shihet edhe i përshtatur me vetë nëntitullin e tij: prelud i një filozofie të së ardhmes.
Kjo pasi autori shpreh, me anë të po asaj gjuhe të zgjedhur e plot metafora të Zarathustrës, të buruara nga zemra e një dashurie vetmitare për njeriun dhe të ardhmen e tij koncepte dhe opinione të ndryshme për historinë natyrale dhe morale, për paragjykimet e filozofëve, për shpirtin e lirë dhe qënien fetare, për popujt dhe shtetet, e së fundi, edhe për të virtytshmit dhe aristokratët.
Në këtë libër, Niçe shtjellon çështjet si morali dhe natyrën njerëzore, si dy nga temat që e kanë preokupuar më së shumti mendimin botëror e në veçanti debatet filozofike. Ky libër ashtu sikurse edhe librat e tij të tjerë i janë nënshtruar intepretimeve të ndryshme dhe po ashtu ka shërbyer edhe si bazë për të ndërtuar mendim në rrafshin filozofik. Kurdo që lexohet Niçe libri “Përtej së Mirës dhe së Keqes”, është i patejkalueshëm. / KultPlus.com