Libri i shqiptares Basrie Murati- Sakiri, krahas librave më të dalluar në Zvicër

19 Tetor, 2020 - 7:18 pm

Në kantonin e Luzernit, Zvicër, grave iu është njohur më 25 tetor 1970 e drejta për të votuar. Në nivel Zvicre, të drejtën e votimit ato e kanë fituar tek më 7 shkurt 1971.

Në prag të këtij 50-vjetori, “Hirschmatt Buchhandlung”, njëra nga libraritë më të mëdha në qytetin e Luzernit, e ka dekoruar enkas vitrinën e saj të librit me libra të përzgjedhur të autoreve të shumta. Në mesim e tyre prijnë botimet e Shtëpisë Botuese “Rotpunkverlag”, posaçërisht vend qendror zë libri “Gruss aus der Küche” (“Përshëndetje nga kuzhina”), njëri nga librat e saj të botuar së fundi.

“Rotpunktverlag” është botuese edhe e librit të shqiptares nga Kosova, Basrie Murati-Sakiri, “Bleibene Spuren” (“Gjurmë të përhershme”), i cili zë vend në listën e librave më të dalluar në Zvicër, që libraria “Hirschmatt Buchhandlung” i ofron për lexuesit e interesuar.

Në librin e saj dypjesësh, autorja Basrie Murati-Sakiri e përshkruan në mënyrë mbresëlënëse angazhimin e saj, si gjimnaziste 18-vjeçare, të shoqeve dhe shokëve, për Kosovën Republikë. Angazhimi i tillë e detyroi atë të arratiset në vitin 1989 në Zvicër për t’i shpëtuar ndjekjes që i bëhej nga pushteti. Se si është ta lësh prapa gjithë jetën tënde e të vendosesh në vend të huaj; përballjen sfiduese në Zvicër për t’u shkolluar, punuar, jetuar nga mundi i saj si dhe për t’u integruar suksesshëm, autorja e përshkruan me mjeshtri dhe stil të rrjedhshëm në pjesën e dytë të librit. / KultPlus.com

Të ngjajshme