6 Dhjetor, 2024 - 11:56 am
Më 28 tetor, u bë promovimi i librit “Jeta me laps e Nehat Islamit”, të autorit Xheladin Rexhepit, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery. Ndërkaq, pas këtij udhëtimi, libri po ashtu është promovuar edhe në Tiranë më 2 dhjetor, nën kujdesin e veçantë të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, shkruan KultPlus.
“Jeta me laps e Nehat Islamit” është libër- intervistë i autorit Xheladin Rexhepit i cili ka realizuar një bashkëbisedim me gazetarin e njohur Nehat Islami, i cili nëpërmjet 500 pyetjeve ka treguar rrugëtimin e tij në profesionin e gazetarit, brenda dhe jashtë Kosovës.
Fëmijëria e tij, studimet, puna si korrespodent në Liban, intervistat me figura të njohura, realizimi i dokumentarëve, roli i tij gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe shumë e shumë tema të tjera janë përfshirë në këtë libër, duke mos përjashtuar edhe shkrimet e të tjerëve që kanë shkruar për Nehat Islamin.
Për librin gjatë këtij promovimi të mbajtur në Qendrën Kombëtare të Librit në Tiranë, ka folur edhe kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa.
Çipa vlerësoi figurën e Nehat Islami si gazetarin e parë të luftës nga hapësira mbarëshqiptare. Islami u kujtua për kontributin në vite si gazetar në Lindjen e Mesme, veçanërisht në kohën e Intifadës. Çipa i dedikoi fjalë edhe vlerës së librit të Xheladin Rexhepit, të ndërtuar si intervistë me personazhin, duke spikatur kontaktet me figura historike shqiptare, kontributet e tyre.
“Është një botim me vlera të rralla, nga ata që ti njeh jo vetëm jetën dhe përpjekjet e gazetarit, por shumë të pathëna të punës së tij, që janë sot një udhërrëfyes edhe për gazetarët e rinj”, ka thënë ai.
Sipas tij, rasti i Nehat Islamit është një rast unik sepse ndau një pjesë të veprimtarisë së vetë si reporter në zonën e luftës, dhe në pikëpamjen e historisë së gazetarisë shqiptare, ai ishte reporteri i parë i luftës në hapësirën shqiptare dhe si i tillë ai përbën një model për referencë ndaj të cilit do të duhej të mbaheshin kumtesa të posaçme.
“Dua të flas edhe për librin sepse libri pavarësisht se mishëron kontributin e gazetarit Islamit dhe shumë aspekte të profesionit në një forme interviste, libri është organizuar me një kujdes dashuri e kulturë profesionale nga Xheladin Rexhepi. Ky libër është strukturuar në një mënyrë të tillë që gjithkush prej gazetarëve që janë marr me botime monografike, duhet ta marrin si një model i cili sjell disa risi. Së pari, risinë e mënyrës së depërtimit të informacionit për jetën, veprimtarinë dhe kohën e raportimeve që ka pasur gazetari si personazh i gjallë real, dhe pjesa tjetër e konteksteve dhe investimit që ai ka sjellë në dijeninë publike, në dijen e shoqërisë shqiptare”, ka thënë Çipa.
Ai tutje ka treguar se personazhi i këtij libri prej katër vitesh e ushtroi veprimtarinë e reporterit në Lindjen e Mesme, një raportim që mbante 20 shtete të botes arabe. Pra, Nehat Islami ka pasur të bëjë me një përvojë ndërkulturore, ndëretnike, ndërcivile, për të sjellë atë çka vlente për audiencën shqiptare.
“Ajo që mund të konsiderohet si “faji” që e udhëheq personazhin e këtij libri, ishte kultura kombëtare, dashuria për kombin. Në këtë këndvështrim ai konsiderohet një reporter unik sa i përket historisë së ekspresionit kulturor shqiptar në Lindjen e Mesme. Kontribut tjetër është mënyra sesa me aftësi komunikate, ai komunikon në libër. Gazetari Islami pati mundësinë që në arkivin e televizioneve shqiptare të shënojë një rast unik e të rrallë (tri ditor) të komunikimit me poetin e njohur francez, Jacques Prévert, me të cilin ndau tri ditë qëndrimi në hapësirat parisiene ku pati mundësinë që të fliste me të ndonëse autori asokohe kishte refuzuar që të komunikonte me gazetarë francezë”, përfundon ai.
Në anënt tjetër, autori i librit Xheladin Rexhepi kujtoi punën e Islamit për evidentimin e punës në Lindjen e Mesme të figurave si Vaso Pasha, Filip Shiroka, shkrimtarëve Mahfuz dhe Pervert e Eftimiu. Personazhi, i pranishëm në aktivitet, Nehat Islami falenderoi të pranishmit, për nderin që iu bë me librin dhe këtë eveniment.
Kujtojmë që botuese e librit është Zyrafete Shala. / KultPlus.com