Libri ‘Kosova në 14 tregime kulturore – 2’ nga Arbër Selmani, shpalosi veten në Mitrovicë

7 Prill, 2021 - 10:05 am

Libri ‘Kosova në 14 tregime kulturore – 2’, me autor gazetarin e poetin Arbër Selmanin, u promovua edhe në Mitrovicë.

Pas Prishtinës, libri ku përfshihen intervista që fokusohen rreth 14 figurave që i kanë dhënë art e kulturë Kosovës, të hënën shkoi në Mitrovicë, në hapësirën 7ARTE.

‘Jam shumë i lumtur që jam në Mitrovicë, në një qytet i cili madje përmendet disa herë në librin tim, sikur në vëllimin e parë ashtu edhe të dytin. Shembull, në librin e dytë e kam këngëtarin Luan Hajra i cili vjen nga Mitrovica dhe i cili e ka begatuar librin me një intervistë të mahnitshme dhe rrëfim jete’, tregoi Selmani në promovimin e librit në Mitrovicë, shkruan KultPlus.

Bashkëbisedimi ndodhi mes Nora Prekazit dhe Arbër Selmanit, ku u fol për librin dhe për kauzën pas këtij libri. Të gjitha fitimet e librit po shkojnë dhe do të shkojnë për fëmijët me autizëm, ndërsa Selmani ka treguar se promovimi në Mitrovicë vjen në një momentum të qëlluar meqë muaji prill shënohet edhe si muaji i ndërgjegjësimit për autizmin, dhe prandaj ai ka vendosur që ky libër, financuar nga Komuna e Prishtinës, të jetë një mënyrë tjetër për të ndihmuar fëmijët me autizëm dhe mirëqenien e tyre.

Intervistat në librin ‘Kosova në 14 tregime kulturore – 2’, flasin për jetën dhe punën e këtyre njerëzve: Xhevat Syla, Mixha Ramë, Adelina Thaçi Meta, Agim Qena, Luan Hajra, Hana Cakuli, Lala Meredith-Vula, Naser Berisha, Rifat Kukaj, Bajram Bylykbashi, Malda Susuri, Zake Prelvukaj, Kenneth Andresen dhe Abdullah Konushevci.

‘Libri në të ardhmen mund të përkthehet në gjuhën angleze, por për momentin jam duke e shijuar suksesin e librit në gjuhën shqipe. Më vjen mirë që rreth 200 kopje të librit janë shitur dhe së shpejti do të takohem me organizatën ‘Autizmi’, së cilës edhe do t`ia jap pjesën e parë të fitimit nga shitja e librave’, tregoi Selmani mes tjerash në këtë promovim simpatik në qytetin e Mitrovicës.

‘Libri gjatë ditëve e javëve në vazhdim do ta ketë një promovim edhe në Prizren, sipas të gjitha gjasave, por me shumë dëshirë dua të udhëtoj edhe për në Shqipëri ku mendoj se audienca mund të jetë e interesuar ta lexojë këtë copëz nga Kosova’, përfundoi Selmani.

Libri po shitet tanimë në Librarinë Dukagjini në Prishtinë, Librarinë Artini, Librarinë Buzuku, në SOMA Book Station, në Dit e Nat, në Fondacionin 17 dhe në KultPlus Caffe Gallery, në Mitrovicë në 7ARTE dhe në diasporë me anë të Librariashqiptare.ch. / KultPlus.com

Të ngjajshme