Libri “Los Inocentes” i autorit kosovar, Sylë Maxhera, botohet në Spanjë 

3 Shkurt, 2022 - 8:45 pm


Muzikanti, poeti dhe sportisti i njohur kosovar, me banim në Madrid, kryeqytetin e Spanjës, Sylë Maxhera, pas disa botimesh të suksesshme në gjuhën shqipe, përkatësisht librave poetikë “Lulëzim i Orkidesë” dhe “Hyj nga dera”, tashmë botohet edhe në gjuhën spanjolle, me librin “Los Inocentes” (“Të pafajshmit”, në shqip).

Sylë Maxhera është një personazh poliedrik në skenën artistike midis Spanjës, ku ai banon dhe vepron e lëvron artin e tij prej shumë vitesh, dhe Kosovës, ku gjenden rrënjët dhe një pjesë thelbësore e frymëzimit të tij poetik e muzikor, teksa sakaq krijimtaria e tij pasurohet mëtejshëm me këngët e këtij artisti, që shpesh burojnë pikërisht nga poezitë e krijuara prej tij, dhe të shoqëruara me tinguj prekës muzikorë, të luajtura në kitarë sërish nga ky autor, (si kënga “Qaj për të”, e publikuar së fundi, në tetorin e vitit të shkuar, në Prishtinë).

“Los Inocentes”, pritet që mbas botimit, të promovohet në disa nga mjediset letrare të Madridit, dhe me gjasë, Sylë Maxhera, falë poezive, muzikës dhe artit të tij, do të shndërrohet në ambasador të mirëfilltë të Kosovës në botën kulturore e letrare spanjolle, duke ndërtuar ura të reja që lidhin kulturalisht Prishtinën dhe Madridin. / KultPlus.com

Të ngjajshme