28 Dhjetor, 2023 - 1:48 pm
Librin me ese të zgjedhura me titullin “Misioni i shkrimtarit” i nobelistit Elias Canetti, përkthyer nga gjermanishtja në shqip nga Naim Kryeziu, i cili këto ditë u promovua në KultPlus, bashkë me disa libra të tjerë që dolën në dritë nga Botimet REA, tashmë mund ta gjeni në librarinë “Artini”.
Në këtë libër janë përfshirë ese të zgjedhura: Misioni i shkrimtarit, Tolstoji, stërgjyshi i fundit, Georg Byhneri, Libri im i parë: “Verbimi” dhe Karl Krauzi i ri.
Këto ese dëshmojnë për gjenialitetin e nobelistit Canetti, veçanërisht për misionin e shkrimtarit në realizimin e projekteve të ndryshme që lidhen me krijimtarinë letrare, por edhe me proceset sociale.
Botimi i këtij libri është përkrahur nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës.
Pasthënie nga Sali Bashota
PESË ESETË E KANETIT
Pesë esetë e Elias Kanetit, siç janë: ”Misioni i shkrimtarit”, “Tolstoji, stërgjyshi i fundit”, “Georg Byhneri”, “Libri im i parë: ”Verbimi” dhe “Karl Krauzi i ri”, shquhen me idetë, përmbajtjen, veçoritë, ligjërimin, por edhe me tipare të tjera që dëshmojnë për trajtimin e shumë temave themelore, të cilat karakterizohen përmes mendimeve universale në nivelin më të përkryer të domethënieve letrare, sociologjike dhe filozofike.
Nobelisti i Letërsisë, Kaneti pasionin e tij krijues e funksionalizon përbrenda shtresave kuptimore që e kanë madhështinë e vet, pikërisht me vlerësimin që iu bën fenomeneve dhe dukurive shoqërore, por edhe çështjeve dhe problemeve, të cilat ndërlidhen me kulturën, artin, letërsinë, qytetërimet , etj.
Përvoja e tij krijuese dhe jetësore e kodifikon misionin e intelektualit në rrethana të caktuara me realitetin ekzistues. Aty ku mbaron përballja me pushtetin, pikërisht aty fillon vetmia e krijuesit. Prandaj, në esetë e Kanetit shëmbëlltyra e Byhnerit, Tolstoit, Krauzit trajtohet përtej ndodhive historike, me gjithë dramaticitetin e jetës krijuese dhe formatin e fatit të intelektualit të kohës. Për më tepër, Kaneti i fuqizon etapat intelektuale përbrenda një diskursi specifik midis letërsisë, filozofisë dhe sociologjisë. Pikërisht këtu ngadhënjen realiteti artistik, duke e përcaktuar historinë e mendjes njerëzore, madje deri të mospërfillja e konkretes. Në esetë e Kanetit mbizotëron beteja e brendshme shpirtërore me mishërimin që frymëzohet nga jeta dhe nga veprat e personaliteteve të rëndësishme të kulturës botërore.
Eseja “Misioni i shkrimtarit”, është një ligjëratë e Kanetit, të cilën e ka mbajtur në Munih të Bavarisë, në vitin 1976. Në këtë ese, Kaneti paraqet mendime interesante për njeriun që shkruan, pra, për shkrimtarin dhe për misionin e tij jetësor dhe krijues. Trajtimi i fenomeneve dhe dukurive jetësore, të cilat ndërlidhen me misionin e shkrimtarit paraqiten përbrenda kontinuitetit të ideve dhe koncepteve të Kanetit, që e paraqet për shoqërinë njerëzore, veçanërisht për kulturën dhe për letërsinë në rrethana të caktuara politike e shoqërore. Ndër të tjera, Kaneti, thotë: ”Shkrimtari do të jetojë sipas një ligji që është i tij, por që s’është prerë sipas masës së tij”.
Duke iu referuar shkrimit të një autori anonim, Kaneti përmend arsyen e thjeshtë që mbërrin deri tek absurdi për të penguar luftën edhe pse pikërisht shkrimtari do të mund të ishte një faktor i tillë. Prandaj, ironizimi me këtë paragjykim shkon përtej këtij konstatimi. Gjithashtu, në këtë ese trajtohen mjaft preokupime dhe shqetësime që ndërlidhen me botën krijuese dhe me misionin e shkrimtarit. Çështjet esenciale që shtrohen këtu kanë të bëjnë me fenomenin e luftës dhe me absurditetin e përfytyrimit të krijuar për të.
Në esenë “Misioni i shkrimtarit”, Elias Kaneti e paraqet shkrimtarin si “ruajtës të metamorfozave”. Për më tepër, dhuntia e metamorfozave i detyrohet shkallës së njohjes dhe të vetënjohjes, për të ndërtuar konceptin e qartë midis të vërtetës artistike dhe të vërtetës njerëzore. Shembujt karakterizues me veprat “Metamorfoza” e Ovidit, “Odiseja” e Homerit, “Epi i Gilgameshit”, e përforcojnë mendimin se nëpërmjet metamorfozës njeriu e ka përvetësuar botën, aty ku është hiçi, pikëllimi, dëshpërimi, lumturia. Në këtë ese, Kaneti e shqipton domethënien e krijimtarisë letrare, filozofike dhe intelektuale, profilin e shkrimtarit, pretendimin e tij të paarsyeshëm për të mbajtur përgjegjësinë dhe për të hapur rrugën e afrimit midis njerëzve, pastaj pushtetin e personazheve, gjallërinë e miteve, etj.
Në esenë “Misioni i shkrimtarit”, paraqitet detyra e mirëfilltë e shkrimtarëve. Kaneti e artikulon mishërimin e shpresës së shkrimtarit për të mbërritur efektin simbolik të ideve. Kërkesa e tij është e qartë: “shkrimtari mund të jetë ai që ndien përgjegjësi”.
Në esenë “Tolstoi, stërgjyshi i fundit ” trajtohet vetëm jeta e Tolstoit deri në shndërrimin e saj në një legjendë. Pra, nuk është trajtuar vepra e tij. Është dhënë një evidentim i kronologjisë së disa etapave të biografisë së tij, të cilat ndërlidhen me përjetimet e Tolstoit. Është bërë një tipizim i shëmbëlltyrës së tij në raport me të tjerët.
Po kështu, edhe në esenë “Georg Byhneri”, substanca e ideve të Kanetit ndërlidhet me botën e shkrimtarit, duke konstatuar se Bynheri ia ka ndërruar jetën, më shumë se çdo shkrimtar tjetër. Në këtë ese më shumë flitet për veprën sesa për jetën e Byhnerit. Përmbajtja dhe veçoritë kryesore të krijimtarisë së tij letrare ndërlidhen edhe me doktrinat e ndryshme filozofike.
Kaneti vë në sprovë mjaft dukuri dhe fenomene që lidhen me letërsinë, me kulturën dhe me shoqërinë, duke dhënë interpretime dhe vlerësime kritike.
Në esenë “Libri im i parë: ”Verbimi”, Kaneti flet për procesin krijues të veprës së tij, si dhe për aktin e leximit të veprave të ndryshme të letërsisë botërore, të cilat e kishin pëlqimin e tij, siç ishin, në radhë të parë “ E kuqja dhe e zeza” e Stendalit ose “Metamorfoza” e Kafkës.
Komunikimin e tij letrar Kaneti e fuqizon edhe përbrenda dimensionit të shoqërisë njerëzore, ku shkrimtarët duke e perceptuar vetveten, i shqiptojnë jo rrallë kundërthëniet me realitetin.
Në esenë “Karl Krauzi i ri”, e cila është një ligjëratë e mbajtur në Akademinë Berlineze të Arteve, Kaneti e portretizon figurën e Karl Krauzit, duke e cilësuar si satirikun më të madh të gjuhës gjermane, madje duke e krahasuar me autorë të mëdhenj, si: Aristofani, Juvenali, Suifti, Gogoli, etj.
Esetë sociologjike, filozofike dhe letrare të Elias Kanetit kanë një frymë të përhershme universale. Në thelb, në to përshkruhet jeta dhe vepra e shkrimtarëve ose trajtohen fenomene dhe dukuri të shoqërisë njerëzore si dhe të realitetit historik nëpër etapa dhe periudha të caktuara. Gjithsesi, janë mendime të vrullshme që e kanë frymëzimin e vet, madje me traditën shkrimore, duke mbetur trashëgimi të mendimit filozofik, letrar, sociologjik edhe sot. Esetë e Kanetit dëshmojnë se sa e fuqishme është fjala në jetën shpirtërore të njerëzimit ose sa të rëndësishëm janë personalitetet e mëdha krijuese që u paraprijnë proceseve të shoqërisë njerëzore.
Me përkthimin e eseve të Kanetit, pastaj të veprës me tregime “Shtatë legjendat” të Kellerit, romanit “Dyshimi” të Dyrrenmatit, si dhe të veprave të tjera, Naim Kryeziu, ka dëshmuar profilin e një ndër përkthyesit më të njohur nga gjermanishtja në gjuhën shqipe. Prandaj, vepra me ese të zgjedhura “Misioni i shkrimtarit” e Elias Kanetit, gjithsesi, e ka mjeshtërinë e shkrimit, pikërisht me shenjat e veta të përveçme.
Shënime për përkthyesin
Naim Kryeziu ka lindur më 1964 në Roganë të Kamenicës (Kosovë). Shkollën fillore dhe të mesme i ka kryer në vendlindje. Ka kryer studimet për gjuhë e letërsi gjermane në Universitetin e Prishtinës dhe më vonë studimet pasuniversitare në shkencat e letërsisë. Në Zvicër është marrë dhe merret me përkthime në fusha të ndryshme. Në vitin 2006 magjistroi me temën “Poezia e Hajnrih Hajnes e përkthyer në gjuhën shqipe”. Ndërsa, në vitin 2012, me udhëheqës shkencor akademikun austriak Karl Wagner, mbron temën e disertacionit me titullin“Vepra letrare e Hajnrih Hajnes dhe recepcioni i saj te shqiptarët”.
Në vitin 2008 fillon punën e bashkëpunëtorit në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Në vitin 2013zgjedhet profesor asistent në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane, në Fakultetin e Filologjisë, ndërsa nga viti 2023 zgjedhet profesor i rregullt.
Ka përkthyer vepra letrare nga shqipja në gjermanisht dhe anasjelltas. Në vitin 2015 përktheu veprën eseistike me titullin “Vetëdija e fjalëve”të nobelistit Elias Canetti. Për përkthimin e kësaj vepre i është dhënë çmimi i dytë nga Kancelaria Federale e Austrisë. Gjithashtu ka marrë pjesë në konferenca të ndryshme shkencore, si dhe ka botuar punime shkencore në fushën e letërsisë e të përkthimit letrar në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit.
Është sekretar i përgjithshëm i PEN Qendrës së Kosovës.
Ka botuar veprat:
“Hajnrih Hajne, Poet i lirisë dhe i dashurisë”, Rozafa, Prishtinë, 2012
“Hyrje në përkthim dhe në interpretim”, Artini, Prishtinë, 2023
Nga shqipja në gjermanishte përktheu veprat:
Sali Bashota, ”Ndiz dritën magjike” – ”Schalte das magische Licht ein”, Magic Verlag, Basel, 2004
Ali Podrimja, Ibrahim Berisha, Sali Bashota, Basri Çapriqi, ”Atëherë poeti tha”- “Dann sagte der Dichter”, Magic Verlag, Basel, 2007
Agim Vinca, “Zogj të plagosur” – “Verwundete Vögel”, Magic Verlag, Basel, 2007
Sylë Arifi, ”Shteti i Kosovës – Një realitet i ri ndërkombëtar” – “Der Staat Kosova – Eine internationale neue Realität ”, Verein der Intellektuellen “Jakova”, 2010
Nga gjermanishtja në shqip përktheu veprat:
Yvonne-Denise Köchli, “Gra, edhe sa vjet doni të prisni”, Shtëpia botuese Rozafa, Prishtinë, 2008
Friedrich Dürrenmatt, “Dyshimi”, Shtëpia botuese Elena Gjika, Tiranë, 2011
Elias Canetti, “Vetëdija e fjalëve” Shtëpia botuese Santori, Tiranë, 2015
Elias Canett, Histori e një dashurie – Nga letrat e Franc Kafkës për Felicen, Shtëpia botuese Santori, Tiranë, 2016
Gottfried Keller, “Shtatë legjenda”, Kosova PEN Center, Prishtinë, 2022. / KultPlus.com