28 Tetor, 2017 - 12:21 pm
“Libri shqip dhe veprimtaria protestante: 200 vjet rrugëtim kulturor”, ishte libri që u botua në konferencën shkencore e organizuar të premten në ambientet e Bibliotekës Kombëtare.
Kjo konferencë erdhi në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Shqiptare Protestante (ISSHP),ku morën pjesë akademikë, gjuhëtarë, studiues, historianë, nga vendi dhe Kosova.
Në këtë konferencë u mbajtën referimeve shkencore me tema të rëndësishme mbi historinë e librit shqip dhe veprimtarinë protestante, bashkëpërkimin e teologjisë protestante me frymën e Rilindjes Kombëtare, ndihmesën e Shoqërisë Biblike për kulturën shqiptare, ndikimin letrar të lëvizjes protestante, veprimtarinë e figurave të shquara të Rilindjes Kombëtare, nga akademikët David Hosaflook, Xhevat Lloshit, Femi Cakollit, Teuta Toska, John Quanrud, Konstantinos Giakoumis.
Veprimtaria Libri shqip dhe veprimtaria protestante: 200 vjet rrugëtim kulturor vjen në kontekstin e një përvjetori botëror siç është shpallja e 95 tezave teologjike të Martin Luterit 500-vjet më parë në Vitenberg (31 tetor, 1517) dhe i lindjes së Reformacionit Protestant në Europë, duke sjellë ndryshime të fuqishme në kulturën evropiane.
Por ajo shënon përmes titullit edhe përvjetorin simbolik të zanafillës së projektit protestant për shqiptarët, pikërisht përmes planeve për të përkthyer për herë të parë Biblën në gjuhën shqipe, në kushtet e mungesës thuajse absolute të librit shqip në përgjithësi, moment historik, siç u shpalos qartë gjatë zhvillimit të konferencës, ekspozitës dhe albumit të botuar në këtë rast.
Kjo veprimtari u shoqërua edhe me çeljen e ekspozitës me fonde të çmuara të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe Institutit të Studimeve Shqiptare Protestante. / KultPlus.com