19 Dhjetor, 2017 - 11:38 am
Qendra Kulturore e Kosovës në Suedi në kuadër të Takimeve të Dhjetorit, organizoi një promovim libri dhe një hapje ekspozite.
Një promovim i organizuar bukur, por peshoi rëndë në zemrat e njerëzve me përmasën e kujtimit e forcën e dhembjes. Kujtimi, jo harresa lehtësonte, paçka se dhembte shumë. Ekspozita thellonte mendjet skutave të frymëzimit e freskonte shpirtërat me magjinë e pikturimit. Promovimi i librit Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844 – 1999, dokumentarit Dëshmitë e Heshtura, të Dr. Nusret Pllanës, dhe i ekspozitës Drejt lirisë, të Florie Lule Bajraktarit, u cilësua ngjarje e rëndësishme kulturore me të cilën Qendra Kulturore Shqiptare me seli në Malmö, përmbylli me sukses aktivitetin e vet për vitin 2017.
Qendrën kulturore dhe promovimin e radhës e nderuan me pjesëmarrje edhe deputetët e Partisë Social Demokrate në Parlamentin suedez, zonja Hillevi Larsson dhe Adnan Dibrani. Zonja Larsson përshëndeti publikun dhe autorët e pastaj u ndal shkurtimisht në të vërtetat historike e politike të Kosovës, shikuar nga këndi i suedezës. “Jam e lumtur që Suedia nga më të parat shtete njohu pavarësinë e Kosovës”-tha Larsson. Adnan Dibrani është deputet në parlamentin suedez, i rajonit të Hallandit. “Do të flas e do ta përhap kudo në institucionet suedeze veprën e Dr. Nusret Pllanës”, premtoi Adnani. Fjalë të mira për veprën e N. Pllanës dhe veprimtarinë e Qendrës Kulturore foli edhe Besnik Hoti, zëvendës ministër i Ministrisë së Punëve të të Jashtme të Kosovës. Hoti premtoi përkrahjen e Ministrisë së Jashtme për aktivitete të tilla të mërgatës sonë kudo në botë.
Kurse, me emrin e Florie Lule Bajraktarit lidhej edhe ekspozita që u hap po këtë ditë. Ekspozita përbëhej prej pikturave më të bukura të autores e cila së bashku me piktorët si Sali Lutolli, Shyqri Gjurkaj, Rrustem Bujupi, Visar Ulaj, Sejdi Zeka e të tjerë, ka pasuruar traditën e pikturës e skulpturës shqiptare në Skandinavi. /KultPlus.com