Libri “Tills alla Dor” i reporterit shqiptar Diamant Salihu shfaq interes tek suedezët

4 Maj, 2021 - 11:03 am

Libri i shqiptarit Diamant Salihu po shfaq mjaft interes nga suedezët. “Tills alla dor” në bibliotekën e Stokholmit është rezervuar deri tani nga 163 persona.

Pikërisht për shkak të numrit të lartë të kërkesave biblioteka ka porositur dhe 38 kopje të tjera të librit për të përmbushur kërkesat e lexuesve.

Vetë Diamanti, i cili është reporter në televizion në kryeqytetin suedez shprehet i lumtur për këtë sukses.

Libri “Tills alla Dor” (Derisa të gjithë të vdesin) ka të bëjë me realiteti e përgjakshëm të asaj që në media njihet si konflikti Rinkeby.

Rrëfimi nis në verën e vitit 2015, kur një 19-vjeçar së bashku me disa të tjerë grabit një zyrë Forex në Täby Centrum. Disa nga miqtë e tij më të rinj xhelozohen dhe zemërohen që nuk u lejuan të ishin pjesë e grabitjes, jo për paratë, por për prestigjin. Në të njëjtën mbrëmje, 19-vjeçari u qëllua për vdekje pak jashtë sheshit Rinkeby.

Vrasja çon në një spirale vdekjeje midis asaj që së shpejti do të formohet në dy banda rivale. Ata që i mbijetojnë moshës së dhunës, ngurtësohen në institucionet e të miturve dhe burgjet, bëhen gjithnjë e më seriozë në krimin e tyre, bëhen pjesë e rrjetës ndërkombëtare. Disa e vendosin veten si artistë të repit, ku disa tekste bëhen propagandë e pastër, një mënyrë për të kërcënuar armiqtë dhe për të vajtuar miqtë e vdekur.

“Tills alla Dor” tregon se si ndërthuren konflikti Rinkeby me obsesionin dixhital të klikimit, me gjueti postimesh në mediat sociale, me abuzim dhe poshtërim para filmimit të kamerave celularë, me njerëz të famshëm dhe brohoritjet e tyre, – e gjithë ajo që në libër quhet ekonomi e vëmendjes.

Në qendër të përshkrimit të Salihut është një grup djemsh të rinj, disa prej tyre miq të fëmijërisë me origjinë somaleze, të cilët janë në një lloj përjashtimi të dyfishtë, të shkëputur nga sistemi ligjor suedez dhe traditat përreth. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Të ngjajshme