Liridon Mulaj boton romanin më të ri ‘Mos harro të më kujtosh’, i dedikohet brezit të tij

4 Tetor, 2020 - 1:58 pm

Xhemile Hysenaj

‘Mos harro të më kujtosh’ është romani më i ri i autorit nga Shqipëria, Liridon Mulaj. Një roman që siç potencon vetë autori, brenda tij ka injektuar të gjithë ndjeshmërinë dhe shpirtin e tij. ‘Mos harro të më kujtosh’ është libri i tretë me radhë i Mulajt, pas të parit ‘I Pakuptuari’ që ishte një vëllim poetik dhe i dyti ‘Kërkohet një vrasës’ që trajton një ngjarje reale, dedikuar një vajze që nuk jeton më.

Në një intervistë për KultPlus, Mulaj ka rrëfyer më detajisht rreth shkrimit të këtij romani, rreth fëmijërisë së tij e rreth letërsisë së tij në përgjithësi. Një rrëfim ky që vlen të lexohet e që shumë shpejt të rrëmben brenda vetes.

KultPlus: ‘Mos harro të më kujtosh’ është libri juaj i tretë me radhë, na flisni për zhvillimin tuaj si shkrimtar nga libri i parë tek i treti? ( A kanë ndryshuar sfidat e të shkruarit nga i pari dhe i dyti dhe a mendoni se ju si shkrimtar jeni pjekur më shumë?)

Liridon Mulaj: Lidhja ime me të krijuarit është e hershme, së paku këtu e 22 vite të shkuara kur shkruaja dhe redaktoja gazetën e shkollës sime “1 Maji” në qytezen e Fushë Arrëzit. Si dhe merrja pjesë sistematikisht në konkursin e përmuajshëm deri sa mu ndalua nga mësuesi i gjuhës dhe letërsisë me preteksin se në katër muajt e fundit e kisha fituar vetëm unë. Netët e mija të fëmijërisë ishin të tilla ku ndryhesha në dhomën e gjumit dhe shkruaja vjersha, për mësuesin, lulet, për lumturinë, tema naive fëmijnore të cilat i përshtateshin brishtësisë së moshës. Mbase këtu zuri të formësohej dhe ai njeriu i frustruar i cili fjalët e munguara i përkthente në vjersha. Nuk e di por mbaj mend qe grisja fletët me një inat të madh, të egër dhe nëse nuk gjendej rima e duhur nuk kishte gjumë atë natë për mua. Me si në një marrëveshje të detyruar, me rritjen fizike u zvogëlua dëshira dhe më tepër pasioni për të shkruar. Ndoshta për faktin se bota te shpaloset e gjallë para syve dhe ia ndjen prekjen e cila në raste të shumta nuk mbetet vetëm në kuadrin e një prekje por që mund të kthehet dhe në goditje, rrëzime të cilat herë pas here të shkundin nga kllapia në të cilën një krijues gjendet. Dhe e pohoj se për shumë vite nuk kam shkruar dhe as krijuar një poezi te vetme.

Ishte koha kur isha kthyer në personazh të gjallë brënda një romani ose poezie që në këtë rast ishte vetë jeta. Dhe pasi kapërcen stadet e ndryshme të jetës, njeriu në një pikë i kthehet zanfillës, dhe kupton se për t’ia rinisur lipset të ringjallet fëmija brënda vetes. Këtë u përpoqa të bëj unë në një fazë delikate të jetës sime dhe duke hapur petat e së shkuarës zbulova sërish se Liridoni fëmijë ka qënë një qënie e brishtë, e ndjeshme, një poet i vockël dhe shumë i talentuar. Falë Zotit talenti nuk ishte zhdukur dhe unë dalë ngadalë iu riktheva atij pasioni. Shkrova poezi të shumta të cilat flinin brënda meje prej vitesh dhe pas një perudhë të gjatë erdhi libri i parë me poezi “I pakuptuari”, një përmbledhje me poezi ndër vite, dicka naive, shpirtërore por që u prit mjaft mirë nga publiku.

Arsyen s’di ta them por di që poezia ime e vogël, e thjeshtë ka zënë vënd tashmë brënda lexuesit të cilët ende dhe sot pas tre vitesh më lexojnë dhe më shkruajnë. Një vit pas botimi te parë erdhi sprova në prozë, një roman eksperimental në prozë të gjatë poetike,”:Kërkohet një vrasës” dedikim për një vajzë të vogël e cila nuk jeton më. Një roman i bazuar në një ngjarje reale. Një punë e cila le të themi ishte dhe do mbetet sprova më e vështirë e jetës sime letrare të deritanishme. Dhe pas një pushimi prej dy vitesh, këtë vit i prezantohem publikut me romanin e rradhës “Mos harro të më kujtosh” i nisur në në nëntor të 2017 -ës dhe i përfunduar në mars të 2020-ës. Roman të cilit i kam injektuar të gjithë ndjeshmërinë dhe shpirtin tim, dhe që botohet nga shtëpia botuese prestigjoze ‘Onufri’. Një tjetër sfidë kjo e imja në një treg të mbingarkuar me botime dhe në një hapësirë ku realisht lexohet pak, ndoshta jo për faj të lexuesit por kjo është temë tjetër të cilën do të duhet një tjetër intervistë

KultPlus: Pse pikërisht ‘Mos harro të më kujtosh’?

Kur nisa ta shkruaj isha i paqartë në atë çfarë doja të përcillja. Kisha në mëndje subjektin, personazhet si dhe rrjedhën e rrëfimit por jo një meszh unifikues të veprës. Dhe në shkrim e sipër teksa lexoja kapitujt kuptova se ky personazh (Tadori) ishte një qënie e vuajtur, e frustruar, e pa fat që nga jeta dhe njerëzit përreth nuk vihej re. Pra një njeri prej mishi e gjaku që nuk ishte asgjë më shumë se një statistikë në gjëndjen civile dhe kaq. Aty më lindi ideja që t’i jepja një kah të veçantë rrjedhës dhe ta ktheja personazhin në një kërkimtar të një kujtese së cilës nuk i përkiste. Një përpjekje e tija për të rigjetur veten në mes kaosit dhe pafuqisë për të qënë zot i fatit të tij. Dhe mendo, harresa si fenomen njerëzor në atë individual e drejt zgjerimit universal, historikisht ka sjellë fatkeqësi.

Se luftërat , genocidet janë pjellë e harresës dhe ripërsëritje e një fragmenti i cili nuk duhej përsëritur. Pra nisur nga një akt vetjak kaq intim dhe i domosdoshëm lind harresa universale e cila i shërben së keqes, se komunizmi me të gjithë mizoritë e tij nuk qe tjetër pos fotokopje historike e nazismit dhe nazismi në vetvete ishte një fotokopje e tillë e genocidit europian mbi indigjenët e Amerikës. Ndërsa në aspektin vetjak ne si qënie me kujtesë të shkurtër e dëmtojmë tjetrin si ne, dhe e vrasim duke e depozituar përgjithmonë në hapesirat e nëntokës. E varrosim dhe më pas vazhdojmë jetën të pashqetësuar brënda asaj hapësirë të cilën e zotërojmë perkohesisht dhe të pakënaqur. Vdesim lakmitar përherë ne tentativë për të zgjeruar hapësirat tona duke fshirë nga ajo qëniet e gjalla që na përzihen. Harrojmë çastet e shkuara të jetës, çaste në të cilat ne u refuzuam, u vramë dhe u persekutuam si te pavlerë. Çaste kur askush nuk besoi në ne dhe na përzunë në mënyrë të papërfillshme si qënie pa vlerë.

Dhe vjen një ditë kur çasti të shpërblen dhe ti pak nga pak fiton atë që ke humbur dhe asaj rruge sa te mundimshme po aq dhe të bukur ti fshin nga vetja jote si me gomë magjike pikërisht ato kohëra të cilat ti rendje drejt plotësimit të vetvetes i lodhur dhe i refuzuar. Dhe ndodh pastaj që në rrugën tënde të lavdishme qe po krijohet ngadalë të takosh të tjerë njerëz fatkeqë të cilët po ashtu si ti po kërkojnë diçka, një rrugë të pashkelur për veten e tyre. Një rrugë qe nënkupton arritje dhe qëllime e që dashje pa dashje, të gjendur ne kryqëzim të përbashkët, dhe duke parë me mburrje madhështinë tonë kundrejt tyre, si në një kryqëzim ku pikëtakohen një ferrari me një veturë shkatarraqe e nga ku shoferi i ferrarit e sheh me përçmim shoferin e veturës së vjetër. Ne i turremi për ta shkatërruar, sepse pa kuptuar, ajo qënie që po lufton për fatin e tij, na kujton kohërat e ligështa të fatit tonë të cilin vrapojmë ta zhdukim, si një gjurmë këpuce në dyshemenë prej parketi të shtrenjtë të cilit ja prish të gjithë hijeshinë. Dhe duke vrarë tjetrin përballë kemi vrarë te shkuarën dhe kemi heshtur britmën qe papushim na thotë të mos harrojmë vetveten pikërisht ne çastin tonë më të vështirë që të duam tjerët ne çastet e tyre të njëjta. Dhe përfundojmë gjithmonë duke harruar e dukë vrarë ata që deshëm, që na deshën, që urryem dhe na urryen, efekt i cili krejt padashje sjell një përshtjellim të fortë te këtyre shëmbëlltyrave që përzihen në brëndësinë tonë duke çliruar efekte te kundërta ku pa e kuptuar, jeta na i risjell situtatat në të cilat shpesh respektojmë ish xhelatin dhe urrejmë të dashurit. Dhe fundi dihet, harrojmë dhe vrasim dhe me pas vrasim për të harruar. Një harresë të qëllimshme gjithmonë e pason një kujtesë e shëmtuar, e padëshiruar.

KultPlus: Në lajmërimin për botimin e librit ju potenconi se ky është një roman që i dedikohet brezit tuaj, na tregoni se çfarë saktësisht pretendoni të përcillni tek brezi juaj përmes këtij romani?

Ne jemi brezi i mesëm le të themi. Ai brez i cili lindi në fundin e viteve 80 që nuk e përjetoi komunizmin si realitet, por që mbase në atë mënyrën tonë, ne u bëmë dëshmitarë të rinj të një kohë të çmendur të patrajtë. Trashëguam dogmat dhe frikërat e një brezi fatkeq, kësaj i shtuam dhe komplekset dhe pasiguritë e brezit tonë çka na bëri të shndërrohemi në një brez të paqartë, të patrajtë. Brez i cili nuk mbante mbi vete traumën e gjallë të së shkuarës por sërish ishte ajo traumë që ua lidhte këmbët në vargonj duke i kthyer deri diku në kavie eksperimentale të një modernizmi të mbrapashtë dhe pa moral që u injektua me shpejtësi në Shqipërinë e pas 80-tës.

Çdo brez mban mbi vete dramat e kohës së tij të qarta dhe të pastra si loti dhe vuan për to. Brezi ynë jetoi mes një drame të cilën nuk e gatoi vetë dhe s’pati asnjë shenjë të tijën në të dhe krejt padrejtësisht u detyrua të hante në atë çorbë të hidhur. Ne nuk jemi as të zotë të qajmë për të shkuarën dhe as të qeshim për një të ardhme të cilën e pritëm gjatë. Dhe Tadori, personazhi i romanit tim i takon këtij brezi të ndërmjetëm, i pasigurtë, i traumatizuar nga një tranzicion i stërgjatur dhe i pafuqishëm për të ndryshuar fatin e tij.

KultPlus: Secili shkrimtar ka muzën e vet në momente bllokimi, ku e gjeni ju inspirimin, në çështje sociale, apo personale?

Për shumë kohë muza ime ka qënë vetmia, përjashtimi kategorik i vetvetes nga ingranazhet e një bote së cilës mendoja se nuk i përkisja. Dhe shkruaja dukë qënë i bindur dhe stoik në tezën time të vetëpërjashtimit si nevojë dhe shpëtim nga ekzistenca e rëndë e përditshmërisë që e kthen njëriun në numër, në shenjë pa identitet, e tufëzon. Por si çdo gjendje dhe me vetminë u lodha dhe pikërisht në momentin kur do ia shpallja vetmisë vendimin tim për ta braktisur, hyri dikush në jetën time. Një hyrje e beftë, mahnitëse si rrezet e para te diellit në një dhomë që ka përjetuar erresirën e natës dhe që më dha sigurinë e të qënit i dëshuruar dhe më pas i dashuruar. Kjo s’më ka ndaluar të shkruaj për fëlliqësitë e botës po mbase dukë pasë afër dikë që ndriçon, këto fëlliqësi bëhen dhe më evidente duke u shndërruar në trajta të mirëfillta frymëzimi.

Më kanë akuzur si të zymtë, të trishtë, pessimist demoralizues dhe unë qesh me këto përcaktime. Qesh sepse nga jashtë jeta e gjithsecilit ngjan patetike, e kotë dhe ata prandaj më akuzojnë se shpesh shkrimet e mija u bëhen pasqyrë ku shohin veten. Lumturia nuk kërkon fjalë, kërkon përjetim. Dhimbja duhet ndarë, copëzuar për ta lehtësuar sadopak.

KultPlus: Zakonisht ndikimi që marrin shkrimtarët nga autorët e tjerë ndëkombëtar apo kombëtar është i paevitueshëm. Na tregoni se nga cilët shkrimtar konsideroni se është e ndikuar letërsia juaj?

Letërsia ime ndikohet nga ngjarjet dhe karakteret jo nga leximet. Leximet e shumta shpesh ta ndryshojnë trajektoren duke të ndërhyrë në stil por asnjëherë tek une ndikimi i shkrimtarëve nuk ka qënë kaq i madh sa të ndërtoj një vepër sipas ndikimit të tyre. A kam shkrimtarë që i lexoj dhe i dua? Pertej dashurisë ata janë vetë kuptimi jetës sime. Dua të evidentoj Ernesto Sabaton si më të madhin klasik të vonë. Jam rritur me vargjet e Fishtës, më të madhit poet kombëtar. Me vargjet e Martin Camajt dhe të Frederik Rreshpjes, dy potetët më të mëdhenj bashkëkohor. Kam shijuar që herët romanet magjike të Kadaresë dhe deri tek përfaqësuesit e sotëm të letërsisë moderne shqiptare, Tom Kuka, Mimoza Hysa, Agron Tufa, Flogerta Krypi, Thanas Medi, Ridvan Dibra, Adil Olluri, Mehmet Kraja. Apo vargjet mahnitëse të poeteshave tona Erenestina Halili, Valbona Mulaj, Arjola Zadrima, Mimoza Ahmeti e deri tek përfaqësuesit më të rinj të letërsisë sonë Andreas Dushi, Andrin Kabashi, Ervin Nezha, Azem Deliu etj.

KultPlus: Çfarë konsideroni ju të jetë roli i letërsisë shqipe dhe cili mendoni se do të duhej të ishte roli i një shkrimtari/e në raport me shoqërinë?

Ernesto Sabato, shkrimtari i madh argjentinas me nënë shqiptare thotë: Shkrimtari duhet të jetë një dëshmitar i pakorruptueshëm i kohës së tij. Përtej kësaj të jem i sinqertë të shkruarit e kam trajtuar si akt sakrifice vetjake, si gjendje habitative por jo si heroizëm ndaj kam besuar gjithmonë se roli i shkrimtarit është i rëndësishëm më së shumti si kronikanë të një kohë por të thënë në mënyrë artistike, diçka e cila sigurisht i shërben historisë dhe asaj kujtese të shëndoshë që fola më lart.

KultPlus: Cili është mesazhi juaj për të gjithë ata që pretendojnë të krijojnë letërsi dhe si e shihni ju letërsinë e sotme në Shqipëri e Kosovë?

Shkruani sa herë shpirti tua thotë, dhe mos dëgjoni snobët e letërsisë të cilët mendojnë së të bërit letërsi është njësoj me të qënit noter dhe që u perket me titull trashëgimie. Shkruani për të pasqyruar, për të kujtuar apo mbase duke i zbrazur në letër për t’i harruar. Shkruani për ti dalë faqe botës apo për të qënë të famshëm pse jo. Shkruani se duke shkruar zbuloni vetveten dhe duke u hapur para botës, jepni shembullin e fanarit që digjet për të ndriçuar. Letërsia është e vetmja “shkencë” e cila nuk varet nga niveli ekonomik i një shteti apo mirëqënia sociale e tij dhe shembulli më i mirë për këtë është Ismail Kadare. Në letërsi nuk ka të bëjë fakti se je shqipëtar i Shqipërisë apo i Kosovës. Në letërsi kombet janë të barabartë. / KultPlus.com

Të ngjajshme