23 Mars, 2018 - 10:33 pm
ISMAIL KADARE.
Prapë m’u kujtove, Llora.
Dashurinë tonë të shkuar
Prapë ripërtyp
Si demi që ripërtyp barin e livadheve të largët
Natën
Në grazhdin e rrethuar nga bora.
Po ripërtyp
Atë asfalt e zhavorr të zi kërrcitës,
Boritë dhe katrorët mizëri të taksive,
Tabelat e kafeve plot dritë,
Afishe, stacione metrosh
Ku me ty brodha
Nofullat e zemrës
Më dhëmbin
Llora.
-II-
Tani shiu godet me shkelma xhamave.
Atje qielli si negativi i zi i një shkretëtire.
Llora,
Më ka marrë malli,
Mall bojë hiri.
Tani nata si një mbulesë vigane
qëndisur me drita anëve
Karrfosur me paralele dhe meridiane
Nga lindja në perëndim,
Na mbulon e shqetësuar.
Ne shtrihemi nën të,
Si në ethe zbulohemi
Të ndarë,
Të largët,
Të vetmuar.
Pati netë
I qullur nga stuhia jote
Heshtja pranë teje dhe pasjonit të marrë
Mbërthyer mbi krahët dhe këmbët e tua
Si mbi një kryq të madh
Të bardhë.
Në fillim e mora kaq lehtë.
Madje s’thosha as fjalën “dashuri”.
S’e dija se dhjetë vjet me i ri se Krishti
Do të kryqëzohesha mbi ty.
-III-
Ja
Vetëtimat e bardha në qiej
Adresën tënde shkarravisin.
Sikur këto re
Të përhimta
Të ngarkuara
Te ti dërgoja si letra, Larisa.
Letra …
Nga tërë letrat që shkrova
S’di pse të dërgova atë më të marrën
Pas së cilës si personazh Dostojevski
Të thashë njëqind herë “më fal!”
Me pas atë faj për ta shlyer
Doja të të shkruaja por më kot.
Lapsi më ngrinte mbi letër
Dhe unë ngrija si robot.
Ti u ngryse kur ta shpjegova,
Vështrimi t’u err, t’u mpi,
Si sytë e falltarit kur pikasin
Midis fallit kumtin e zi.
Diçka qe prishur në botë
Në zemrek të saj, në aks.
Ikje e letrave si e zogjve
S’parandillte veç dimrin plak.
-IV-
Kështu pra te ti nisja këto re
Gjer në vilen tënde në rrethinë të Moskës.
Ti në mesnatë e hutuar atje
Do të çoheshe nga gjumi
Tek xhami t’afroheshe:
Ç’ndodh kështu?
Ç’është kjo gjëmë,
Ky shi her i mërzitur, her i rreptë,
Këto vetëtima,
Këto rrufe?
Dhe do të rrije gjithë natën tek dritorja
Retë të dëshifroje,
Llora.
-V-
Zor se në jetë do të takohemi.
Adresat humbën,
S’ka më letra.
Ti mjegullat,
Unë retë
Do t’i dërgojmë njeri-tjetrit
Gjersa dhe vetë
Të mjegullohemi.
-VI-
Më kujtohet, gazetat hapa në mëngjes
Si një tërbim, si një shkulm ere,
Shkronjat vallëzonin si në ethe:
Prerje. Prerje. Prerje.
Prerje mardhëniesh diplomatike
Kurrë s’do të shoh ty.
Ambasadat u mbyllën.
Pasaportat,
Vizat
Ramë në zi.
Mbi ijet e tua të bardha
Ra pluhur.
Mbi sytë e tu.
Larisa diplomaticeskaja
Ç’ndodhi në botë kështu?
-VII-
Qëndrova përpara globit.
Ballin e nxehtë mbështeta
Mbi rrudhat e meridjaneve
Do të desha të pija me globin,
T’endeshim të dy të dehur,
Ai mes kozmosit,
Unë rrugicave të Tiranës.
-VIII-
Nga erdhi kjo dashuri
Në kohen kur turp më vinte nga fjalët.
Ishte me siguri si ndëshkimi
I atij që me tempullin tallet.
Njohja në stacjonin Konsomolskaja
Banale si rrallëherë ish
Numri i telefonit shkarravitur shkujdesshëm
Me të kuq buzësh
Barbarisht.
Restorant Leningradi
Shampanjë
Snobizëm i dyanshëm.
Kotni.
Perlat, secili, pse vallë
Përpiqej t’i fshihte në thellësi?
Një të kollur si prej prostitute
Ajo nxirrte orë e çast si mburojë,
Ndërsa unë ngul këmbë se nga lirat,
Merrja vesh më pak se nga futbolli.
Veç te port e shtepisë
Nën ca jargavane
Ajo psherëtiu njerëzisht
Dhe iku me vrap pas puthjes së parë
E kthyer në madonë sërisht.
-IX-
Gjithë naten fluturuam mbi qytetet e Evropës
Natën avjoni u ul n’aeroport.
Ç’pati mes nesh,
Llora,
Harresë, ftohje, abort?
Tek dera e avjonit era të priste.
Zemra ime me dëborë u mbush
Si një vetmi e madhe zbrisja
Po n’aeroport.
Askush.
Askush.
Hamej, merrini këto valixhe.
Të rënda?
Janë mbushur me pritje.
Gjithë natën fluturuam mbi qytetet e Evropës
Ti s’dija ç’kishe, s’më prisje.
-X-
Në kafe artistike bashkë jemi prapë.
Jashtë dëbora ruse.
Brenda ti.
Shkrofëtin brenda meje geni i rracës:
Prapë me sllaven bën dashuri.
Pusho, gen i vjetër i rracës,
Në thellësi, në humnerë hesht,
Nëse jetës sime do t’i duhej një kryq
Kryqi im ajo le të jetë.
-XI-
Dhe ja gdhiu mëngjesi plot gazeta.
I ngrysur, shpresëpak, shtetëror,
Kemi flakur të dy mburojat,
Si qelqi të thyeshëm jemi prore.
Ku janë ditët e shkudesshme.
Të djelat mendjelehta, të martat,
Kur ti me shthurjen unë me injorancën
Vërtiteshim si me maska?
Tani që të tjerët rresht vunë maskat
Ne papritur i hoqëm ato
Fishkëlle, ulëri erë e marrë,
Orën e ndarjes këndo!
-XII-
Ndarja …
Një fjale goje
Por ndarja është e rëndë, shpirtin ta qit.
Të ndërtosh një ndarje për të qenë
Ësht’ m’e zorshme se të ngresh një piramidë.
Si yjet janë vërtetë dashuritë,
Kërkojnë hapsira të mëdha e po aq mund.
por jet e njeriut s’është galaktikë
Që të nxejë kaq yje e katastrofa e shkrumb.
Në jetën e ngushtë koha vërtet s’mjafton
Për dashuri,
Për ndarje,
Harresë.
Pleksen dashuritë dhe ndarjet dhe harrimi
Këngëtor i thinjur shëtitës syqorruar…
Era e nëntorit
Librin e tretë të vjeshtës
Shfleton dhe mbyll duke uluritur trishtuar.
Të gjitha këto rikujtoj
Ripërtyp.
Në dhëmbë gurët e pendimit më kërrcasin,
Asfalti i zi më varet nofullave të lodhura.
Kështu pra, Larisa, moskovitja.
Kështu pra, Llora.