Loja

19 Mars, 2020 - 8:00 pm

Tregim nga Ibrahim Berisha

Fëmijët, të zdeshur deri në bel, të mbathur me atlete, nuk pranin me zërat e gëzuar. Pse të mos dilja edhe unë në oborr? Të shikoja, pa ambicien më të vogël, krejt anash, tollovinë e zhurme.

Zbrita shkallët duke menduar se zbuloja pasionin tim të hershëm – lojën. Shkela në një lëvore bananeje, por, për fat, u rrëzova lehtë, njëtrajtshëm. Rashë si bërrylash, pastaj rrotullimi i shpejtë më bëri t’i shpresoja shpëtimit pa farë lëndimi. Rrëshqita lehtë si letër, mbështeta dorën e majtë në betonin e mbushur shtresë tisi, i thashë vetes – jepi, tash. Është rrëzim i lakmueshëm për rrethanat, mendova. I dhashë përpara, duke shikuar nëse më kishte hetuar ndonjëri nga fqinjët. Askush nuk ishte në veranda, as në shkallë, as në dritare, por nuk mund të them me siguri, nëse u kisha shpëtuar të gjitha vrojtimeve përbuzëse – syve kureshtarë që nuk flenë plotësisht as natën, as në mëngjes, as në mesditë, as në mbrëmje dhe nuk të sjellin as dënim dhe as ndëshkim, por vetëm të shohin e kënaqen me pamjet e përsëritshme.

Në oborr nuk më ngushëlloi askush. Fort i shqetësuar, ndoshta nga shkaku i rrëzimit të pakëndshëm, nisa të anoj për njërin nga dy grupet e fëmijëve, të cilët luanin me top ndarë në dysh, plot klithma. Ekipet kishin nga katër veta. Mua më rrahu zemra menjëherë për fëmijët, porta e të cilëve binte në të majtë. Porta e ekipit kundërshtar nuk ishte rregulluar sipas normave, por ajo ikte disi tepër në të majtë, në vend që të ikte në të djathtë. Kryqëzimet e fëmijëve vazhdonin të ishin të shpejta, herë-herë urrejtëse. Në lojë vërejta dy vëllezërit Blata si luftonin njëri kundër tjetrit. Kjo nuk më bëri përshtypje, përderisa njëri nga ata dy binjakë, më i gjati e më i zbehti, shikoi nga prapa ku ishte porta e ekipit të tij, ku kisha zënë vend, sepse isha dhënë pas lojës, por pa lëshuar edhe ndonjë shenjë të plogësht përkrahjeje.

Ndërkohë, edhe tjetri Blatë, që ishte pakëz më i plotë, me gjatësi thuajse të njëjtë, por edhe me lëvizje si tjetri, shikoi prapa portës së ekipit ku përfundonte rrëmuja e lojës. Disi, u hutuan. Vraponin më lëngshëm, më trishtueshëm, pa mundur t’i iknin shikimit të herëpashershëm të vendit, thënë me zemër, ku po rrija, fare kot. Atëherë u shqetësova dhe për të mundur neverinë karakteristike që shkakton pritja, zgjata duart, në fillim përpara, pastaj anash dhe në fund në gjysmëhark. Duke i lëvizur majtas e djathtas, m’u soll gjithë hapësira. Binjakët më shikuan të shtangur, nuk e nganë më topin që ende e mbante përhershmërinë e lojës.

Vazhdova të qëndroj mu aty, disi sikur i dhënë e i longuar. Topi më qëlloi me forcë në fytyrë. Buza më plasi, nëpër plasë nisi të rrjedhë gjaku. Nisi me pika të rralla, pastaj ai gjak i ngrohtë, në vapë, u shtua dhe u shtua vazhdimisht për të zbritur përmes një vije të tmerrshme në qafë e në këmishë. Por, fëmijët luanin, ndërsa ata dy binjakët tashti kishin kthyer kokën anash, pa mundur të fshihnin gazin, në fillim të pazëshëm, por pastaj më të zëshëm dhe prore e më të zëshëm. U shtriva përtokë, në pluhur, pa më të voglin iluzion se do t’i shpëtoja mbulesës së njëtrajtësuar në sipërfaqe të trashë pluhuri e gjaku. Fëmijët lanë lojën, bërtitën, bërtitën prore e më pak, pastaj ikën pa shikuar pas oborrin e heshtur përnjëherë.

Fqinjët kishin mbyllur dritaret dhe ndonjëri kish lëshuar edhe roletat për t’u siguruar nga vapa dhe pluhuri. Zgjata dorën, preka fytyrën, u binda se gjaku kishte pushuar, andaj më duhej të provoja nëse më mbante forca të ngrihesha sërish. Por, pasi u binda se nuk kisha as më të voglën forcë, zgjata duart, në formë të një rrethi, sikur në rastin e parë, por këtë herë për të kërkuar ndihmë nga kushdoqoftë. Një vajzë e vogël, mund të ishte pesë vjeç, e shihja figurë të brishtë, qëndronte fare pranë, drejtoi topin nga unë dhe ma përplasi në fytyrë me gjithë forcën. Derisa nëpër trup rrokullisej ai rreth i plastikes, ajo më tha: eja të luajmë. Nuk lëviza, ndërkohë, ajo u largua në drejtim të hyrjes, duke humbur plotësisht në gjysmëhijen e parë të portës.

Nuk dëshiron askush të luaj me mua, tha, e fshehur provokueshëm prapa portës së hyrjes. La heshtjen e plotë, topin dhe trupin time në oborr. /KultPlus.com

Të ngjajshme