18 Shkurt, 2021 - 7:01 pm
Tregim nga Ibrahim Berisha:
Lotët e artë
Më shikim të zbrazët u shërby për të fshehur frikën.
Kokën mbajti në anën tjetër, të mos vërehej: Qaj, më tha.
Nuk qaja asnëjherë, këtë ai po mendonte, ndërsa unë lëvizja nëpër shikimin e tij të zbrazët e të frikësuar.
Jo, nuk qaj, i thashë pahamendshëm.
Katallai do t’ na hajë nëse nuk qanë, më tha babai. Po afrohet.
Qaj, përgjëruese më tha nëna. Është e domosdoshme. Dridhej.
E dëgjon çfarë të thotë babai, psherëtiu me të ulët dhe më tërhoqi për dore.
Nuk qaj, i thashë.
Uli kokën, nuk foli më.
Ecëm edhe dhjetë hapa.
Të qaj, mendova! Pse? Duke përsëritur nëpër dhëmbë pse e pse, ndoshta njezëtë herë, pa pritur përgjigjen që do më dilte kot, më shpërtheu e qeshura.
Mos qeshë, mezi ia kuptoja fjalët babait. E sheh si shikon?
Edhe më shumë shpërtheva.
Katallai u afrua dhe mati me shikim guximin e qeshjes sime. Ndali i hutuar.
I marrë, tha me neveri.
Po, tha babai. Ngriti pesë gishtat dhe i lëvizi afër kokës. I marrë!
Unë qesha edhe më shumë, sa lotët nuk i durova nëpër faqe, ndërsa nëna duke më mbajtur për dorën e majtë, kur Katallai kishte mbetur prapa, më përqafoi me shkimin e ngrohtë e të plotë.
Na shpëtove, tha. / KultPlus.com