11 Prill, 2020 - 9:40 am
Nga: Jusuf Buxhovi
Sheh Alia i Teqesë së Madhe assesi ta merrte veten nga ato që po ndodhnin pas shpërthimit të parë, kur hyqymeti kishte filluar bartjen e të sëmurëve për në Shkukëz, ku dihej se do të përfundonin në gropat e gëlqeres. Tha se nëpër disa mëhallë ishin shfaqur bashibozukë që pengonin grithjën si dhe ndihmën për krahëthatët. Lam Mula, po ashtu tha se çështjen e kishte shtruar gjatë një takimi që kishte me kajmekamin. Por, ai ia kishte kthyer se Paria e shehrit kishte faj për këtë, ngaqë nuk ishte treguar e përkushtuar ndaj fermanit.
“Hilja ndaj hyqymetit ua hapë rrugën hileve të tij ndaj miletit”.
Rremë Kusari, bëri me dije se zullumit të bashibozukëve po i ndihmojnë disa hyzmeqarë të hyqymetit, që mezi kanë pritur fermanin.
She Alia i Teqesë së Madhe, pohoi ato që tha Rremë Kusari dhe shtoi se e keqja më e madhe është se shumë prej tyre shfaqen si myhibë të tarikateve të ndryshme, ndonëse nuk kanë as dinë e as iman.
“Është vështirë t’u ndalet turri, ngaqë dyert e tyrbeve dhe të teqeve, si shtëpi të zotit, përherë janë të hapura për të gjithë. Por, ç’e do qe edhe aty bëjnë punën e dreqit… I ligu e shfrytëzon edhe murtajën për hesape të veta…”
Ato që thanë Sheh Alia, Lam Mula e Rremë Kusari, nuk më nxunë gafil, ngaqë hyqymeti gjithnjë ka futur egjrën në grurë… Kjo, madje, ma shtoi shpresën se kundërvënia jonë ndaj murtajës, me anën e grithjes po e bënte të vetën…Andaj, priteshin gjithëfarë marifetesh, deri te lufta vëllavrasëse…
“Kajmekami, ka me bo çmos murtajën për me e mbajë sa më gjatë… Ndryshe i shkon koka…”
(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, 1982)