24 Nëntor, 2022 - 11:16 am
Autorja e re Ambra Hysa, vjen me botimin e saj të katërt, këtë herë me novelën e titulluar “Luftë dhe Trëndafila”. Libri u promovua në panairin e librit duke i dhënë një shije të freskët dhe të ëmbël stendës së librave në Pallatin e Kongreseve.
“Luftë dhe Trëndafila” është një novelë që ka në qendër dashurinë për familjen, plagët e luftës dhe çeljen e trëndafilave si simbol i dashurisë për jetën edhe në kohë humbjesh dhe rrënojash. Trëndafilat plot gjemba janë krijimtari, dëshirë dhe shpresë për një rilindje mes stuhive, shkruan KultPlus.
Kjo novelë i ngjan një kujtese filmike, është e shkurtër dhe esenciale por lë pas një shije të mirë…si ajo e kafes turke në një pasdite të ftohtë dimri.
Luftë & Trëndafila kjo esencë që autores i pushtoi zemrën një dimër më parë, të gjitha dallgët e trazuara të zemrës, u qetësuan kur u ul në makinën e shkrimit. Këtë histori, nuk ia kishte borxh vetëm Vikit të vogël por Ambrës kur ishte vogëlushe…dhe çdo vajze që beson verbërisht tek fuqia e dashurisë. Çdo vajze që ka një marrëdhënie unike me babain, sepse kjo është historia baba-vajzë, e Viktorias dhe Borisit, po aq sa romanca në kohë lufte e Tatianës dhe Ivanit.
Ky rrëfim është i ndjeshëm dhe delikat si petalet e një trëndafili, aroma e trëndafiltë e novelës do të ju mbajë gjatë të përqafuar me dy historitë e gërshetuara mistikisht me njëra-tjetrën.
“E bukura mund të gjendet edhe në kohë të padurueshme. Thuhet se ku ka luftë dhe dashuri, mund të ketë edhe trëndafila”, thotë Hysa.
“…Ajo vogëlushe e kishte kthyer në jetë dhe kjo nuk mund të ishte rastësi. Bija e tij, e kishte mbrojtur nga lart, tamam si një engjëll mbrojtës, përmes kësaj vogëlusheje. Dhe ndoshta, tani ia vlente të jetonte vetëm që dikush ta quante atë përsëri “Babi” , ndoshta ia vlente të sakrifikonte çdo gjë për Vikin…”
Sipas autores, mesazhi i librit është dashuria e pastër dhe e pakursyer njerëzore, një dashuri e cila nuk rrjedh gjithmonë nga gjaku…sepse ndodh që edhe njerëzit që nuk janë gjaku yt të bëhen familja jote. / KultPlus.com