13 Qershor, 2018 - 4:30 pm
Gili Hoxhaj
Një fryt i një punë të gjatë hulumtuese, shkencore e studimore u cilësua libri “Të jetosh vertikalisht”, i Lush Isufaj që u promovua sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, shkruan KultPlus.
Ky libër voluminoz i përbërë nga 703 faqe shtjellon periudha të ndryshme historike që janë zhvilluar në tri shekuj, duke ndriçuar të kaluarën që bazohet në trevat e Dukagjinit. Autori rrëfimin kolektiv të shoqërisë në histori e fillon nga familja e vendlindja e tij, Juniku. Aty janë të paraqitur disa shekuj të historisë familjare duke trajtuar tema që Kosova nuk nënshtrohet kurrë, luftën për mbijetesë dhe pavarësimi deri tek realiteti që prek temat sfiduese në kohët e sotme. Rrëfime të personaliteteve të trevës së Junikut dhe Deçanit mund të gjenden me një gjuhë të qartë në këtë libër. Përmes kujtimeve individuale, autori kapërcen në tema e rrëfime të brezave të ndryshme, duke e shpërfaqur rrëfimin kolektivë të shqiptarëve.
Agron Gashi, hapi ceremoninë përuruese duke e theksuar që ky libër përmban rrëfime të trishta, të papara dhe të lexuara më herët. Ai tha se ky libër përmban titull përfaqësues, pasi që kujton dhe dëshmon për një proces e procese historike kurse nëntitulli është kategorizues pasi që shtrihet përmes kujtimeve të dëshmisë, evokimeve personale me të dhëna të ngritura mbi përvoja të jetës dhe historisë, të përjetimeve e rrëfimeve të besueshme.
“Ky libër jete sa është histori krenare së fundmi mund të pranohet dhe mund të lexohet edhe nga ana njerëzore si i prekshëm, si libër i ndjeshëm me dilema e paradokse të kohës në të cilat ka kaluar familja e bashkëvendësit e tij. Këtu flitet për periudha historike për te cilat është folur e dëshmuar shumë por pas leximit të këtyre rrëfimeve historike e autobiografike, qoftë në trajtë të kuptimeve dhe dëshmisë e shohim më mirë me sy të mendjes e të shpirtit, të njëjtën histori të thënë më ndryshe të shkruar më ndryshe, te cilën edhe duke e lexuar duhet ta lexojmë më ndryshe”, tha në fjalën e tij Gashi.
Fjalën e redaktorit Beqë Cufaj, e lexoi avokati Getoar Mjeku. Fjala e tij titullohet “Një dokument monumental i jetës”, ndërsa thotë se autori në tërë këtë libër përpiqet që veten mos ta vë në plan të parë, cilësi e njeriut vertikalisht.
“Jemi në ata që duhet të ja japim meritën për punën e tij në shumë dekada që na bën të kuptojmë një element qenësor sot, nuk kemi pikur nga qielli dhe duhet të jemi mirënjohës ndaj paraardhësve. Të ardhmen tonë duhet ta ndërtojmë vertikalisht. Çka do që thuhet për librin që lexuesi e ka shfletuar, nga fillimi në fund, nga mesi në fillim apo nga fundi në fillim mund të jetë e tepërt sepse vetëm fakti që ky libër mund të lexohet nga cilado faqe me një frymë, nxjerrë në pah argumentin kryesor që libri është një monumental”, shkruhej në letrën e Beqë Cufajt.
Profesori Jusuf Osmani u shpreh se historia e familjes dhe vendlindjes fillon njohja e të kaluarës së gjerë e popullit. Shënimet e dokumentet ruhen dhe krijojnë historinë e një populli. Tutje ai u shpreh se Osmani me këtë libër e përmbushi obligimin moral ndaj vendlindjes së tij duke shkruar këtë monografi ne formë autobiografike.
“Historia për pavarësi nuk ka filluar sot po është i njohur me shekujt. Për pavarësi kanë rënë shumë viktima, pjesëtar të Dukagjinit e të tjerë ishin kudo dhe luftuan ndershmërisht në krah të lëvizjet atdhetare për mbrojtjen e trevave. Ky është një projekt i madh serioz dhe ambicioz, andaj kur shpalos faqet e këtij libri të bie në sy laramania e temave duke kaluar kufijtë e pjesës së Dukagjinit për çka ka shkruar autori”, u shpreh Osmani.
Vet autori Lush Isufaj u shpreh se libri është munduar që të përfshij fakte që nuk janë përfshirë në veprat e autorëve të tjerë. Ai tutje tregoi se tregimet që i ka përfshirë në librin e tij janë krejtësisht autoriale dhe të tilla frymojnë edhe në libër.
“Kam pasur fat t’i takoj një familje të madhe e cila ka qenë gjithnjë një familje e pasuruar me mysafirë të rastit, me njerëz që kanë qenë hallexhinj, kanë qenë prirës të kombit shqiptar të asaj periudhe , duke u nisur nga Hoxhë Kadri Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini e shumë të tjerë. Janë të përfshirë njerëz të ditur të asaj kohë që kanë dhënë shumë për kombin shqiptar prandaj unë duke i dëgjuar ata njerëz, unë jam brumosur dhe kam filluar si i ri t’i marr disa shënime”, tregoi autori Isufaj, duke theksuar se bisedat ka dashur gjithnjë t’i përmbledh në një libër siq është ky sot.
“Sigurisht qe unë nuk kam arrit që t’i përfshij të gjitha, kam lënë mundësinë që këto të begatohet edhe nga kolegët e tjerë pasi që historia krijohet vetëm në atë mënyrë duke lënë shënime dhe vepra, andaj krejt esenca ime ka qenë t’i shfrytëzoj thëniet e njerëzve të Junikut e rrethinës që kane qenë pjesëmarrës në ngjarje që janë shumë të rëndësishme, të cilët historiografia jonë nuk ka arritur t’i vjelë sa duhet”, tha për fund autori./ KultPlus.com