14 Prill, 2025 - 1:52 pm
Libri “Shtëpia pa pasqyrë” nga autorja Majlinda Bregasi do të promovohet më 16 prill, ditën e mërkurë, në orën 19:00, në librarinë “Dukagjini” (te sheshi “Nëna Terezë”). Për të diskutuar rreth librit, në panel do të jenë: Majlinda Bregasi, autore e librit; Albulena Blakaj, redaktore letrare e librit dhe Latif Mustafa, studiues i filozofisë.
“Shtëpia pa pasqyrë” sjell histori njerëzish me fëmijëri të grabitur. Përmes tri linjave rrëfimtare, lexuesi udhëton nëpër hendekët e fatit të individëve që janë vetëm pasojë e historisë së popullit të tyre.
Një shtëpi ku mungojnë pasqyrat, ku reflektimi bëhet i pamundur, shndërrohet në metaforë universale që ngacmon lexuesin t’i përgjigjet pyetjes thelbësore: A je ky njeriu që doje të ishe?
Ky roman prekës dhe befasues është një eksplorim i thellë i kujtesës kolektive të një populli të cilit historikisht i është kërcënuar ekzistenca. Vepra ofron një reflektim mbi mundësinë për ripërtëritje në një shtëpi që, edhe pse e zhveshur nga pasqyrat, mbi kokën e fëmijëve që luajnë pa lodra, ka gjithmonë një dritare./ KultPlus.com