24 Prill, 2023 - 12:48 pm
Gazmend Bërlajolli
Malli, tek ndërthur kënaqat e lumnitë e të shkuemes me dhimbën e vuejtjen e mungesës së tyne tash, vjen i hidhët e i ambël bashkë. Malli asht shfaqë dashnie. Dikush a diçka e dashun, afër o këtu ma s’asht, por dashnia për te vazhdon. Prandaj edhe dy shijet përzihen e bahen nji. Kësisoj të ngjizuna vijnë mprehtas në poezinë e Vlora Ademit.
Poetja asht e vetëdijshme për dhimbën e mallit. Madje, e mallueme, ajo bahet dhimbë:
A thue dhimba mall, a malli dhimbë ka ma shumë?
pyet poezia “Hovi drejt turrit”. Nji dikush i dashun asht largue këso toke. Ka lanë mbrapa dy rreze drite që ballin ia prekin atje përtej, të mbetun, mësojmë, me e rritë shtatin me fotografinë e t’et, amanetin e tij të randë.
Dhimbë e mall bahen e njejta fjalë në letër, e prej këtu, kur në mbrendinë tande prej lexuesi të rizbërthehen, të bajnë përnjiherë me u vetëdijesue: tanë kjo dashni!
Vlora nuk trillon gja. Në vargun e saj, hipotetike a të sajueme nuk ka kurrsend. Të tana sa na shfaq janë ndodhi e gjendje që, edhe kur të hueja, i përmbrendëson e i filtron së pari nëpër shpirt. Mandej veç i landëzohen në fjalën që bahet edhe e jona.
Gjuha e saj vjen e përpunueme me ekonomizimet dhe sintaksat që kurrë në prozaizëm nuk devijojnë. Ajo ndijen e mbërthen, e ban zap, e përimton, grimca-grimca ia ushqen intelektit që ky ta lëshojë në letër, në varg ta shndërrojë. Të rrallë janë mjeshtrit që, kësisoj të kulluet, ia dalin, në fjalë, ndijen me e kodue.
Qe edhe nji tjetër prej vargnimesh të saj mjeshtërore. Sapo i lexohet dedikimi përposht, me nji gjetje fort të veçantë, kushtue “nanave Ferdonije”, menjirend e mirëfilli kontekstualizohet poezia “Boshi i birit”. Antroponimi që poetja këtu përdor asht atipik dhe prandaj i kudonjohun lehtësisht, bash pse asociues i drejtpërdrejtë i boshit shpirtnor me të cilin u mbetet me e plakë jetën nanave që, emnake në mos qofshin, simotra të nanës Ferdonije janë.
Nji rreng të mirë ia përgatit lexuesit dedikimi në fjalë. I vumë në shumës, “nanave”, sugjeron Ode kushtue këtyne. Por kjo, po ciku nëpër gjuhë hagiografike, lehtë shket në patetizëm. Prandaj, tue e shpresue ma të mirën, mprehesh menjirend për ma të keqen, e nis me lexue.
Kur, ç’me pa? Zani që flet nuk asht hiç ai i përnderimit të nanave që rrnojnë me vrragën e pamelhem. Poetja asht mishnue, ba vetë njana sosh, në kujën që, tue qenë tashma vrima e shpueme mbrenda vetë shpirtit të saj, asht pjekë për me pikue ndije e me u dlirë në poezi. “Odeja” që pritëm na rezulton Elegji. I vdekuni aty asht “bir” i poetes vetë. Vaji asht i saji shqim. E kur, tue folë në veten e parë, kjo “nanë Ferdonije” klith:
Zot!
Po qysh mujte aq gjakftohtë me e pa atë dramë?
Qysh mujte me ma shtrenjtue kaq shumë biletën e lirisë?
mishi mornicash të pushtohet.
Për ty që lexon mes rreshtash, Vlora asht cok njajo që përmes këtij vargu ke me e njohë: poetja që heton mbrenda vetes nëpër ndijen e mallit e të dashnisë, se janë këto për të cilat e me të cilat don dhe din ma së shkathti me vargnue. Ia lexove vargun, ia njohe shpirtin.
Ajo që ndjell mallnimin e poezisë “K’shtu t’due” asht dashnia për qytetin e lindjes, ikonë e Kosovës dhe e Ballkanit, të cilit emni nuk i ndërmendet, e as s’ka pse. Për kend ka shue etin prej shadërvanit e ngjitë përpjetën gjarpnuese drejt kalasë së tij, pikat referenciale mbrendë poezisë i mjaftojnë për t’ia shqiptue emnin vetë me zanin e heshtun të vetëdijesimit. Tash dimë nga asht poetja, por edhe se ma atje nuk rron.
E, për me i zblue ma tej gurët prej mozaikut poetik që asht, në fakt, letërnjoftimi i saj, vjen poezia “Pasqyrat”. Nji “gjysmë tjetër” e ka poetja, e dashnia mes sosh asht e ndërsjellë:
Po asnji pasqyrë magjike
nuk ma shfaq nji unë të vërtetë,
siç ma shfaq vështrimi
kur me veten takohem te shikimi yt.
Me të njejtën dashni poetja e don vetveten. Nji tjetër majë e vëllimit, “Nuk ia fali mostradhtinë”, që qysh me titull çon vetulla përpjetë, bash për gjetjen idiosinkratike, ka me e lanë të mëdyshun gjithcilin lexues. Ajo mbyllet me zanin të ngritun në protestën që, mveshë me ironi, vjen e tërthortë:
se n’vendin ku jam rritë
burrnia e burrave matet
veç me numrin e grave
që i shtien n’dorë!
Autorja i shpëton, megjithatë, përdorimit të tonit përgjithësues misandrik – klisheizue ky tashma në emën të kësaj proteste. Më bahet se asht kështu veç pse Vlora nuk asht tjetër në karakter veç kësaj që, e qashtër, na zblohet prej ndjesive që vargon. Ajo asht vetë mall e dashni.
E mahnitshme edhe ma fort bahet poetja kur e mendon se botimeve poetike me këtë ble po u vjen për herë të parë. I uroj nji jetë të gjatë poetike, e cila të jetë po kaq e jona, sa edhe e saj./ KultPlus.com