Mall i Atdheut

11 Shtator, 2023 - 11:03 pm

Mall i Atdheut (shkruan F. Konica).

Kur vete njeriu, i lirë dhe i vetëm, larg Atdheut, viset e reja, ndryshimi i zakoneve, ëmbëlsia e udhëtimit , e një mijë gjëra që vihen re nër popuj të huaj, të gjitha këto ta përgëzojnë zemrën, e të bëjnë jo ta harrosh Shqipërinë, po të mos të vejë te ajo aq dendur mendja… Më tutje, si ngopen sytë së pari ndyshime, gazi shuhet pak nga pak. S’di se ç’të mungon, s’di se ç’të duhet.  Një hije trishtimi ta mbulon fytyrën; e pik-së-pari here-herë, pastaj më dendur, e më në fund shpesh e po thua kurdo e kudo, kujtimi i prindërve, i miqve e i shokëve, kujtimi i dheut ku u lindëm e ku u rritëm, ku qanim foshnja e ku loznim djem, kujtimi i atyre maleve larg të cilëve nuk rron dot mirë një shqiptar, kujtimi i kombit e dëshira, e etja e gjuhës s’onë, ta shtrëngojnë e t’a dërmojnë me të vërtetë zemrën.

Ah! malli i Shqipërisë, malli i atdheut të dashur, i shenjtë mall e dashuri e shenjtë, kush është ay Shqiptar që se ka pasur në dhe të huaj!

Duhet të jesh jashtë Shqipërisë, e të jesh larg, për të kuptuar se ç’forcë e ç’bukuri të ëmbël ka për veshët kjo fjalë: Shqipëri! Ajo më e zbrazura fjalë, ajo fjala më e vogla, na sjell, kur’ vjen nga Shqipëria, një gas të parrëfyeshëm, sa na sjell një copë t’atdheut.

E ky mall është më i nxehtë te ne të mjerët, se s‘kemi shpresë t‘a shohim Shqipërinë; jemi te dënuar, për dashuri t‘atdheut, të rrojme tej e këtej nër dhera të huaj, e veç të bëhemi tradhëtorë e të poshtërit e të poshtërve, s’ kemi për të puthur tokën e Shqipërise edhe shumë vjet, ndofta kurrë./ KultPlus.com

Të ngjajshme