Manifestimi letrar “Kalimera poetike – Basri Çapriqi”, vjen me edicionin e 30-të jubilar

25 Korrik, 2022 - 9:50 am

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” do të organizojë më 27-29 korrik 2022, në mjediset e Muzeut në Kalanë e Ulqinit, edicionin e 30-të jubilar të manifestimit letrar “Kalimera Poetike – Basri Çapriqi”.

Mysafirë të këtij edicioni janë shkrimtari Ylljet Aliçka nga Shqipëria, poetja Donika Dabishevci nga Kosova dhe shkrimtari Dragan Radulloviq nga Mali i Zi, të cilëve do t’u kushtohen mbrëmje autoriale. Po ashtu do të bëhet përurimi i antologjisë “Kalimera rrëfen”, me prozë të përzgjedhur nga autorët pjesëmarrës të këtij manifestimi ndër vite.

“Kalimera Poetike – Basri Çapriqi” është ngjarja më e rëndësishme në fushën e letërsisë ndër shqiptarët në Malin e Zi. Ajo i ka dhënë impuls jetës kulturore në Ulqin, sidomos gjatë verës, dhe ia ka rritur namin Ulqinit në rrafshin kulturor gjithëkombëtar. Përgjatë viteve, në skenën e “Kalimerës Poetike” kanë parakaluar shumë shkrimtarë të shquar, pastaj piktorë akademikë, disa prej të cilëve nuk jetojnë më. Janë ata që me emrin dhe veprën e tyre kanë krijuar historinë e këtij manifestimi.

“Kalimera Poetike – Basri Çapriqi” ka për qëllim promovimin e letërsisë shqipe dhe të letërsive që krijohen në vendet dhe gjuhët e tjera, por edhe njohjen e shkrimtarëve me njëri-tjetrin dhe krijimtarinë e tyre. Në të trajtohen edhe probleme të letërsisë, hidhen ide për bashkëpunime etj.

Pas dy viteve, për shkak të pandemisë, “Kalimera Poetike – Basri Çapriqi” rikthehet në Kalanë e Ulqinit, në vendin ku dhe në kohën kur organizohet zakonisht. Edicioni i këtij viti mbahet në kuadër të programit të Festivalit “Skena Verore”. / KultPlus.com

Të ngjajshme