18 Janar, 2023 - 3:24 pm
Kur isha fëmijë, ishte një lojë shumë popullore në ditëlindjet e vajzave të vogla. Loja ishte kjo: Fëmijët formonin një rreth. Njëri prej tyre ishte Dikush, i cili rrotullohej përqark rrethit nga jashtë duke mbajtur një shami, ndërsa të tjerët këndonin: I shkrova një letër të dashurës time /Dhe rrugës më humbi,/ Një qenush e kapi/ Dhe në xhep e rrasi. Pas këtyre vargjeve të kënduara bëhej ham –ham, dhe një shami lëshohej pas njërit, e pasuar nga ndjekja prej tij në anën e jashtme të rrethit. Asnjë nga këto nuk më interesonin. Unë isha e shqetësuar për letrën. Sa e tmerrshme që kishte humbur, dhe se personi për të cilin u shkrua nuk do ta merrte kurrë! Po aq e tmerrshme ishte fakti që e kishte gjetur dikush tjetër! Ngushëllimi im i vetëm ishte që qentë nuk lexojnë dot.
Që nga shpikja e shkrimit, aksidente të tilla kanë qenë një mundësi e veçantë. Sapo fjalët shkruhen ato bëhen pjesë e një objekti material, dhe si të tilla duhet të kenë shanset e tyre. Letra nga mbreti që shkëmbehet, e panjohur për të dërguarin, duke bërë që një person i pafajshëm të dënohet me vdekje – nuk është thjesht një motiv i vjetër përralle. Letra të falsifikuara, letra të humbura dhe asnjëherë të marra, letra që shkatërrohen, ose që bien në duar të gabuara – jo vetëm kaq, dorëshkrime të falsifikuara, libra të tërë që humbin dhe nuk lexohen kurrë, libra që digjen, libra që bien në duar e atyre që nuk i lexojnë në frymën me të cilën janë shkruar, ose që e bëjnë, por prapë iu ngjallin zemëratë – të gjitha këto pështjellime, gabime, akte keqkuptimi dhe keqdashje kanë ndodhur shumë herë, dhe vazhdojnë të ndodhin. Në listat e atyre që janë në shënjestër dhe të burgosur dhe të vrarë nga çdo diktaturë, gjithmonë ka mjaft shkrimtarë, veprat e të cilëve kanë arritur –krejt dukshëm – lexuesin e gabuar. Një recensë e keqe është si plumbi pas qafe.
Por për çdo letër dhe libër, ekziston lexuesi i synuar, një lexues i vërtetë. Si ta dorëzojmë atëherë letrën ose librin në duart e duhura? Uinston Smithi, duke shkruar ditarin, zbulon se nuk mund të ishte i kënaqur si lexuesi i tij i vetëm. Ai zgjedh lexues ideal – një zyrtar të partisë të quajtur O’Brien, tek i cili beson se zbulon shenjat e një armiqësie të barabartë me të tijën. Ai mendon se O’Brien do ta kuptoj. Dhe ka të drejtë: lexuesi i tij i synuar e kupton. O’Brien-i tashmë ka menduar mendimet që Uinston Smithi po mendon, por ai i ka menduar në mënyrë që të përgatit kundër-lëvizjet, sepse O’Brien është pjesëtar i policisë sekrete, dhe ajo që ai e kupton është se Uinstoni është tradhtar i regjimit. Ai bën të mundur arrestimin e Uinstonit të shkretë, dhe më pas shkatërrimin jo vetëm të ditarit por edhe të mendjes së tij. O’Brien-i është version negativ ose demoniak i shkrimtarit, i asaj marrëdhënies ideale për tek personi që lexon, teka pikërisht personi që duhet të lexoj. Një variant tjetër i lexuesit demon është krijuar nga Stephen King, i cili ishte mjeshtër i paranojës së skajshme dhe meqenëse ka një lloj tjetër paranoje për çdo shije, ai ka një paranojë të veçantë vetëm për shkrimtarët. Libri është “Mjerimi” (1987), dhe tek ky libër një shkrimtar i romancave të vuajtjes në rolin e një heroi fatkeq bie në duart e një infermiereje të çmendur, e cila shtiret si adhuruesja e saj më e madhe./Hejza / KultPlus.com