4 Prill, 2022 - 6:45 pm
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti kujtoi sot Andon Zako Çajupin, në kuadër të “Muajit të Librit” me disa fjalë të mençura të thëna prej tij: “Me qiejt mos u mbani, se nuk mbahen gjëkundi”.
“Me këto fjalë të urta, thënë nga një prej personaliteteve të letrave shqipe, Andon Z. Çajupi, ju uroj një javë të mbarë”, tha Margariti.
Çajupi lindi më 27 mars të vitit 1866. Për hir të së vërtetës, quhej Andon Çako, ndonëse identifikohet gjerësisht si “Çajupi”. Me këtë emër mundi të mbarte në krijimtarinë e tij gjurmë të pashlyeshme të vendlindjes, Zagorisë, ku gjendet mali prej nga derivon pseudonimi i tij letrar.
Pas shkollimit bazë, do ta linte Zagorinë për t’iu bashkuar të atit, Harito Çakos, veprimtar në lëvizjen atdhetare. Atje do të ndiqte një kolegj francez, prej të cilit kultivoi njohuri të larmishme. I pajisur me botëkuptim evropian, do t’i drejtohej Gjenevës, ku në vitet 1887-1893, kreu studimet për drejtësi.
Më tej, u vendos në Kajro dhe nisi të ushtronte profesionin e avokatit. Do të hiqte dorë nga kjo detyrë për t’iu përkushtuar lëvizjes patriotike të shqiptarëve të ngulimeve të Egjiptit. U bë figurë protagoniste e shoqërisë atdhetare e kulturore të atjeshme, përmes përpjekjeve për të siguruar mbrojtjen e interesave të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar.
Përmbledhja poetike “Baba Tomorri” (1902) që përfshin edhe komedinë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër”, veçohet si vepra e tij kryesore. Në gjallje, u botuan “Përrallat e La Fontenit” (1921) përshtatur prej tij në shqip, “Lulet e Hindit” (1922), një sërë vjershash të letërsisë sanskrishte. Pena e tij u vlerësua edhe në rrafshin e publicistikës të kohës, sidomos me pamfletin “Klubi i Selanikut” (1909).
Ndërkaq, la në dorëshkrim pjesën më të madhe të veprave të tij, sikurse mund të përmendim poemën “Baba Musa lakuriq”, tragjedinë “Burri i dheut” dhe komedinë “Pas vdekjes”.
Çajupi ndërroi jetë në Kajro, më 11 korrik 1930. / KultPlus.com