26 Prill, 2022 - 2:59 pm
Në kuadër të muajit të Librit, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka kujtuar shkrimtaren dhe disidenten, Musine Kokalari.
“Musine Kokalari është shembulli i njeriut që u sakrifikua për fjalën e lirë”, shprehet ministrja.
Musine Kokalari lindi në 10 shkurt 1917 në Adanë të Turqisë. Tre vite pas lindjes së saj, familja e Musinesë u kthye në Shqipëri. Musineja mori mësimet e para në qytetin e Gjirokastrës. Studimet e larta i kreu në Itali, në Universitetin e Romës, ku u diplomua me rezultate të larta në degën e Letërsisë. Deri në vitin 1944 botoi dy libra “Seç me thotë nënua plakë” dhe “Rreth vatrës”.
Musine Kokalari u arrestua më 23 janar 1946 me akuzën se, si socialdemokrate, solli përçarje gjatë luftës. Të njëjtën akuzë i patën bërë ballistët kur ajo i pati lajmëruar për formimin e Partisë Socialdemokrate.
Qëndrimi i saj në gjyq ishte shuplakë ndaj regjimit dhe dëshmi e forcës morale që intelektualët po tregonin kundrejt totalitarizmit. U mbrojt vetë, pa avokat, ku mes argumenteve spikati: “Unë nuk kam nevojë të jem komuniste të dua vendin tim. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju jeni duke më ndëshkuar për idealet e mia!”.
Vuajti 17 vite në burg, dhe më pas u internua në Rrëshen të Mirditës, ku jetoi në kushte tejet të vështira ekonomike dhe plotësisht e izoluar nga shoqëria.
Musine Kokalari ndërroi jetë në vitin 1983 nga një sëmundje e rëndë. Pas shembjes së diktaturës, figura dhe vepra e saj dolën në pah dhe u vlerësuan nga institucionet e sistemit demokratik. Në vitin 1993 iu dha titulli “Martir i demokracisë”./ atsh / KultPlus.com