Maria shkoi

9 Mars, 2021 - 3:59 pm

Tregim nga Nerimane Kamberi

Marie is gone”, kishte nevojë ta shkruaj, por nuk e diti pse pat nevojë ta shkruaj në anglisht. Ndoshta sepse atë ditë ishte në përfundim të një romani, që e lexonte në atë gjuhë, gjë jo shumë e zakontë për të,  një best-seler që fliste për lirinë, mungesën e lirisë, privimin nga liria, etja për të. Apo ndoshta sepse mendonte se sa ta mbaroj atë ta niste një tjetër, në të njëjtën gjuhë, që sigurisht do të bëhej roman shumë i lexuar, shumë i shitur, që fliste për robotet dhe vendin që po e nxinin, çdo ditë e më shumë, në jetën e njeriut, sa e tmerrshme aq e vërtetë. Apo ndoshta pse biri i saj lëshonte muzikë të përtej-Oqeanit për ta përbytur heshtjen që mbretëronte në shpi këtyre ditëve.  “Marie is gone” e përsëriste ajo, “Marie is gone”, “Marie is gone”, e përsëriste si një lutje, si një refren, ishte  si një çlirim, apo si një pikëllim, apo si të dyjat.

Maria shkoi.  Kishte ardhur me borën, dhe kishte shkuar me borën. E në mes, kishte pasur shumë diell, një parantezë në një vizitë që ishte zgjatur më shumë se që e kishte planifikuar. Se Maria nuk fluturoi. I kishte ra murtaja. “Jeni për herë të parë në vendin tonë?” e kishin pyetur kur kishin dalur nga kisha. “Mikëpritja e tyre qenka kjo” ? mendonte ndoshta ajo, se për mikëpritjen e këtij vendi kishte lexuar.  Emër biblik, Maria, për këtë punë kishte ardhur, për të kuptuar se ç’vend zinte Zoti te këta njerëz, e a ishte i njejti Zot për njërit dhe për të tjerët. E kishte shtrenguar fort shallin për t’u mbrojtur nga era e akulltë që frynte në këtë fushë ku ajo numëronte mbi njëqind, dyqind, varre, të gjithë burra, te disa kishte kryqe, te të gjithë shqiponjë. Por ajo nuk pati të ftohtë atë ditë, se kishte veshur puloverin e kashmirit, të shtrenjtë, “Eshtë luks, i kam të vetmin mekat këto pulovera ” i thoshte asaj duke qeshur, për ta fshehur trishtimin që ndiente aty,  midis të asgjësë. Edhe parfumin e kishte të shtrenjtë, Maria, era e tij hynte me të në kafenetë e provincës ku takonte ata që do të ia shpjegonin më mirë, shpresonte ajo, jetën e tyre, e do t’i ndihmonte në analizën e saj, a kishte ky vend të ardhmën, dhe po pat, cila ishte ajo. Por ajo nuk e ndiente më, si në fillim, erën e parfumit të Marisë. E donte t’i thoshte se luksi nuk është mëkat, se të bën mirë, është vlerë, kur asgjë nuk ka më vlerë.

Po, Maria ishte për herë të parë në këtë vend. Por e njihte mirë, se kishte lexuar kaq shumë për të, sikur për mirëpritjen, kishte lexuar në libra, artikuj, intervista.  Ishte përgatitur. E tash, brenda katër mureve të dhomës së  hotelit, shkruante, pa marrë frymë, ashtu fryma i mungonte për shkak të gjendjes së saj, atë që i kishin treguar, atë që kishte kuptuar, atë që nuk e kishte kuptuar,  fliste për lexuesit e vendit të saj, kryeqytet evropian, nga ky qytet që mundohej të dukej si metropol. Vendi i saj ishte mbyllur qe më shumë se një vit, si krejt bota, e kur do të kthehej, ndoshta do ta gjente kalendarin në faqen që e kishte lënë para një muaji, nuk do ta ndërronte, do të ia kujtonte atë që kishte përjetuar këto ditë.   Por Maria mbetej pozitive, ashtu edhe me letra kishte dalur.

Ajo nga shtëpia e saj ku ishte strukur, duke pritur që të kaloj furtuna, e mendonte Marinë që dilte me valixhe nga hoteli, që hipte në taxi. Ajo shkonte, me vete merrte parantezën, lodhjen e ëmbël, gjumin, zjarrminë, ajrin, frikën, qetësimin, ritmin e ngadalësuar, nevojën për njerëz, nevojën për vetminë, merrte një vit, që kishte nisur duke mbaruar dimri. Ajo, atje në fshatin e saj, ishte kthyer aty, ku ishte një vit më parë, ku sikur sot, ishte mbyllur, me ata, bashkë. Ishte kthyer atje ku kishte ikur kur gjithçka filloj. Ajo, por edhe Maria, gjithë kohën kishin dashur të jenë atje kur ishin këtu.

 “Po e lëshoj dhomën time që më është shndërruar në burg.” i kishte thënë asaj në telefon. Maria shkoi. Maria e dinte se çka është liria./ KultPlus.com

Të ngjajshme