Mario Vargas Llosa: Dashuria është eksperienca më e pasur, që një qenie njerëzore mund të përjetojë

9 Dhjetor, 2018 - 1:30 pm

Në moshën 82 vjeçare njeriu i quajtur si titani i fundit i letërsisë hispanike pohon se ka shkruajtur çdo mëngjes të jetës së vet. I shquar për luftën e tij të palodhur kundër nacionalizmit dhe populizmit, artikulli thekson se Llosa mbetet një nga mbrojtësit e lirisë individuale dhe demokracisë në botën latine dhe sulmet e tij kundër autoritarizmit kanë fituar një numër të madh armiqsh përgjatë viteve singa konservatorët ashtu edhe nga socialistët. Shkrimtari pohon se dhuna familjare që ka vuajtur në fëmijëri nga i ati e kanë bërë që të strehohej në letërsi dhe poezi.

Ishte ky baba abuziv që me besimin se letërsia ishte një pasaportë për dështimin në jetë dhe që romanet ishin vepër e bohemianëve dhe homoseksualëve vendosi ta dërgonte djalin e vet 14 vjeçar në një akademi ushtarake me qëllim që të rikonsideronte prioritetet. “Im atë mendoi se shkolla ushtarake do të ishte një kurë për letërsinë dhe për ato aktivitete që ai i konsideronte margjinale, por që në të vërtetë më dha temën për romanin tim të parë.” “Qyteti i qenve” u publikua në 1963 dhe mbetet edhe sot mjaft i gjallë për shkak të temës së intimidimit dhe ngacmimeve që ka në mjedisin ushtarak. New York Times heq paralele mes karrierës së Vargas Llosas me atë të Gabriel Garsia Markezit që së bashku me Kortazarin, Karlos Fuenten, Hoze Danozon, Huan Rulfon, Migel Asturiasin dhe Guilliermo Kabrera Infanten kanë qenë pjesë e një transformimi letrar në botën latinoamerikane.

Artikulli thekson se ndërkohë që realizmi magjik i Garsia Markezit e ka fituar një vend në bibliotekën dhe studiot e amerikanëve, punët më të errëta të Vargas Llosës kanë qendruar në plan të dytë. Pozicionimi i tij si shkrimtar më demokratik ka bërë që të shquhet si një mbrojtës i të drejtave të homoseksualëve dhe të zgjedhjeve të lira mes kauzave të ndryshme. Në ndryshim nga Markezi që u kthye në një përkrahës të Fidel Kastros, Llosa ndryshoi pozicionimin e tij mbi revolucionin në Kubë me kalimin e kohës. Sipas New York Times-it ai i dërgoi një letër private Kastros ku i shprehte pakënaqësinë, shkrimtari mblodhi kolegët dhe miqtë, mes tyre Kortazarin, Simone de Beauvoir, Zhan Pol Sartrin për të redaktuar atë që do ta publikonte në “Le Monde”, kartën e tij emblematike me titull “Çështja Padila” ku denonconte burgimin dhe gjykimin e poetit Heberto Padilla. Pas këtij episodi shkrimtari do të shihej si një referent ideologjik që shkonte kundër rrymës, pavarsisht nga ajo që pritej nga një intelektual i asaj epoke.

Llosa shprehet edhe për fundin e martesës së tij 50 vjeçare me Patricia Llosan, nënën e tri djemve të tij, për të filluar një marrëdhënie me Presley-in. “Dashuria është përvoja më e pasur që një qenie njerëzore mund të përjetojë. Nga ana tjetër është një çështje private dhe nëse bëhet publike ka çmim të lirë, plot me vende të zakonshme. Prandaj është kaq e vështirë të shkruash për dashurinë në letërsi. Besoj se një person nuk duhet të flasë për dashurinë meqë është diçka kaq e rëndësishme në jetë”, – shprehet duke u distancuar nga ajo që në dukje i detyron të famshmit të ventilojnë të gjitha aspetet e jetës së tyre private në mënyrë që bota t’i zhveshë. / Burimi: noticiasvenezuela – bota.al/ KultPlus.com

Të ngjajshme