26 Janar, 2025 - 5:00 pm
Përgjatë 48 viteve krijimtari, vendlindja ka qenë gjithnjë një element i rëndësishëm në veprat e shkrimtarit nga Tropoja, Besnik Mustafaj. Fryma e vendit të origjinës ndihet te personazhet e Mustafajt, përmes të cilëve ai përcjell mesazhe politike dhe kulturore.
Në një takim të veçantë me temë marrëdhëniet e shkrimtarit me vendlindjen përmes veprës letrare, dhjetëra tropojanë e personalitet të njohura nga vendi dhe diaspora u mblodhën me ftesë të Shoqatës ‘Tropoja’.
Botuesi, Bujar Hudhri thotë: “Besnik Mustafaj i ka ndenjur besnik letërsisë së tij dhe prandaj është kaq i përkthyer. Është ndër më të cituarit nga letërsia e sotme shqipe, sepse e nisi si poet dhe erdhi natyrshëm në prozë në kohën e duhur”.
Adil Neziraj, kryetar i Shoqatës “Tropoja”: “Shkrimtari më i madh pas Kadaresë, shqiptarin e nderuar me dhjetëra çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, shkrimtarin që na bën të ndihemi krenarë me krijimtarinë dhe emrin e tij”.
Shkrimtari, që u vlerësua me disa çmime dhe mirënjohje nga Lidhja Shqiptare në Borë, Shoqata Tropoja e Shoqata e Alpeve Shqiptare, theksoi rëndësinë e trashëgimisë së gjuhës dhe vlerave shqiptare.
Besnik Mustafaj: “Një shkrimtar i vetëdijshëm, që merr parasysh edhe pikën e nisjes dhe pikën ku do të mbërrijë, nuk mund ta shpërfillë vendlindjen. Tropoja është për mua… njerëzit që kanë ndikuar më shumë tek unë janë gjyshërit, nëna, babai. Është një vepër që flet për Shqipërinë dhe besoj se të gjithë lexuesit duhet ta kenë prioritet letërsinë shqipe sepse është pasqyra e vetvetes”./oranews/ KultPlus.com