Martin Hajdeger, filozofi i qenies

4 Janar, 2020 - 11:00 pm

Ai mbante gati gjithmonë një xhaketë me prerje te pazakontë, që dukej si xhaketë e ushtarakëve apo e zbuluesve; kishte një jakë që ngjitej deri tek qafa, me dy të kthyera të gjera e te drejta nga të dy anët dhe mes njerëzve ai mbante një lloj sjellje provokuese, të sigurt në vetvete dhe gati për tu hedhur në mbrojtje sikur të ndjehej se mund ta sulmonin nga çasti në çast.
Sytë I kishte të zinj, mbizotërues dhe në të njëjtën kohë tepër masaprovues si të mos I pëlqente ta shihte botën që e rrethonte të larë nga dielli.

Dukej se nuk I kishte të lehta maredhëniet me njerëzit. Por, kishte plot dishepuj.
I lindur në 1889 në rajonin Blek Forest te Gjermanisë, Hajdegeri u shkollua në fillim në Kostancë dhe Frajburg dhe u prezantua me filozofine ne moshën 17-vjeçare kur prifti I kishës së tij I dha librin e Franz Brentanos me titull “Mbi kuptimin e shumfishtë të qenies sipas Aristotelit”.
Në universitetin e Frajburgut ai fillon studimet në teologji, por pas katër semestrash ndikohet nga Huserli, prandaj e ndryshoi fushën kryesore të studimit në filozofi. Pas përfundimit të disertacionit dhe të disa studimeve më të avancuara, Hajdegeri bëhet asistent I Huserlit deri në emërimin e tij më 1922 si asistent profesor në universitetin e Marburgut.
Këtu ai vazhdon studimet për Aristotelin, formulon një interpretim të ri të fenomenologjisë dhe punon mjaftë mbi një dorëshkrim që do të bëhet libri I tij më I famshëm. Me qëllim që të lehtësonte ngritjen në pozitë, dekani I universitetit të Marburgut e shtyn ta botojë këtë dorëshkrim. Në vitin 1927, duke e lënë atë qëllimisht të papërfunduar, Hajdegeri nxitoi të botojë librin e tij me titull Qënia dhe koha.
Ky libër pati ndikim aq të madh sat që konsiderohej si burimi themelor I ekzistencializmit modern. Një vit më vonë Hajdegeri zgjidhet si pasardhës I Huserlit në katedrën e filozofisë në Frajburg. Në vitin 1933 emërohet Rektor I Universitetit dhe për një kohë të shkurtër ai bëhet anëtar I Partisë Naziste. Në më pak se një vit, më 1934, ai jep dorëheqjen si rektor dhe dhjet vitet e ardhëshme drejton kurse që kritikojnë interpretimin nazist në filozofi. Ai futet në “MIlicia Popullore” që pasi ishte deklaruar në vitin 1944 si anëtari “më I shtrenjtë” në fakultetin e Frajburgut, forcat pushtuese franceze nuk e lejojnë ti kthehej mësimdhënies së tij deri në vitin 1951, një vit para daljes së tij në pension.
Edhe pas daljes në pension, ai boton një numër esesh dhe interpretimesh të historisë, duke përfshirë dy vëllimet studimore mbi Niçen dhe veprën e tij të fundit “Çështja e të menduarit”. Hajdegeri vdiq në 1976 në Frajburg< në moshën 86-vjeçare.
Disa nga shkrimet e tij të mëvonshme, si p.sh. “Udha e jetës time”, “Kujtime” apo “Rruga ime e Fenomenologjisë” nxjerrin më në pah jetën dhe personalitetin e tij shumë aspektësh, duke paraqitur detaje biografike në lidhje me jetën e Hajdegerit, edukimin, aktivitetin akademik dhe ndikimin e mendimtarëve të tjerë mbi të. Ndërkohë që esetë “Pse jetoj në një provincë” dhe “Shtegu” shfaqin qartë dëshirën e Hajdegërit për njëjtësimin me natyrën, të cilën çdonjëri mund ta përjetojë vetëm në jetën e qetë, të thjeshtë e të patrazuar të fshatit, një ambient ky natyral që I dhuroi atij vetminë dhe hapësirën e domosdoshme për kërkimin filozofik.

II. MARTIN HAJDEGER : FILOZOFI I QENIES

Ka një kthesë apo një ndryshim në një periudhë të caktuar në mendimin hajdegerian, kur ai lëvizi nga faza e hershme në atë të vonshmen, d.m.th. Hajdegeri I, dhe Hajdegeri II, megjithatë edhe ata vetë ndërmiet tyre ndryshojnë në lidhje me karakterizimin e natyrës së një lëvizjeje të tillë. Kështu Hajdegeri II është një shpjegim dhe një interpretim I Hajdegerit I nga prespektiva e qënies.
Për Hajdegerin, ky ndryshim nuk përfaqesonte as një çarje në mendimin e vet, asnjë braktisje të këndvështrimit të hershëm për atë të mëvonshmin. Ai thotë: “kjo kthesë nuk është një ndryshim I këndvështrimit nga ku u trajtua “Qenia dhe Koha”.
Fakti që Hajdeger donte ti bënte publike këto tema në paragrafin e pabotuar të “Qenia dhe Koha”, të titulluar “Koha dhe Qenia”, nga një prespektivë e ndryshme, përligj deklarimin se ndryshimi I përfytyruar në këtë kthesë ishte I pranishëm që në stadin më të hershëm të “Qenia dhe Koha”. Vetë Hajdegeri e qartëson këtë pikë kur thotë: “ çështja e shtruar për t’u menduar tek “Qenia dhe Koha”, në të vërtetë nuk ka ndryshuar edhe pas “kthesës”, ka ndryshuar veçse prespektiva me të cilën ajo është konsideruar.
Prandaj për Hajdegerin përmbushja e kësaj kthese “nuk është një kthim në pikën origjinale, një pozicion I ri, për më shumë një kthim në bazë mbi të cilën qarkorja e mendimit të tij ka qëndruar që nga fillimi.
Dy gjëra duket se kanë kontribuar në kthesën e mendimit Hajdegerian. Ato jane: Dështimi I “Qenia dhe Koha” për të qartësuar kuptimin e Qenies dhe perfshirja e Hajdegerit në politikë”. Tani tek “Qenia dhe Koha” Hajdegeri ngre çështjen e qenies dhe e analizon atë në lidhje me kohën duke e zgjidhur për këtë analizën ekzistenciale të Daseinit. Ndërkohë që Hajdegeri për termin (Dasein) në analizën e fundit, flet për të si për vetë_strukturuesen, etnitetin njerëzor.
Megjithatë, në qartësinë e natyrës së Daseinit , Hajdegeri dallon ndërmiet dy lloje të analizave, d.m.th. ontologjike-ekzistenciale dhe ontical-ekzistenciell. Pjesa e parë I referohet sferës së strukturave që e vënë theksin tek Daseini, ndërsa pjesa e dytë I referohet nivelit të veprimeve konkrete të ekzistences.
Pra, njeriu është ekzistenciell dhe ontic: Daseini është ai I cili formon “Da” e “Seinit” tek njeriu.
Hajdegeri I mëvonshëm e injoron këtë dallim, për të qartësuar këshu kuptimin e Qenies, që shfaqet në prioritetet ontic, ontologjik dhe ontiko-ontologjik. Në këtë orvatje ajo që bën pyetje është Daseini, ndërsa ajo që meret në pyetje është kuptimi I qenies.
Edhe pse ky ishte synimi I Hajdegerit, ai nuk arriti sukses, pasi u mor vetëm me analizat paraprake të Daseinit dhe marrëdhënien e tij me përkohshmërinë: d.m.th. “Koha dhe Qenia” nuk u shfaq sipas planit original, për shkak se Hajdegeri e tregoi hapur pamjaftueshmërinë e traktatit “Qenia dhe Koha” për të arritur detyrën e qartësimit të kuptimit të Qenies , në fundin e pjesëve të shkruara të “Qenia dhe Koha”…
Përveç dështimit të “Qenie dhe Koha”, përfshirja e Hajdegerit në jetën polotike ka mundësi të ket qenë një ngjarje tjetër që ndikoi në kthesën e pësuar në mendimin e tij. Hajdegeri, përveç të qenit një anëtar aktiv I partisë për 10 muaj, e mbështeti në mënyrë aktive veçanërisht në fjalimet publike në Universitetin e Freiburgut dhe përpara shumë grupe punëtorësh, Hitlerin dhe partinë nacional-socialiste.
Ai besonte se me reputacionin kombëtar dhe ndërkombëtar që kishte si një filozof I madh, mund të bënte diçka për të ndryshuar fatin e Gjermanisë për më mirë. Do të kishte qenë gabim për çdo person,ashtu si edhe për Hajdegerin, që të mos bërtiste për kombin e tij që po shkonte drejt një trazire të tillë. Si një qytetar patriot, ai duhet të jepte patjetër kontributin e vet në drejtimin shpirtëror të kombit Gjerman, e ndoshta kjo ishte ajo çka I gjithë kombi shpresonte nga një mendimtar I shquar si Hajdegeri. E pikërisht ashtu siç u përpoq Platoni të krijonte një mbret-filozof nëpërmiet mbështetjes dhe edukimit të vërtetë, Hajdegeri mendoi se situate e veçanë politike e Gjermanisë në vitin 1933, e thirri atë të drejtonte klasën politike të asaj kohe. Ky mund të jetë shkaku që e shpuri Hajdegerin të përkrahte Hitlerin dhe Partinë e tij Nacional-Socialiste, si forca politike mbizotëruese në vitin 1930.
Përfshirja e Hajdegerit në situatën politike në Gjermani , e mundësoi atë të kuptonte në mënyrë eksperimentale, rrezikun e mendimit subjektiv, të karakterizuar nga vullneti për pushtet që ishte aktivizuar në ideologjinë Naziste të Hitleritdhe që ai vetë ishte përpjekur ta shpjegonte tek “Qenia dhe Koha”. Kjo e çoi atë drejt një kthese në mendimin e tij, dukie idhënë kështu mundësi ta trajtonte çështjen e Qenies nga një prespektivë e re.
Në një letër drejtuar William Richarsdson , ai shprehet…
“Ideja e ndryshimit ishte tashmë në mendimin tim 10 vjet përpara 1947”. Ajo nuk është e lidhur vetëm me zhvillimin intelektualtë Hajdegerit, por kushtëzohet nga përfshirja e tij politike. Kthesa në mendimin hajdegerian solli ndryshime domethënëse në perceptimin e kërkimit filozofik, detyrës së filozofisë dhe mënyrës së përdorimit të gjuhës.
Martin Hajdegeri është filozofi I Qenies.interesi kryesor për të ishte kuptimi I qenies. Pra në prespektivën hajdegeriane , qëllimi përfundimtar I ekzistencës së Dasein-it është përjetimi I Qenies. Kësisoj Daseini nuk është thjesht një qenie në botë, por qënie e Daseinit te jetë një qenie e hapur mdaj Qenies. Për rrjedhim, Dasein nuk mund të largohet nga “ekzistenca e vet në botë”,përkundrazi ai është thirrur të kapërcejë qenien e vet të mëparshme e të jetë një qenie-për-Qenien dhe e përfshirë në proçesin e përjetimit të Qenies.
Kushti themelor ose gjendja themelore e njeriut (Daseinit) është qenia në botën e tij. Për këto fjalë të njohura, qenia në botë, Hajdeger parashtron analizën dhe interpretimin e tij të ri, duke hedhur dritë mbi natyrën thelbësore të Daseinit (njeriut). Ai na fton të mendojmë rreth përvojave tona të zakonshme të përditshme, që ai I quan “e përditshmja e përditshmja e zakonshme mesatare” si hapi I parë në zbulimin e mënyrës sesi njihemi më nga afër me botën. Të jeshë në botë si Daseini, nuk është e njëjta gjë si jë gjë që është tek një tjetër, si uji në gotë ose rrobat në dollap. Daseini, d.m.th. njeriu , është në botë në kuptimin e të banuarit në të , ose të të qënurit I njohur me të, ose “ unu kujdesem për diçka” .
Në përpjekjet për të sjellë një sferë transendentale nën kontroll të tij, njeriu përpiqet të shfytëzojë tokën, të kontrollojë qellin, të zëvendësojë zotin , për konceptet e veta metafizike dhe rracionale dhe ta paraqes veten si kurimi përfundimtar I çdo gjëje duke mohuar kështu natyrën etij të vdekshme. Mëtej, duke bërë këtë gjë, njeriu përpiqet ti provojë vetvetes që nuk ka trashendencë përtej dhe sipër tij. Në një kohë që Martin Hajdeger I drejtohet njerëzve të kohës së sotme përmes filozofis së Qenies. Ai lëshon mesazhin se fati I vërtetë I njeriut arrihet vetëm atëherë kur ai lëviz nga jeta e tij e shqetësimit dhe e hapjes ndaj vetes për tek misteri I Qenies së manifestuar në histori. Pra njeriut I duhet vetëm të arrijë në këtë mënyrë të shikimit të gjërave, për të dalluar e zbuluar vetë-dhuratën e Qenies. Misteri I Qenies arrin të zbulojë vetë vetveten ne duhet vetëm të mësojmë të presim siç thotë Hajdegeri “të jemi në rrugë”.
Sipas Hajdegerit, arsyeja mbi botën e ndarë dhe shumë-polare. Është se njeriu e ka harruar për shekuj të tërë këtë sferë të kaherëshme të Qenies, që është “shtëpia” që bashkon të gjithë të kundërtat, e në të njëjtën kohë duke I dhënë secilit ndryshimin dhe të qenit unik. Duke humbur takimin në këtë fushë, njeriu ka haruar unitetin original të gjithçkaje në Qenie.
Hajdegeri perfytyroi një botë të qytetëruar në të cilën lindja, perëndimi, veriu, jugu, te bardhë, të zinj, me ngjyrë tjetër të jetojnë një jetë të përbashkët, pamvarësisht dallimeve. Ai besoi se bota e qytetëruar mund të bëhet një “shtëpi” për të gjithë, jo nëpërmiet uniformitetit teknik ose të ndonjë lloji tjetër të unitetit sipërfaqësor apo skajor, por vetëm nëpërmiet rizbulimit të unitetit origjnal të të gjithëve në sferën ( mbretërinë) fillestare të Qenies. Pasi , njerëzimi deri atëhere kur te mos bëjë një hedhje në këtë fushë fillestare të unitetit themelor , kurr nuk do të arrijë ta aktualizojë idealin e tij të bashkimit.
Nga ana tjetër, ai ishte I bindur se nëse njeriu ndjek këtë rrugë, ai do të bëhej patjetër mendimtar I Qenies, banor në afërsi të Qenies dhe kërkuesi I së vërtetës tek Qenia. Pasi vetëm si një mendimtar I Qenies, njeriu do të lëvizë edhe përtej mendimit përfaqësues apo natyrës mbizotëruese të teknicitetit. Pasi vetëm kështu ai do të ketë mundësi të rregullojë marëdhëniet e tij me etnitetet sipas një prespektive të drejtë, duke qenë I hapur ndaj misterit të Qenies.

III. Ç’ËSHTË METAFIZIKA

Njëra ndër temat kryesore të filozofisë së ekzistencës së Hajdegerit, është kritika e metafizikës. Kritika e metafizikës, sipas Hajdegerir është bazuar për të kuptuar drejt çështjen e Qenies. Mënyra metafizike e të menduarit, sipas Hajdegerit, nuk pyet sesi esenca e njeriut është e lidhur me të vertetën e Qenies , se njeriu është krijues I botës lëndore, (homo faber), në të cilën jeton. Kjo mënyrë e të menduarit sipas Hajdegerit e harron vet nocionin e qenies së njeriut, njeriu nuk pyet për vetveten, për kuptimin që ka ekzistenca e tij. Metafizika është një formë e humbjes së vetëdijes së njeriut ndaj vetvetes. Kjo metafizik, subjekti dhe objekti shqyrtohen si dy entitete te pavarura.
Ndersa sipas Aristotelit metafizika apo, “filozofija e parë” është shkenca më e lartë teorike më e mirë dhe më hyjnorja se cila do shkencë tjetër. Shumë shkenca janë shumë më të dobishme se metafizika , por asnjëra nga ato nuk është dhe s’mund të jetë më e mirë se ajo thotë Aristoteli në veprën “Metafizika”. Metafizika apo “filozofija e parë” është teori filozofike për Qeniet në përgjithësi, për Qeniet si Qenie apo për shkakun e pare. Me fjalë të tjera metafizika I studjon parimet dhe shkaqet e ç’do gjëje ekzistuese. Ndryshe nga filozofia e Platonit, e cila merret me studimin e ideve si abstraksione si Qenie ideale, metafizika e Aristotelit është realiste sepse ajo e pranon eksistencën e qenieve të njëmendta dhe I bën objekt kryesor të studimit.
Aristoteli duke e përkufizuar filozofin si shkencë për të vërtetën kërkon që ajo të iteresohet për qenien si qenie-shkakun e parë. Qenia si qenie apo qenien Aristoteli e quan ssubstancë. Qenia në vetvete apo substance është e pandryshueshme sepse mbetet qenie e gjatë tërë ndryshimeve. Qenia si qenie, bën që sendet të ndryshojnë , ndërsa vetë mbetet e pandryshueshme.
Emir “metafizikë” rrjedh nga greqishtja “meta ta physika” – ( që do të thotë pas fizikës) . ky emërtim I veçantë u interpretua më pas si karakterizues I të gjitha hetimeve, meta ose të shtrira tjetërsisht sipër Qenieve sit të tilla . Në këtë kuptim metafizika përfaqëson hetimin përtej ose të qenieve me qëllim mbulimin e qenieve si një e tërë në vetvete dhe bërjen e tyre të parrokshme nga ana e mendimit tonë .
Për një kohë të gjatë metafizika e ka shprehur asgjënë me anë të një pohimi qartësisht të lakueshëm për më shumë se një kuptim : ex nihilo nihil fit-prej asgjësë, asgjëja vjen.
Metafizika antike e përfytyron asgjënë në kuptimin e mosqenies, d.m.th.të materies së paformuar, të materies që nuk mund të marrë formë si një qenie e aftë për të formuar një pamje apo një aspekt të jashtëm. Të jeshë qenie do të thotë të jeshë një :Formë e vetë-formuar (eidos) që arrin ta tregojë veten si e tillë nëpërmiet një imazhi. Ndërkohë që origjina , legjitimiteti dhe kufizimet e një kapaciteti të tillë të Qenies janë po kaq pak të diskutuara sa dhe asgjëja në vetvete. Nga ana tjetër, dogma kristiane e mohon të vërtetën e pohimit “ ex nihilio nihil fit” , duke I dhënë kështu asgjësë një domethënie të transformuar, kuptimin e një mungese tërësore të qenieve veçan Zotit : Ex nihilio fit-en screa-tum ( prej asgjësë vjen – Qenia e krijuar). Kësisoj asgjëja në kundër-konceptin e Qenies më të lartë, ( summum ens) pra të zotit si një Qenie e pakrijuar si qenie ( ens increatum ) . kështu, asgjëja nuk mbetet e kunërta e papërcaktuar e qenieve , por e zbulon vetveten si diçka që I përket Qenies së qenieve.
“Qenia e kulluar dhe Asgjëja e kulluar , janë e njëjta gjë”. Qenia dhe asgjëja , I përkasin njëra tjetrës , jo sepse të dyja nga pikëpamja e konceptit hegelian të mendimit përputhen në papërcaktueshmërinë dhe drejtpërdrejtshmërinë që zotërojnë, por më tepër se Qenia në vetvete është thelbësisht e fundme dhe e zbulon vetveten vetëm në transhendencën e Daseinit si të ruajtur për asgjënë.
Ekzistenca njerëzore mund të lidhet me qenien vetëm nëse e ruan vetveten për asgjënë. E të shkuarit përtej qënieve ndodh vetëm në thelbin e Daseinit. Ndërkohë që kjo e shkuar përtej, në vetvete është metafizika, duke nënkuptuar që metafizika I përket “natyrës së njeriut”. Ajo nuk është asnjë ndarje e filozofisë akademike e asnje fushë nocionesh arbitrare. Metafizika është ngjarja bazë e Daseinit. Është vetë Daseini. E për shkak se e vërteta e saj banon pikërisht mbi këtë “ngrehine” të pathemeltë, ajo qëndron ngushtësisht në afri me rënien vazhdimisht të mundshme në kurthin apo pusin e gabimit më trashanik. Për këtë arsye, kurrëfarë mase e rigoroziteti shkencor s’ia del dot mbanë seriozitetit të metafizikës. Aq më tepër që filozofia nuk mund të matet kurrë në bazë të standartit të idesë së shkencës.
“Pasi prej natyre, mendja e njeriut banon tek filozofija”. E për aq gjatë sa njeriu ekziston , tek ai do të ndodhë përherë një lloj filozofimi. Kësisoj filozofija d.m.th. ajo që ne e quajmë filozofi – është metafizika që arrin të përmbushë qëllimet, në të cilët filozofija vjen tek vetvetja dhe tek detyrat e saj më esenciale. Ndërkohë që filozofija arrin ti plotësojë këto detyra , vetëm në saj të një ndërhyrje të veçantë të ekzistencës sonë në mundësitë themelore Daseinit si një e tërë. E për të realizuar këtë ndërhyrje është një rëndësi vendimtare : së pari, që ne të lëmë hapësirë, për qëniet në tërësinë e tyre ; së dyti, që ne të çlirojmë vetveten prej atyre idhujve që ka brënda vetes çdokush prej nesh e ndaj të cilëve çdokush dëshiron të përulet; e së fundi, që ne ta lëmë gjëndjen tonë të shqetësuar të gufohet deri sa të zërë gjithë hapsirën që I nevojitet , në mënyrë që ajo të na kthejë më pas, në pyetjen bazë të metafizikës që na e detyron vetë asgjëja në vetvete. “ Pse ka gjithçka dhe nuk ka asgjë”.

IV. THELBI I SË VËRTETËS

Tek kritika e arsyes së kulluar, Kanti kishte nxjerrë në dritë parakushtet e përgjithshme subjektive të çdo përvoje dhe të çdo shkence. Tani , Hajdegeri kërkon tek Daseini parakushtet e çdo kërkimi për të vërtetën si një hetim mbi Qenien e asaj që është. Meqënëse këtu duket sikur është vetë Daseini që është vënë në diskutim, Hajdegeri zhvillon një lloj analize refleksive të aktivitetit transhendental, sipas të cilit çështja e së vërtetës nuk mund të jetë shtruar në mënyrë autentike veçse Daseini që e shtron , duke fituar ndërgjegjen e “qënies së vet – për – vdekjen”, për projektin dhe ankthin e tij, e ka kryer shkëputjen nga situata taktike në të cilën ndodhet dhe është orjentuar drejt ekzistencës.
E vërteta, pra qoftë çështje apo propozim, është ajo që përputhet. Ndërkohë që, e vërteta dhe të qenurit I vërtetë nënkuptojnë kështu përputhshmërinë në një sens të dyfishtë . Nga njëra anë pajtueshmërija (akordin) ne çështjes në atë që supozohet që më parë në lidhje me të dhe nga ana tjetër përputhshmëri në atë që thuhet në pohimin që lidhet me këtë çështje.
Përkufizimi I mësipërm parashtrohet zakonisht në formulën : veritas est adaequatio intellectus ad rem (e vërteta është përshtatshmërija e intelektit ndaj sendit). Mëgjithatë, e vërteta e përfytyruar në këtë mënyrë , ose ndryshe , e vërteta e propozuar, është përsëri e mundshme vetëm mbi bazat e së vërtetës materiale të adaequatia rei ad intellectuc ( të përshtatshmërisë së sendit ndaj intelektit).
Veritas si adaequatio rei ad intellectium nuk nënkupton konceptin e fundit transhendental të Kantit ngritur sipas të gjitha gjasave mbi bazat e subjektivitetit të thelbit të njeriut se “objektet” u shkojnë konform dijeve tona. Më tepër ai nënkupton besimin teologjik kristian që , përsa I përket asaj se çfarë është e nëse është, një çështje , si e krijuar (ens creatum) ekziston për aq sa ajo arrin ti korespondojë idesë së paraperfytyruar për të në intellectus divinus, d.m.th. në mëndjen e Zotit, e rrjedhimisht, duke qenë në lartësinë e kësaj ideje, në këtë sens është dhe I “vërtetë”. Nga ana tjetër , edhe vet intellectus humanus është një ens creatum, pra diçka e krijuar ; e si një kapacitet I dhënë njeriu nga Zoti , ai pa dyshim që mund ta kënaqë idenë e tij , por sidoqoftë edhe kuptimi në vetvete mund të arrijë të matet a të ngrihet në lartësinë e idesë vetëm nëpermiet përmbushjes në propozimet e veta të korrespondencës së saj që është menduar për kete çështje , e cila nga ana e vet duhet të jetë në konformitet me idenë. nëse të gjitha qeniet janë “ të krijuara” , atëhërë mundësija e së vërtetës së dijes njerëzore bazohet në faktin se çështja dhe propozimi I ngritur në lartësinë e idesë – pikërisht për këtë arsye dhe falë së njëjtës mënyrë- I shkojnë për shtat njëra tjëtrës bi bazën e unitetit të planit hyjnor të krijimit.
Kësisoj, veritas si përshtatje e sendit (të krijuar) ndaj intelektit (hyjnor) garanton veritas si përshtatje e intelektit njerëzor ndaj sendit. Ndaj, kudo, veritas nënkupton thelbësisht volitshmërinë, ardhjen e qenieve në vetvete – si të krijuara – në një ujdi me krijuesin, një “akord” në lidhje me mënyrën sipas së cilës ato janë përcaktuar nga rregulli I krijimit.
Bota sipas Hajdegerit nuk mund të njihet, por vetëm mund të kuptohet. Njeriu në ekzistencën e tij kupton se qenia dhe asgjëja janë të lidhura në mënyrë të pandashme. Me fjalë të tjera njeriu kupton se është qenie për vdekje, të cilit fat nuk mund ti shmange. Lirinë e tij njeriu duhet ta shfrytëzojë që trimërisht të durojë fatin e tij përkatësisht të luftojë vdekjen. Pra njeriu asnjëherë nuk mund të realizojë esencën e vet njerëzore, pasi ajo është gjithmonë e dhënë.
Liria është thelbi I së vërtetës që të mund të realizohet çfardollojë akti, e për rrjedhim edhe akti I një përcaktimi prezantues, qoftë ky në përputhje ose jo me një “të vërtetë”, aktori duhet të jetë medoemos I lirë . ndaj shtrohet pyetja: si lipset të mendohet ky thelb I lirisë ? Ajo çka është e hapur , ajo së cilës I korespondon si korrekte një pohimi prezantues është pikërisht Qenia e hapur ndaj një sjellje të hapur. E kjo sepse vetëm kështu, liria për atë çka është e hapur në një rajon të hapur I lejon qenieve te jenë ato qe janë dukë bërë që lirija ta nxjerrë veten në pah si një lënie e qenieve të jenë vetvetja.
Në fakt ende e pakuptuar , jo vetëm në përvojën e saj për të pasur një bazë mbështëtëse esenciale, ek-zistenca ( në kuptimin eksistencë) e njeriut historik fillon në atë moment kur mendimtari I saj arrin të mbaj një qëndrim ndryshues në lidhje me mos-fshehjen e qenieve, duke pyetur: Ç’janë Qeniet ?
Qenia si një e tërë zbulon kështu veten si physis, si “natyrë” pa arritur ende të nënkuptojë një sferë të veçantë të qenieve, për më tepër qeniet në vetvete si një e tërë , e specifikisht në sensin e pranis së sapo shfaqjes së tyre. Historija fillon vetëm atëherë kur vet qeniet do të arrijnë të qëndrojnë qartë dhe hapur në mos fshehshmërinë e tyre duke ruajtur në të , dhe vetëm atëhere kur kjo e fundit të përfytyrohet mbi bazën e pyetjes që ka të bëjë me qeniet si të tilla në vetvete.
Mirëpo , nëse Daseini eksistent , që I lë qeniet të jenë vetevetja , e le dhe njeriun të lirë për “lirinë” e tij , duke I afruar së pari, sipas zgjedhjes së vet, diçka të mundshme (një qenie) dhe duke diktuar mbi këtë diçka të domosdoshme, atëherë lipset të themi se kapriçoja njerëzore nuk duhet ta ketë lirinë në dispozicion të vet. Njeriu nuk e “zotëron” lirinë si një pronë . Në rastin më të mirë ndodh e kundërta : lirija , Daseini eksistent, zbulues, janë ato që e zotërojnë njeriun – e kaq origjinalisht, saqë vetëm ato arrijnë të sigurojnë për njerëzimin atë lidhje të dallueshme të qenies me veten me qenien si një e tërë, pikërisht aty, pra ku ka ngritur për së pari themelet e saj gjith historija. Sepse vetëm njeriu eksistent është historik. “Natyra” nuk ka kurrfar historije.
Lirija , e kuptuar si një lënie e qenieve të jenë vevetja, shfaqet atëhere si përmbushja dhe konsumimi I thelbit të së vërtetës në sensin e zbulimit të qenieve. Mirëpo, (e vërteta) nuk është nje veçori e formulimeve korrekte që I bashkëshoqërohen një objekti nga një “subject njerëzor” e që janë patjetër të vlefshme diku , por se në të cilën sferë ne ende se dijmë. Përkundrazi e vërteta është zbulimi I qenieve përmes së cilës manifestohet esencialisht një hapje e ku të gjitha sjelljet dhe qëndrimet njerëzore janë të ekspozuara në një rajon të hapur. Ndaj mund të themi se njeriu gjendet përherë në një lloj mënyre të ekzistencës. Që njeriu të ekziston (eksist), këtu nënkupton që për humanitetin historic, histiorija e mundësive te tij thelbësore është e ruajtur në zbulimin e Qenieve si një e tërë. Ndaj, dhe të rrallat e të thjeshtat vendime të historisë lindin pikërisht prej mënyrës se si shpaloset esencialisht thelbi original I së vërtetës.
Si angazhim në zbulimin e qenies si një e tërë në vetvete lirija arrin tashmë të sintetizojë të gjitha sjelljet ndaj qenies si një e tërë. Megjithatë, të qenit në sintoni nuk mund të kuptohet kurrë si një ndjenjë dhe “përjetim”, sepse përndryshe ajo do të privohet kështu nga vet thelbi I saj. e kjo , pasi të qenit në sintoni, d.m.th. ekspozueshmërija eksistente ndaj qenieve si një e tërë, mund të projektohet si eksperiencë dhe të “ndihet”, vetëm për shkak se njeriu I cili “përjeton” këtë eksperiencë, pa qenë I vetëdijshëm për thelbin e sintonizimit, të jetë gjithmonë I angazhuar përgjatë të qenit në sintoni, në një mënyrë të atillë që të arrijë ti zbulojë qeniet në vetvete si një e tërë.
Megjithate ajo ç’ka realizon këtë akord duhet thënë se nuk është asgjë, por përkundrazi, fshehja e qenies si një e tërë. E përpikmërisht, pse të lënit të-jenë I lë qeniet të jenë gjithmonë në një sjellje të caktuar që lidhet me to rrjedhimisht edhe duke I zbuluar ato ajo arrin të kryej edhe rolin e fshehjes së qenieve si një e tërë. Kësisoj, të lënit të qenieve të jenë qenësisht, është në të njëjtën kohë edhe fshehje. Domethënë në lirin eksistente të Daseinit gjithashtu edhe fshehja e qenies si një e tërë. Këtu pra, gjendet fshehja.
E vërteta sipas Hajdegerit është zbulim dhe vshehje: prandaj të demostrohesh nga diçka në dritë me të qenet dhe duke u nisur nga kjo qenie dhe si e prejardhur nga të qenët, por në masën që qenia tërhiqet , të fshihet , duke I lënë gjërat të jenë jo si përbërja e saj po për atë që është. Prandaj e vërteta sjell si zbulimin ashtu edhe fshehtësinë. Meqenëse zbulimi sinjifikon para së gjithash , heqjen nga fshehtësija, sipas Hajdegerit ka ndodhur që fshehtësija sado që të jëtë hequr dhe e vërteta të ishte menduar si p.sh. që nuk është fshehur , që është prezente dhe në dispozicion, e këtu subjekti mund të ndërhyjë lirisht dhe në mënyrë arbitrare. Pra si objekt manipulues e dominues.
Nga këtu rruga, në fund pa zgjidhje për të vazhduar tek metafizika, pra nga mendimi që Qenia mendon si ente e rizbuluar, nga shkenca e nga teknika, qeniet mund të bëjnë shumë mirë edhe pa të dhe ndërhyjnë në botë sikur bota të mos ishte tjetër veçse një minierë e madhe për tu shfrytëzuar : dhe nga këtu teknologjija e botës , shndërron ç’do ente ne instrument.
Lirija si lënie e qenieve të jenë është qenësisht një qëndrim përfundimisht, I hapur, që s’mbyllet asnjëhërë në vetvete. E gjithë sjellja bazohet në këtë qëndrim dhe mer prej tij drejtueshmërinë kah qenieve dhe zhvillimit të tyre. Megjithatë ky qëndrim priret kah fshehjes në këtë proçes arrin ta fsheh në vetvete duke e lënë të marrë përparësi e të zhduket brënda tij , njëlloj harrimi I misterit.

V. FUNDI I FILOZOFISË DHE DETYRA E TË MENDUARIT

Kuptimi I vjetër I fjalës “fund”, ka një domethënie të njëjtë me fjalën vend . “Nga një fund në tjetrin” do të thotë “njëri vend në tjetrin”. Kësisoj fundi I filozofisë është një vend, është vendi në të cilin e gjithë historija e filozofisë ka arritur të grumbullohet në mundësinë e saj më ekstreme. Ndaj, fundi si përmbushje nënkupton pikërisht këtë mbledhje këtë grumbullim. Përgjatë gjithë historisë së filozofisë mendimi I Platonit mbeti vendimtar, qoftë edhe I nryshuar tërësisht në formë. Metafizika është Platonizëm. Niçe e karakterizon filozofinë e tij si një Platonizëm të kthyer së prapthi. Ndërkohë, që në përkëmbimin përfundimtar të metafizikës , të realizuar nga Karl Marks , mund të themi se është arritur mundësija më ekstreme e filozofisë. Ajo ka hyrë në fazën e vet finale. E masa në të cilën mendimi filozofik vazhdon të orvatet ende, sot ka të bëjë vetëm me administrimin e arritjes së një rilindje epigonale dhe me varjacionet e kësaj rilindje.
Sidoqoftë , shkencat ende flasin rreth Qenies së Qnieve dhe supozimit të pashmangshëm të kategorive të tyre rajonale. Po sigurisht, që ato nuk shprehen kështu. Madje, edhe mund të mohojnë origjinën e tyre nga filozofija, pavarësisht se s’mund të bëjnë kurrësesi pa të. E kjo, pasi në qëndrimin shkencor të shkencave flet ende dokumenti I lindjes së tyre nga filozofija. Në një kohë kur fundi I filozofisë provon të jetë triumfi I qeverisjes së manipulueshme të një bote shkencoro-teologjike dhe një rregulli shoqëror të përshtatshëm për të. Në një kohë, kur fundi I filozofisë nënkupton fillimin e një qytetërimi botëror, të bazuar në mendimin europiano-perëndimor.
Pra, ne jemi duke menduar për mundësinë qe bota e qytetëruar e cila sapo e ka nisur zhvillimin e saj, të arrij të kapërcejë një ditë karaktërin teologjiko-shkencoro-industrial, si kriterin e vetëm të këtij qëndrimi të përkohshëm të njeriut në këtë kohë. E kjo mund të ndodhë jo përtej e përmes saj, por në saj të gadishmërisë së njeriut për një determinim që ska rëndësi në dëgjohet apo jo, por që I mjafton të flasë gjithmonë për fatin e tij si diçka që s’është vendosur ende. Se vërtet, është ende e paqartë nëse bota e qytetëruar, shpejt do të shkatërrohet befasisht apo do të arrijë të stabilizohet madje për një kohë të gjatë – pavarësisht se ky stabilizim do të jetë I tillë që nuk do të pushojë mbi diçka të qëndrueshme; përkundrazi, do ta ngrejë vetveten mbi një seri ndryshimesh, ku secili prej tyre do të paraqiste modelin më të fundit të kohës së vet.
Në kohën e sotmë filozofija, falë pëlqimit të saj, e ka drejtuar shprehimisht të menduarit “tek sendet në vetvete”.
Në thirrjen “drejt sendeve në vetvete” theksi bie tek “në vetvete”. E dëgjuar sipërfaqësisht ajo duket sikur përmban sensin e një mospranimi. Pra duhet të mos pranojmë lidhjet jo adekuate me çështjen e filozofisë. Madje edhe të folurit, thjesht rreth qëllimit të filozofisë, I përket pikërisht këtyre lidhjeve, po aq sa I përket atyre edhe raporti mbi rezultatet e mendimit filozofik. Aq më tepër që të dyja bashkë kurrë totalitetin real të filozofisë, sepse ky totalitet e shfaq vetveten vetëm në shndërrimin e tij si të tillë – gjë kjo që ndodh në prezantimin zhvillimor të çështjes së filozofisë. Në këtë prezantim, tema dhe metoda përkojnë me njëra-tjetrën; Nga Hegeli ky identitet u quajt ide. Pra vetëm me anë të idesë, çështja e filozofisë arrin të shfaqet në “vetvete”, pavarësisht se ajo është historikisht e përcaktuar si :subjektivitet. “Me ego cogito” (të Dekartit), – thotë Hegeli , “ filozofija vendoset për herë të parë mbi një bazë të qëndrueshme , ku ajo mund të ndihet e sigur “. E nëse me ego cogito, fundamentum absolutum arrihet të përftohet si një subjectum I dallueshëm, kjo do të thotë se : subjekti është hypokeimenoni I transeferuar në ndërgjegje, është ai I cili është vërtetësisht I pranishëm e që në gjuhën tradicionale, quhet paqartësisht “substancë”.
Kur Hegeli shpjegonte në këtë parathënie se : “ E vërteta ( në filozofi ) lipset të kuptohet e të shprehet jo si substancë , por pikërisht si subjekt” , kjo rrjedhimisht do të thotë se Qenia e qenieve, pra prezenca e saj që është e pranishme, manifestohet dhe është kështu një prezencë e plotë, vetëm atëherë kur ajo si e tillë, bëhet e pranishme për vetveten në Idenë absolute. Mirëpo, që nga koha e Dekartit, ide do të thotë perceptim, ardhje e Qenies tek vetvetja, e ndodhur kjo përmes dialektikës spekulative. Në një kohë që, vetëm lëvizja e idesë, metoda është ajo që përfaqësoj çështjen në vetvete. Thirrja “drejt sendeve në vetvete” kërkon në këtë mënyrë një metodë të duhur filozofike e të përshtatshme ndaj saj. Megjithatë, ajo çka sipas të gjitha gjasave mendohet të jetë çështja e filozofisë, lipset të vendoset që në fillim. Në këtë kuptim, çështja e filozofisë, si metafizikë, është Qenie e qenieve, prezenca e tyre në formën e subjektit dhe substancialitetit.
Ndryshe nga pranija e sendeve, qenia e njeriut përfshin vetëdijen e tij për qenien e tij. Ndryshe nga çekiçi që është thjesht një lloj sendi, njeriu thotë Hajdeger, “gjithmonë duhet të jetë ( d.m.tm. të realizojë ) qenien etij si të tijën” nëpërmiet së cilës ai nënkupton se njeriu është I vetëdijshëm për faktin se ai ndodhet përballë mundësisë që të jetë ose të mos jetë vetvetja e tij. Nëse ndokush e kupton ose nuk arrin ta kuptojë mundësinë e qenies vetvetja unikale, kjo është çështje që I përket tërësisht vendimit vetiak të gjithkujt. Me vetëdijen që ai ndodhet përballë këtyre mundësive, që duhet të marrë vendime; që mund të mos e kuptojë vetveten e vërtetë, njeriu bëhet I vetëdijshëm jo vetëm për qenien e tij, por edhe për vetë Qenien. Vetëm njeriu, ndryshe nga sendi, ka lidhje me qenien e tij, sepse vetëm njeriu e gjen veten si “të hedhur në botë” dhe që I duhet të zgjedhë se si të jetë. Për njeriun, të jetë vetja e vetme është një detyrë e vazhdueshme, që atij I është imponuar. Për më tepër, vetëm njeriu ka përjetime të tilla, aq të pranishme si : ankthi, frika, halli dhe shqetësimi për vdekjen. Këto përjetime njerëzore dhe të tjera si këto e shtyjnë njeriun të bëjë jo vetëm pyetjen e kufizuar per qenien e tij, por edhe pyetjen më të gjerë se ç’do të thotë të jesh.
I gjithë mendimi filozofik, që haptazi ose jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, ndjek pas thirrjen “drejt sendit në vetvete” është pranuar tashmë në hapësirën e lirë të hapjes, sëbashku me lëvizjen dhe metodën etij. Megjithatë, filozofija ende s’di asgjë për hapjen. Filozofija flet rreth dritës së arsyes, por nuk interesohet aspak për hapjen e Qenies. Lumenj natyralë, drita e arsyes, hedh dritë vetëm mbi hapshmërinë. Ajo vërtetë ka të bëjë me hapjen, por e formon atë aq pakë saqë e ndjen drejtpërdrejt nevojën e saj në qëllimin e të qenit e afërt për të ndriçuar atë çka është e pranishme në këtë hapje.
E gjithë metafizika, duke përfshirë edhe të kundërtën e vet, pozitivizmin, flet në gjuhën e Platonit. Fjala bazë e mendimit të tij, d.m.th. e prezantimit të Qenies së qenieve, është eidos; idea : dukja e jashtme nëpërmiet së cilës qeniet e tregojnë veten e tyre si të tilla. Ndërkohë, që dukja e jashtme, sido që të jetë, është një mënyrë e prezencës; E dukje të jashtme pa dritë nuk mund të ketë – Platoni e dinte mirë këtë. Megjithatë hapja e tillë si mbizotëruese për Qenien, nëpërmiet prezencës, në filozofi ka mbetur ende e pamundur, pavarësisht se për të është folur – madje saktësisht – që në fillimet e saj.
Diskutimi mbi të vërtetën e Qenies ka një domethënie të justifikuar në shkencën e logjikës së Hegelit, sepse aty e vërteta nënkupton sigurinë e dijes absolute. Megjithatë , edhe vetë Hegeli , po kaq pak sa Huserli e po kaq pakë sa e gjithë metafizika, nuk e shtruan ndonjëherë pyetjen e Qenies si Qenie, d.m.th. nuk e shtruan pyetjen se si mund të ketë një prezencë të tillë. Pasi , mund të ketë prezencë vetëm atëherë kur sunduese është hapja. Ndërkohë, që vetë hapja nga ana e saj është quajtur vërtetë me emrin aletheia, mosfshehje, por pa u menduar asnjëherë si e tillë.
Ndaj, kur unë pyes për detyrën e këtij mendimi, jo vetëm ky mendim në vetvete, por edhe vetë pyetja që ka të bëjë me të, bëhet parësisht e diskutueshme. Mirëpo, në këndveshtrimin e gjithë traditës filozofike kjo do të thotë që:
Ne ende kemi nevojë për një edukim të të menduarit tonë, e para së gjithash , kemi nevojë më parë të dijmë se çfarë do të thotë të jeshë I edukuar dhe I paedukuar në mendim. Në lidhje me këtë problem Aristoteli na jep një detaj zbulues në librin e tij të 4-ërt të metafizikës, duke thënë se : . . . “do të thotë të kesh një mendim të paedukuar në rastin se nuk sheh se kur është e nevojshme të kërkohet një provë dhe kur jo”.
Vetëm kështu detyra e të menduarit do të qe dorëzimi të menduarit të mëparshëm tek determinimi I çështjes së të mënduarit.

 Përgatiti: Blerina Zimberi /KultPlus.com

Të ngjajshme