27 Janar, 2024 - 4:56 pm
Në fillim të viteve 1930, Heidegger-i nisi të merrej me veprën e Ernst Jünger-it, por të dy autorët do të takohen formalisht vetëm në vitin 1948, në “kasollen” e famshme të Heidegger-it në Todtnauberg. Një vit më vonë, inauguruan një korrespondencë të rregullt, e cila do të zgjaste deri në vitin e vdekjes së Heidegger-it, më 1976
Martin Heidegger për Ernst Jūngerin
Freiburg in-Breslau,
23 korrik 1949
I dashur Herr Jünger, të falenderoj për letrën tënde, e cila është në një vijë me reflektimet e mia. Por së pari më duhet të të kërkoj të mos më thërrisësh më “Profesor”. Ende e mbaj mend lokacionin e shtegut në të cilin kemi folur vjeshtën e kaluar rreth rrezikut të skajshëm që hasin ata që sot përpiqen të merren me atë që është thelbësore; se të durosh vetminë nuk është fshehje, po liria më e madhe. Megjithatë nevoja natyrore për t’i dalë në ndihmë tjetrit menjëherë, për t’i ofruar mbështjetje dhe drejtim, na bën të mundohemi të bëjmë gjëra që më pas dalin të jenë të gabuara, pasi që i mendon më thellë. Prej se Herr Klett dhe Dr. Nebel kanë ardhur të më takojnë, nuk kalon asnjë ditë që të mos vras mendjen rreth këtij projekti. Dëshira për të zbuluar dhe për ta bërë të dukshme në një mënyrë origjinale çka është autentike në traditën perëndimore, të bësh bashkë ata që janp duke pritur, t’i japësh zemër atij që ka nevojë, është magjepsëse. Por, siç e shoh sot shumë qartë, e gjithë kjo po shkon drejt rënies së ngadalshme në një formë të shpëlarë ditari. Tirania e opinionit publik nuk mund të thyhet brenda tij.
Shfaqja e emrave tonë së toku, qoftë edhe nën formën e thjeshtë të një bashkëpunimi të rregulltë, do të shndërrohet në një ngjarje politike që me shumë gjasë do ta lëkundë pozicionin tonë të tashëm të sigurt, ose në fund do ta bëjë lëmsh. Është një shënim postum i Nietzsche për të cilën sigurisht jeni në dijeni, nga koha e Shkencës gazmore, “Venediku është themeluar nga njëqind vetmi të thella së toku – kjo është magjia e tij. Një imazh i njeriut të së ardhmes”*. Më duket se këtu fshihet një normë për poetët dhe mendimtarët e ardhshëm, për praktikën përgatitëse të së cilës me gjasë jemi të përcaktuar. Për këtë arsye mendoj se duhet të tërhiqemi nga ky projekt dhe ta lejojmë fatin e saj të piqet më gjatë. Nuk duhet t’ia hedhim copëzat e fundit etjes së përhershme për hakmarrje, e cila ndërkohë është bërë edhe më dinake; mund të mbesim të pangopur në atë që është më e përshtatshme për ne. Taktika më e mirë mund të mos na ndalë në ndihmë; për një kohë të gjatë kemi qenë të tejkaluar teknikisht. Para pak ditësh, miku im, një refugjat nga Silezia e Epërme i cili jetën me ne, mori një letër nga një emigrant hebre (profesor në ShBA) i cili i shkruante se ai (kjo është, është si të thuash “dikush” [njeriu]) është skajshmërisht në ankth të mësojë se çfarë po ndodh me gazetën e re të Jungerit dhe Heideggerit**. Jam i gëzuar se po ndihesh mirë në Oberschwaben, vend që e dua dhe shpresoj të mund të të vizitoj një ditë aty. Do të shkojmë për në fundjavë në kasolle, e cila nuk është aq rezistuese ndaj motit të lig.
Përzemërsisht, Yti,
Martin Heidegger
Shënime:
*Friedrich Nietzsche, Die Froliche Wissenschaft, in Samtliche Werke, ed.
Giorgio Colli and Mazzino Montinari, Kritische Studienausgabe, vol. 3 (Berlin/
New York: de Gruyter, 1880), 343–651.
**Referencë me gjasë në Hans Jonasin (1903–1993), student i Husserlit
dhe Heideggerit, i cili e kishte braktisur Gjermaninë më 1933 për t’u vendosur në Angli e pastaj në Palestinë. Mësimdhënës në Kandana dhe në fund në New School for Social Research në New York City, ai është autor i shumë librave përkitazi me gnosticizmin, teknologjinë dhe psikologjinë e biologjisë.
/Marrë nga M. Heidegger & E. Junger, Correspondence 1949–1975, Rowman & Littlefield International Ltd, 2016 /Përkthimi: Gazeta Express/KultPlus.com