Maryse Condé merr “Nobelin” alternativ të letërsisë

13 Tetor, 2018 - 9:30 pm

Novelistja nga Guadelupe, Maryse Condé, është shpërblyer si laureate e çmimit të letërsisë së Akademisë së Re, çmim që mëton të mbushë boshllëkun e krijuar nga anulimi i çmimit të sivjetmë të letërsisë së “Nobelit” pas shpërthimit të skandalit që goditi komitetin.

Duke folur nëpërmjet një videolidhjeje në një ceremoni në Stokholm, Condé ka thënë se ndihej “shumë e lumtur dhe krenare” për këtë çmim. “Por më lejoni ta ndaj çmimin me familjen, miqtë dhe mbi të gjitha me njerëzit e Guadelupes, të cilët do të mahniten dhe preken kur të më shohin se jam nderuar me këtë çmim”, ka thënë ajo. “Ne jemi një vend i vogël, që përmendet vetëm kur ka uragane dhe tërmete, dhe gjëra të tilla. Tani jemi të lumtur që njihemi për diçka tjetër”.

Autore e më shumë se njëzet novelave, përfshirë “Desiradan”, “Segun” dhe “Crossing the Mangrove”, Condé , sipas vlerësimit të kryetares së jurisë, Ann Palson, është “një rrëfimtare e madhe” e cila “i përket letërsisë së botës”.

“Ajo i përshkruan pasojat e kolonializmit dhe kaosit postkolonial në një gjuhë që është e saktë dhe pushtuese”, ka deklaruar ajo. “I vdekuri jeton në rrëfimet e saj afër të gjallit në një botë ku gjinia, raca dhe shtresa shndërrohen përherë në konstelacione të reja”.

Emri i laureates është publikuar në një librari të Stokholmit – në një ambient krejt ndryshe krahasuar me shkëlqimin barok të Akademisë Suedeze – pas një vlerësimi që ka kaluar nëpër proces të trefishtë. Ndryshe prej vlerësimeve sekrete të jurisë së “Nobelit”, çmimi i Akademisë së Re ua ka lejuar librarëve suedezë të nominojnë autorë që janë grumbulluar në një rreth final prej katër sish nëpërmjet votimit publik. Laureatja është shpallur me vendim të një jurie ekspertësh.

Katër finalistët janë reduktuar fillimisht në tre, pasi novelisti japonez, Haruki Murakami, është tërhequr muajin e kaluar, duke cituar dëshirën “për t’u përqendruar në shkrimet e tij, larg prej vëmendjes së mediave”. Murakami shpesh përmendet si një prej favoritëve më të mëdhenj për “Nobelin”.

Akademia e Re, e mbështetur nga më shumë se 100 figura kulturore suedeze, ishte themeluar si kundërpërgjigje ndaj skandalit që goditi më parë Akademinë prestigjioze Suedeze, kur u mor vesh se burri i njërës prej anëtarëve të Akademisë ishte akuzuar për ngacmim seksual. Akuzat nxitën një valë dorëheqjes nga Akademia Suedeze, me çmimin e sivjetmë të anuluar për shkak të “besimit të reduktuar publik”. Njeriu në qendër të skandalit, Jean-Claude Arnault, ishte dënuar me dy vjet burgim për dhunim nga një gjykatë e Stokholmit.

Gazetarja dhe autorja suedeze me prejardhje greke, Alexandra Pascalidou, e cila ndihmoi për themelimin e çmimit të Akademisë së Re, ka thënë se nuk ishte e vetmja që ndihej “e turpëruar dhe e frustruar” sherri i skandalit.

“Pse u desh letërsia, pse u desh autorët ta paguanin çmimin, të ndëshkoheshin, çfarë bënë?” – ka pyetur ajo. “Andaj, nisa t’i telefonoja miqtë dhe kolegët dhe njerëzit që i takova që ishin mjaftueshëm të krisur sa të besonin, të kishin një vizion, të mendonin se ne mund të ndryshojmë çfarë nuk mund të pranojmë”.

Pacalidou ka theksuar se qindra librari kanë dominuar, dhe më shumë se 33 mijë anëtarë kanë votuar publikisht për të nominuarit. “Kjo ishte mahnitëse, dhe kjo dëshmon fuqinë e përpjekjes kolektive. Kjo tregon se ka shumë njerëz të përkushtuar ndaj kulturës dhe letërsisë”. /Koha Ditore/ KultPlus.com

Të ngjajshme