20 Mars, 2019 - 6:10 pm
Alberina Haxhijaj
Mbrëmë në Dit’ e Nat’ është bërë promovimi i librit “Dimri i Gjatë i Vitit 1945. Tivari” me autorë Anna Di Lellio dhe Dardan Luta, shkruan KultPlus.
Pas çlirimit të Jugosllavisë nga okupimi nazist në vjeshtën e vitit 1944, Marshall Tito bëri thirrje për mobilizim në masë me qëllim që të thyente forcat ushtarake gjermane në frontin Syrmian dhe të pushtonte qytetin italian të Triestes.
Me mijëra burra të rekrutuar me dhunë nga i tërë vendi, duke përfshirë edhe shqiptarë nga Kosova, u dërguan në front në një marshim tragjik që la pas një sërë të sëmurësh dhe të plagosurish për vdekje. Më 30 mars 1945, kur rekrutët shqiptarë të paarmatosur arritën në qytetin e Tivarit (Bar) në bregdetin Adriatik, partizanët malazezë i vranë qindra prej tyre. Kjo u njoh si masakra e Tivarit dhe nuk u bisedua për një kohë të gjatë për të, madje akoma mbesin të panjohura arsyet se përse ndodhi kjo, si dhe numri i saktë i të vrarëve.
Pikërisht kjo ngjarje, “Masakra e Tivarit” për të cilën nuk është diskutuar shumë, e ka nxitur Dardan Lutën që të hulumtojë edhe më tutje dhe përmes ilustrimeve së bashku me Anna Di Lellion sjellin një narracion të kësaj ngjarjeje përmes dialogjeve.
“Jam shumë e kënaqur që jam këtu sonte për të prezantuar librin. Kemi punuar dy vite në Prishtinë por edhe në New York duke lexuar e hulumtuar në lidhje me Masakrën e Tivarit. Në fillim e kam menduar të shkruar librin dhe me ilustrime dhe Dardani si artist ka qenë një bashkautor shumë i zoti dhe i duhuri. Masakra e Tivarit ka qenë një ngjarje shumë tragjike për Kosovën dhe mendoj se është shumë e rëndësishme për shqiptarët që të hulumtojnë më shumë për këtë masakër dhe për Luftën e Dytë Botërore”, u shpreh Anna Di Lellio.
Sipas saj, ajo që e bën të rëndësishëm këtë libër është se përmes ilustrimeve tregohet se si janë marrë shqiptarë dhe pastaj si janë vrarë ata.
Gjatë promovimit u tregua se ky libër është një histori e ilustruar e asaj masakre, histori e cila është varrosur thellë në arkiva, e shtypur, e neglizhuar apo e manipuluar nga historianët, gjithmonë e heshtur, ndonëse kurrë e harruar. Dardan Luta tregoi se ky rrëfim vjen përmes zërit të Shaban Pajazitit dhe rekrutëve të tjerë nga Çubreli (Skënderaj), të cilët mbijetuan për t’i treguar historitë e tyre. Po ashtu ai tha se burimet arkivore dhe të shkruara japin dëshmi dokumentuese shtesë të rëndësishme, por kontestuese dhe janë një përkujtues i qartë se historia zyrtare nuk është kurrë e plotë pa dëshmitë e pjesëmarrësve.
“Në pika të shkurtra, storia jonë ka të bëjë me një person i cili është marrë në Çubreli nga dy partizanë dhe e dërgojnë atë në Skenderaj ku takohet edhe me nëntë persona të tjerë të cilët janë të fshatit të tij. Ata ia japin besën njëri-tjetrit që do të qëndrojnë së bashku deri në fund. Kjo ka qenë njëra nga arsyet ndoshta që ata kanë mbijetuar. Emrat në libër janë të vërtetë mirëpo mbiemrat nuk i kemi përdorur”, tha Luta.
Libri i cili është ilustruar nga Dardan Luta sjellë 10 histori të njerëzve të ndryshëm të cilët kanë treguar historinë e njëjtë për këtë ngjarje. Luta tregon se ka pasur shumë histori mirëpo sipas tij ata kanë dashur që të fokusohen në historinë e Shabanit dhe të miqve të tij të cilëve ai u drejtohet si “Çubreli Gang” pasi që kanë qëndruar së bashku deri në fund.
“Është storia e këtyre 10 personave si narracion e cila përfundon. Pastaj janë hartat nga kanë shkuar, raportet e partizanëve, Brigadës Maqedonase, Shtabit të Përgjithshëm, partizanëve të Shqipërisë si dhe Rankoviqi – çka ka folur në Kongresin e Parë. Këto pra janë dokumente por në fund e kemi edhe një histori gojore të Ademit i cili flet për babën e vet Shabanin i cili pas asaj ngjarje nuk ka dashur që të shkonte askund madje as në Prishtinë te biri i tij. Pra problemi jonë si shqiptarë është që nuk kemi gjëra të dokumentuara me kohë, dokumentime nuk kemi as sot. Krejt çka kemi janë këngët me lahutë, por ato nuk janë një dokumentim”, theksoi Luta.
Ky libër është publikuar nga Iniciativa për Histori Gojore, 2019. / KultPlus.com