‘Matanë dashurisë është një lumë’, vepra më e re e Sali Bashotës

12 Dhjetor, 2023 - 1:15 pm

Libri më i ri me poezi “Matanë dashurisë është një lumë”, i Sali Bashotës sikur e krijon palimpsestin e kujtimeve dhe të përjetimeve të poetit brenda një periudhe të gjatë krijuese, të cilat sistemohen në një rend tipologjik, madje edhe të ngjarjeve të ndodhura.

Me librin “Matanë dashurisë është një lumë”, Sali Bashota, i ndërton poetikisht çastet e lumtura të jetës për vendlindjen, nënën, miqtë, dashurinë, Prishtinën, por edhe çaste të tjera që ndërlidhen me luftën, dorëshkrimet e djegura, pikëllimin, mërzinë, vetminë, dhimbjen, harrimin etj. Përvoja krijuese e funksionalizuar me një përzgjedhje të figurave poetike shfaqet me imazhin e ndjenjave dhe mendimeve të konkretizuara në sfondin e përjetimin poetik.

Tri kaptinat e librit: “Shpirtëzimi”, “Palimpsesti dhe Testamenti”, e formësojnë udhëtimin e imagjinatës së poetit, duke u nisur nga “privilegji” i dashurisë, me një strategji të re të ligjërimit dhe të figuracionit, që dallon nga veprat e tjera të poetit. Kjo ndodh edhe me modelin e komunikimit.

Poezitë, siç janë: “Qielli i vendlindjes”, “Zërat e paharruar të Bashotëve”, “Letër mikut”, “Askush nuk përmallohet më shumë se dhimbja, ”E premtja e Ujmirit”, “Nesër nuk do të shkruaj poezi për luftën”, “Mëngjes marsi në Prishtinë”, “Lamtumira e Borhesit”, “Palimpsesti”, “Matanë dashurisë është një lumë”, janë shenjat më të veçanta të poetit që ndërlidhen me botën krijuese  në këtë libër poetik.

Sali Bashota deri më tani i ka botuar veprat me poezi: “Albumi i grisur” (1986), “Zogu me profil vjeshte” (1989), “Plagomë” (1994), “Dalje nga trishtimi” (1999), “Bukuri e nëmur” (2006),” Dorëshkrimi i ngjallur” (2011), “Në fillim ishte Drita” (2017), “Asnjë zë tjetër” (2018), “Lutja e parë e shpirtit” (2020), “Pëshpëritja e agonisë-libri i karantinës” (2020).

Libri “Matanë dashurisë është një lumë”, botuar nga Kosova PEN Center, është libri i mallit për ndjenjën që ekziston me të përjetuarën…/KultPlus.com

Të ngjajshme