17 Tetor, 2018 - 1:33 pm
Gili Hoxhaj
Romancieri tashmë i njohur botërisht, specialist i gjuhëve dhe kulturave orientale, Mathias Enard erdhi dje për të parën herë në Prishtinë, ndërsa fillimisht vizitoi Librarinë “Buzuku”, vendtakimin e lexuesve nga Kosova me emrin e krijimtarinë e tij. Në Prishtinë, autorin e ka sjellë Ambasada e Francës në Kosovë, në bashkëpunim me Aleancën Franceze të Prishtinës, në kuadër të veprimtarisë së tyre në fushën e edukimit dhe librit.
Pesë nga veprat e Mathuas Enard në mesin e gjuhëve të tjera, kanë rrugëtuar edhe tek lexuesit shqiptarë. Autori Enard mbrëmë me publikun që ishte mbledhur tek Aleanca Franceze diskutoi për gjithçka që ai ka dhuruar në rreshtat e librave të tij, ndërsa mori edhe përshtypjet e pyetjet për atë së çfarë lexuesit këtu kishin marrë mes faqeve të këtyre librave. Pikë kyçe e këtij diskutimi ishte libri “Tregoju për betejat, mbretërit dhe elefantët”, që nga diskutimi për titullin e deri në përmbajtjen që e bën që autori të rrëfejë për përfshirjen e Mesihinit nga Prishtina, si një nga personazhet kryesore të këtij libri e që ecën me personazhin e Mikelanxhelos.
Autori mes përshkrimit të luftës, aty gjen vend edhe për dashurinë, pasi që, i zgjon tejet interesim raporti që ndërtohet me tjetrin pasi që dashuria është shprehja e takimit me tjetrin. Një nga pyetjet e para që merr nga të pranishmit me të cilët realizon një bashkëbisedim të afërt, është pikërisht ndërlidhja e Lindjes me Perëndimin, duke qenë një njeri që është rritur në Perëndim ndërsa një periudhë të gjatë të jetës së tij e ka kaluar në Lindje.
Ka studiuar persishten dhe arabishten, duke qëndruar një kohë të gjatë në Lindjen e Mesme, ndërsa jeta për të mbetet e mbushur me rastësi. Përmes studimeve ai kishte pasur mundësi të kalonte rreth 10 vite në Lindjen e Mesme, në vende si Egjipti, Irani, Siria e Liban. Ani pse thotë se për këto vende ekziston perceptimi se të gjitha janë njësojë, ai thotë se përkundrazi për 10 vite ka mësuar se ka pasuri dhe llojllojshmëri të madhe ndër vete.
“Ajo që më ka interesuar po ashtu ka qenë edhe marrëdhëniet që kishin vendet arabe mes tyre. Kam parë një llojllojshmëri dhe ajo që më ka interesuar është lidhja e këtyre vendeve në mes vete dhe lidhja e tyre me Evropën por që në atë kohë nuk isha hiç shkrimtar, u bëra më vonë”, shprehet Enardv.
Interesimin e tij për ndërlidhjen e Lindjes dhe Perëndimit ai e lidh me një thënie të një prej historianëve më të njohur francez që atij si njeri i veriut, i ka interesuar Mesdheu. Ai thotë se tanimë gjithnjë e më shumë i interesojnë shkëmbimet kulturore mes Lindjes dhe Perëndimit.
“Gjithmonë e kemi pasur lindjen dhe perëndimin jo si dy regjione gjeografike që janë në zona lëvizëse, kufitare. Shumë gjatë sidomos gjatë shekullit 18-të dhe 19-të në Britaninë e madhe, në Francë, në Gjermani gjithmonë lindja apo orienti ishte simbol i islamit dhe kur e kemi menduar gjithmonë na është paraqitur imazhi i xhamisë dhe kjo ka qenë ideja sidomos te orientalistët e asaj kohe. Kuptohet që sot nuk mund ta asocojmë imazhin e xhamisë me lindjen sepse sot kemi xhami që nga Norvegjia e deri në fund të Siberisë. Tani, veçmas në kohën e globalizimit gjithmonë më ka interesuar dhe më interesojnë këmbimet në mes lindjes dhe perëndimit, veçmas në art, skulpturë, pikturë e letërsi”, pohoi ai, duke vazhduar të tregoi se kur u takua për herë të parë me botën arabe.
“Takimi i parë me botën arabe ka qenë në vitin 1991 në Liban ku isha angazhuar për të bërë një reportazh për Kryqin e Kuq libanez”, theksoi ai.
Gjatë qëndrimit një muaj atje, ishte shoqëruar me një fotograf dhe atje kishte parë gjithë dhunën e padrejtësinë që po ndodhnin duke e ndjerë këtë realitet veçmas përmes rrëfimeve të luftëtarëve. Atje nuk ishte nisur si shkrimtar, por braktisja e universitetit e qëndrimi disa ditorë në botën arabe që i kishte dhënë mundësinë për të parë realitetin e tyre nga afër, kishte qenë një shtysë e fuqishme që pas vendimit për t’i dhënë fund studimeve, të fillonte romanin e tij të parë.
“Këtë që e pashë atje e dëgjova edhe përmes rrëfimeve të luftëtarëve që kishin luftuar në luftën Iran-Irak. Në atë moment fillova të interesohesha për rrëfimet e tyre të cilat flisnin për dhunën që ata e përdornin kundër të tjerëve dhe dhunën të cilën e përjetonin ata vetë. Fillova t’i grumbulloja rrëfimet e tyre dhe nuk mendoja të merresha me letërsi por doja të bëja një artikull shkencor të gjerë apo ese se si mund të ndërlidhej letërsia me rrëfimet e këtyre personave që kanë luftuar. Në atë kohë u hidhërova me universitetin, pra i dhashë fund dhe me gjithë këtë material që kisha mbledhur fillova të shkruaj një roman”, tregon autori francez.
Mikelanxhelo në Kostandinopojë dhe një personazh nga Prishtina
Pasi që autori Mathias Enard tregoi se për titullin e romanit “Tregoju për betejat, mbretërit dhe elefantët”, ishte bazuar nga poeti i njohur anglez Rudyard Kipling, ai shpalosi edhe si kishte vendosur që ta dërgojë Mikelanxhelon në Kostandinopojë (Stamboll) dhe ndërlidhjen me një personazh nga Prishtina që quhej Misihin por që për dallim nga Mikelanxhelo nuk arriti kurrë të bëhet i famshëm.
Derisa Enard kishte shkuar në Romë dhe në një prej librarive kishte hasur të lexonte për biografinë e Mikelanxhelos dhe pas 100 faqesh lexim arrin që të informohet që Sulltani Pajazit e kishte ftuar Mikelanxhelon të shkonte të punonte në Kostandinopojë, atëherë kjo gjë e vë në pikëpyetje autorin i cili kishte mbetur paksa i shtangur.
“Unë e dija që Leonardo Da Vinci më parë ishte thirrur nga sulltani dhe janë gjetur disa shënime të tij që ai kishte tentuar të mësonte osmanishten dhe faktikisht kishte plan që të shkonte të vendosej në Kostandinopojë, po ashtu kam parë disa shkronja të alfabetit arab në shënimet e tij. Pra ishte diçka që dihej për Leonardo Da Vinçin por për Mikelanxhelon nuk kisha dëgjuar kurrë. Në këtë libër, në këtë biografi lexoj që në një moment Mikelanxhelo kishte prishur raportet me papën dhe ishte kthyer në shtëpi në Firencë dhe disa murgj ia transmetojnë letrën që vjen nga Konstandinopoja (Stambolli)”, tregoi mbrëmë autori Enard i cili kishte mbetur i mrekulluar nga kjo dhe më pas kishte pyetur specialistët e kohës se a është e vërtetë që Mikelanxhelo ka shkuar në Stamboll dhe ata i kishin thënë “jo”.
“U mundova të di se si dukej Stambolli në atë kohë në fillim të shekullit 16-të, mundohesha të di si ishte ndërtuar dhe si ishte administrativisht kur e dërgova Mikelanxhelon atje”, u shpreh tutje autori francez.
Ai tha se është e vërtetë që në burime historike e ka lexuar që Mesihini nga Prishtina ishte sekretar i Vezirit të madh. Ai tha se për një autor është shumë interesante kur gjenë dy personazhe krejtësisht të kundërt siç ishte Mikelanxhelo dhe Mesihi i Prishtinës.
“Megjithatë kanë diçka të përbashkët, janë të dy artistë dhe të dy janë në shërbim të një personaliteti të lartë kurse në anën tjetër krejt gjërat ishin në kundërshtim me njëra tjetrën, njëri vinte nga Lindja, tjetri nga Perëndimi, njëri ishte krejtësisht katolik, tjetri aspak mysliman, njëri është bërë shumë i famshëm kurse Mesihini i Prishtinës është harruar krejt. Vlerat që ia njohim njërit apo tjetrit qytetërim këtu janë krejt të përziera, si për shembull Mikelanxhelo në librin tim nuk dehet kurrë, nuk shkon asnjëherë me femra kurse Misihini është krejt e kundërta e asaj çfarë mundohen të na thonë se është një poet i kohës së osmanëve sepse ai pi, dehet”, tha ndër të tjera autori francez që erdhi mbrëmë në Prishtinë.
Pesë veprat e përkthyera në shqip janë: ‘Busulla’, ‘Zona’, ‘Përsosmëria e Qitjes’, ‘Tregoju për betejat, mbretërit dhe elefantët’, ‘Rruga e Vjedhësve’.
Libraria “Buzuku” mbrëmë kishte sjellë librat e përkthyer të këtij autori në gjuhën shqipe ndërsa i dhuroi falas për studentët e të pranishmit, të cilët patën mundësi që këto t’i marrin me shënim të autorit Mathias Enard.
Enard ka ardhur dje nga Shkupi kurse do të qëndrojë edhe sot në Prishtinë kurse nesër do të shkojë në Tiranë. E gjithë kjo vjen si rezultat i bashkëpunimit rajonal, në mes të ambasadave të Francës në Prishtinë, Tiranë, Shkup./ KultPlus.com