Mbahen ligjëratat kulturore nga PEN Qendra e Kosovës në British School   

10 Shkurt, 2024 - 11:00 am

Me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollës së mesme British School of Kosova, të studentëve të Kolegjit AAB, profesorëve,  studiuesve dhe krijuesve, të premten PEN  Qendra e Kosovës zhvilloi aktivitetin letrar, të pestin me radhë.

Aktiviteti u zhvillua në kuadër projektit kulturor “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja” që përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.

Këtë aktivitet e moderoi profesori universitar dhe poeti, Sali Bashota, ndërsa për temat: “Letërsia përtej kufijve” dhe “Leximi dhe edukim letrar”, folën poeti Lulzim Tafa dhe poetja Naime Beqiraj.

Duke e hapur takimin, profesor Sali Bashota foli rreth projektit të PEN Qendrës dhe aktivitetet që po zhvillon kjo organizatë e shkrimtarëve të Kosovës. Në këtë vështrim ai pastaj u ndalua sidomos në procesin e krijimit artistik qoftë në prozë a në poezi dhe kërkoi nga të rinjtë e pranishëm që të mos ngurrojnë që të merren me shkrime letrare.

Bashota në vazhdim foli për nevojën e leximit si parakusht për krijimtari të mirëfilltë të krijuesve të ardhshëm.

Duke folur për “Letërsinë përtej kufijve”, Lulzim Tafa, përmendi rëndësinë që ka përkthimi letrar për popullarizim të letërsisë. Në këtë kontekst ai përmendi fenomenin Kadare për të cilin tha se pa Jusuf Bej Vrionin, Ismail Kadare nuk do të ishte ky që është tash edhe në letërsinë botërore e jo vetëm në letërsinë shqipe.

Tafa foli edhe për përvojën e vet krijuese dhe për përkthimet që poezia e tij ka pasur dhe ka nëpër botë.

“Poezia është e vështirë të përkthehet dhe poezinë duhet ta përkthejnë vetëm poetët”, tha Tafa duke theksuar se poezia është emocion, përçuese e ndjenjave.

Poeti Tafa u shpreh kundër përkthimit kuantitativ dhe u angazhua për përkthimin kualitativ. Në fund Tafa tregoi edhe kur ka filluar të shkruajë së pari dhe në fund përmendi edhe poetët e vet favoritë shqiptarë por edhe të botës.

Në temën “Leximi dhe edukimi letar”, poetja Naime Beqiraj tregoi se kur kishte filluar të punonte në shkollën “British School of Kosova”, së pari kishte kërkuar të shihte bibliotekën për të cilën tha se ishte e pasur me vepra me poezi, porse aty mungonin romanet. Pastaj ajo tregoi për mungesën e dëshirës për lexim të nxënësve, e cila, tha poetja, me kohë u kthye dhe nxënësit u bënë lexues të zellshëm e të etshëm. 

“Dhe vjen një ditë e një email nga një nënë që më gëzoi: Faleminderit profesoreshë që i hoqe vajzës sime ipadin nga duart dhe i dhe librin”, tha Beqiraj duke dhënë edhe shumë shembuj nga leximet pasionante të nxënësve. Poetja Beqiraj inkuaroi të rinjtë të lexojnë e të shkruajnë, sepse, tha ajo, vetëm shkrimi mbetet gjatë. 

Në vazhdim disa nga pjesëmarrësit shtruan pyetje të shumta për librin, botuesin dhe krijimtarinë. Përgjigjet në pyetje ata i morën nga panelistët Bashota, Tafaj e Beqiraj.

Në fund anëtarë të PEN Qendrës së Kosovës për pjesëmarrës dhuruan libra autorialë. / KultPlus.com

Të ngjajshme