Mbrëmë në Etno Fest u promovua libri për Qamilin e vogël

17 Gusht, 2024 - 5:59 pm

Alisa Buzhala

Me një fluks të madh të vizitorëve dhe dinamikës së programacionit, festivali i artit dhe kulturës po i afrohet fundit të këtij edicioni. Kanë mbetur edhe 2 ditë nga finalizimi i kësaj maratone të ‘kompozimit’ të shumëllojshëm, të fokusuar në traditën shqiptare si dhe artin në të gjitha format e tij.

Në ditën e shtatë të edicionit të 14-të të Etnofestivalit u pasqyruan vlerat artistike mbi të cilat është ndërtuar kultura e përgjithshme e artit shqiptar, posaçërisht përmes muzikës.

Atmosferën e kësaj nate e krijuan ansambli ‘Qamili i vogël’ të cilët zgjodhën paraqitjen në Etnofest si vend për ta bërë promovimin e librit të ri që i dedikohet pikërisht artistit Qamili i vogël, për jetën dhe veprën e tij, i cili la pas vetes një krijimtari të pasur të teksteve dhe këngëve shqipe.

Bashkëpunëtorët e artistit dhe figurës së dashur mbarëkombëtare vendosën që, në emër të vlerave artistike dhe vetë rëndësisë së kësaj trashëgimie, si dhe në kujtim për mikun e tyre Qamilin, me rastin e 100 vjetorit të lindjes së tij, ta botonin librin. Autorë të këtij libri janë bashkëatdhetarët që tani jetojnë në vende të ndryshme të botës, e që ishin anëtarë të ansamblit që nga fillimi i viteve ’80-ta: Sylejman Saliu, Salih Berisha dhe Behar Arllati.

Gjatë këtij promovimi, publikut të madh në numër iu bashkëngjit edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me disa anëtarë të tjerë të qeverisë, të cilët përcollën këtë ngjarje dhe më pas edhe koncertin artistik të shoqëruar me instrumente nga grupi i ansamblit ‘Qamili i vogël’. Këngët e vjetra që qëndrojnë thellë në memorien e gjeneratave të ndryshme, u kënduan njëzëri nga audienca e pranishme në etno-kompleksin në Kukaj.

Ndërkaq, vizita e kryeministrit të Kosovës dhe ekipit vazhdoi në hollët, muzetë dhe ekspozitat e hapura që e karakterizuan këtë edicion. Albin Kurti, në bashkëbisedim me organizatorët, cilësoi se Etnofesti është një aset i vërtetë dhe i çmuar i ekosistemit tonë artistik.

Pjesa teatrale që u dha në mbrëmjen e ditës së shtatë të Etnofestit ishte shfaqja ‘Audienca’, nën regjinë e Bashkim Ramadanit, e cila trajton censurën dhe burokracinë. Temat kryesore të shfaqjes përfshijnë përplasjen midis individit, meritokracinë dhe autoritetin, kompromiset morale dhe etike që njerëzit bëjnë nën presion, si dhe absurditetin dhe ironinë e jetës nën një regjim totalitar.

“Audienca” është një nga veprat më të njohura të Václav Havel, dramaturgut çek, që më vonë u bë President i Çekosllovakisë dhe më pas i Republikës Çeke. Kjo dramë komike përqendrohet në dy personazhe kryesore: Vaněk, një shkrimtar disident që përfaqëson një version të vetë Havelit, dhe Sládek, një punëtor në një fabrikë birre. Dialogu që zhvillohet mes dy personazheve përmes aktorëve Ernest Malazogu dhe Alban Krasniqi përfshin satirë të mprehtë, humor dhe revoltë. Shfaqja u dha në një nga skenat me amfiteatër në Kukaj, me një skenografi dinamike dhe plot dramë.

Etno-nata, e destinuar për ta mbajtur këtë festival simbol të gjithëpërfshirjes kulturore, natën e shtatë të saj kishte përzgjedhur këngëtaren Linda Rukaj, e cila me sharmin e saj solli një atmosferë solide për të pranishmit, të cilët njëkohësisht po shijonin ushqimin tradicional, nën melodinë e pastër të këngëve të vjetra shqipe. Në after-natën dhe atmosferën përcjellëse të saj u përkujdes DJ Philip me setin e tij muzikor të gërshetuar mes stilit jazz, oriental dhe tekno.

Ndërsa Etnofesti i afrohet fundit të tij, ky edicion ndërthuri  traditën dhe inovacionin artistik, duke u bërë shtëpi e vlerave kulturore./ KultPlus.com

Të ngjajshme