24 Prill, 2024 - 2:02 pm
Në mjediset e Europe House, Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës, organizoi një mbrëmje letrare me të ftuar special poetin, dramaturgun dhe fotografin arbëresh, Mario Calivà.
Aktiviteti u çel me fjalën përshëndetëse të drejtoreshës së Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), prof. Diana Kastrati, e cila theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti si inciativë e rëndësishme e dy institucioneve.
Ndryshe nga poezia e traditës që idealizon botën arbëreshe, poezia e Caliva-së e trajton universalitetin e aktualitetit arbëresh duke të shpënë drejt botës arbëreshe dhe pasuruar njëkohësisht edhe poezinë arbëreshe por edhe atë shqipe. Dr. Fabio Rocchi u ndal te kategoria e “romancës” arbëreshe mënyra e të shkruarit dhe narrativa e shkrimeve të autorit brenda universit arbëresh.
“Të shkruash do të thotë të ekzistojë një popull dhe një pjesë e historisë së arbëreshëve përkon me historinë e Shqipërisë”, u shpreh poeti Mario Calivà. Sipas tij, të qenit shkrimtar të ofron një liri të madhe, pa ndjekur rregullat që kufizojnë filologun apo historianin, por kjo ndodh nëse qëllimi letrar është i qartë duke ruajtur një lloj koherence brenda fakteve historike.
Në këtë aktivitet poetit Mario Calivà iu dha çmimi i tretë i fituar në konkursin “KrenArbëria” zhvilluar nga QSPA, me motivacionin: Për tregimin “Mushku” në të cilin ka arritur të japë prova të prekshme të qëndrueshmërisë së kulturës arbëreshe përmes përdorimit të arbërishtes, duke shpërfaqur edhe lidhje jetike me traditën letrare italiane./atsh/KultPlus.com