15 Shtator, 2022 - 2:28 pm
“Një mbrëmje e paharrueshme në kujtim të një njeriu që shumë prej nesh e kanë dashur pa e njohur, veç nëpërmjet vargjesh: Teodor Keko!”, tha ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në mbrëmjen kushtuar poetit, shkrimtarit e publicistit, të larguar nga jeta 20 vjet më parë.
Mbrëmja përkujtimore u zhvillua në sallën e koncerteve të Katedrales Ortodokse, me pjesëmarrjen e të vesë së Teodor Kekos, Xhulieta Kekos, të cilën ministrja e ka falënderuar që në një mbrëmje të tillë, u besoi të pranishmëve ndjenjat e saj më të thella.
Gjatë mbrëmjes kanë interpretuar vargjet e Kekos, aktorët Luiza Xhuvani, Kastriot Caushi e Kristian Koroveshi, nën tingujt e luajtura në piano nga Etrita Ibrahimi e Ardit Gjebrea.
Në këtë 20-vjetor të largimit të tij fizik, Teodor Keko ka qenë i pranishëm për adhuruesit e penës së tij, nëpërmjet aktiviteteve për nder të shkrimtarit.
Pak kohë më parë në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, u çel një ekspozitë në përkujtim te kontributit te tij të vyer në fushën e letrave shqipe dhe të publicistikës.
Kjo ekspozitë sjell për publikun krijimtarinë e Teodor Kekos, duke nisur nga botimi i tij i parë në revistën “Nëntori” (1980) dhe vëllimin e parë me poezi “Pas provimeve” botuar në vitin 1983, e deri tek “Shënimet e një gruaje” botuar pas vdekjes.
Një vend të veçantë në këtë ekspozitë zë edhe veprimtaria e tij si redaktor, por edhe si publicist, që vjen përmes artikujve në shtypin periodik të kohës. / atsh / KultPlus.com