Mbrëmje poetike dhe ekspozitë artistike, promovohet libri “Gravurë me ngjyrat e kohës”  në KultPlus Caffe Gallery

22 Mars, 2025 - 9:19 pm

Flonja Haxhaj

Në një atmosferë të ngrohtë dhe plot frymëzim, KultPlus Caffe Gallery mirëpriti mbrëmjen e djeshme promovimin e librit “Gravurë me ngjyrat e kohës” të autores Ajne Iberhysaj. Kjo ngjarje erdhi pikërisht në Ditën Botërore të Poezisë, duke i dhënë një dimension edhe më të veçantë kësaj ngjarjeje letrare dhe artistike, shkran KultPlus.

Përveç promovimit të librit, kjo mbrëmje poetike u shoqërua edhe me një ekspozitë kolektive nga artistët Musë Prelvukaj, Skënder Idrizi, Bija Jasiqi, Merita Myderrizi  – Maloku dhe Agron Mulliqi. Pikturat e tyre, të mbushura me ngjyra dhe ndjesi të thella, krijuan një simbiozë të bukur mes fjalës së shkruar dhe artit vizual.

Në panelin e mbledhur posaçërisht për këtë ngjarje, e para e mori fjalën moderatorja Alketa Gashi-Fazliu, e cila solli një moment të veçantë për të pranishmit duke lexuar një poezi nga libri “Gravurë me ngjyrat e kohës”. Me ndjeshmërinë dhe interpretimin e saj të thellë, Gashi-Fazliu krijoi një atmosferë të ngrohtë dhe emocionuese, duke e bërë hapjen e diskutimit edhe më domethënëse.

Pas këtij momenti artistik, ajo ia dha fjalën profesorit dhe shkrimtarit Agim Vinca, i cili, përveçse një zë i rëndësishëm në letërsinë shqipe, është edhe redaktori i këtij libri. Vinca ndau me të pranishmit mendimet e tij mbi vlerën artistike dhe mesazhet që përcjell ky botim, duke sjellë një analizë të thellë mbi stilin dhe tematikat e trajtuara nga autorja.

“Kam kënaqësinë që sot këtu në mjediset e KultPlus-it t’i them dy fjalë për librin më të ri të poeteshës Ajne Ibërhysaj, që kohë më parë nga shtypi në botim të shtëpisë botuese “Onufri”. Librin në fjalë e kam lexuar në dorëshkrim në cilësinë e redaktorit. Kam diskutuar me autoren pothuasje për secilën poezi, si dhe për strukturimin e librit në përgjithësi. Kur libri mori, pak a shumë, formën që ka sot, shkrova edhe një tekst të shkurtër, përmbledhës, për vlerat dhe veçoritë e tij, në të cilin, ndër të tjera, them: Shpirti lirik i një poeteshe” , theksoi Vinca në fjalimin e tij.

Tutje, Vinca shprehet se poezia e Ajne Iberhysaj është një vështrim ndjenjash, mbresash, kujtimesh, të cilat sipas tij, poetja i shpreh natyrshëm, ashtu si i vijnë.

“Po qe se bëjmë një krahasim me fenomenet e natyrës, do të thoshim se rrëfimi poetik rrjedh lirshëm, ashtu siç ndërrohen stinët e motit, siç bien gjethet në vjeshtë dhe siç rrjedhin ujërat e lumenjve. Edhe pikat e shiut që lëshojnë retë dhe lotët që rrjedhin nga sytë janë pjesë ekësaj “gravure””, tha Vinca  duke shtuar mes tjerash se poezia e Ajne Ibërhysajt nuk është poezi e mjeshtërisë a zanatit, por e ndjesisë dhe përjetimit të çastit.

Fjalën më pas e mori shkrimtari Ramë Oraca i cili dha një vështrim rreth këtij libri. Oraca, tha se autorja ka gdhendur çdo varg si filigran në mozaikun e shtigjeve të krijimtarisë së saj letrare.

“Ajne Ibërhysaj gjurmon shtigjeve që ajo i ka përzgjedhur për vete, kjo vazhdon që t’i dhurojë lexuesit dhe opinionin letrar frymëzimet, idetë dhe preokupimet e saja jetësore. Nisur nga ky konstatim edhe shkrimin tim e titullova “Arti i gdhendjes me ashkla shpirti”. Në linjën e saj artistike te kjo autore frymon vargu lirik që nga Troja, Itaka, Rruga e Qumështit, Kashta e Kumtrit e deri te Elbasani, Shkumbini pikëtakime të vargëzuara, herë në formate të lira krijuese, herë përmes ndjeshmërisë së lartë emocionale, të cilat e lartësojnë autoren e këtij libri në nivel të dukshëm letra”, tha Oraca.

Më tej, Oraca u shpreh se ky libër nga brendia e gjithë përmbajtjes jep, figuracionin poetik, i cili nuk është vetëm mjet i poetizimit të jetës në art, por në radhë të parë na jep gjuhën e veçantë poetike.

“Strukturimi i përmbajtjes poetike të kësaj autoreje do vëmendje të posaçme, sepse vargu i saj, përveç idesë dhe qëllimit, ajo e thjeshtëzon misionin e saj përmes krijimtarisë letrare në të kuptuarin e vet specifik për lexuesin e saj. Këtë lloj gjetje letrare e gjejmë te kjo autore në secilën poezi si një porosi paqeje nën strehën e shpirtit”, tha më tutje ai.

Pas këtyre dy vështrimeve fjalën e mori vetë autorja e librit, Ajne Iberhysaj, e cila theksoi rëndësië e pjesëmarrjes së saj si finaliste në Konkursin e Poezisë ‘KultStrofa’, disa vite më parë, organizim ky që ishte një nismë për redaktimin e librit të saj.

“Ishte pikërisht ‘Kultstrofa’ nisma e bashkëpunimit për redaktimin e këtij libri. Dua të falënderoj shkrimtarin Agim Vinca dhe Ramë Oraca për vështrimin rreth librit, Ardianë Pajazitin për ngrohëtsinë, që të jemi sot pikërisht në ditën botërore të poezisë, Alketa Gashi – Fazliu për moderimin. Dua të falëndorj sot veçanërisht piktorët, që për mua është viti i gjashtë që bashkëpunoj me ta dhe është një gërshetim i poezisë me artin e tyre. Dua të falënderoj Musa Prelvukaj, që gjithmonë që ka qenë i gatshëm të më ndihmojë, Skender Idrizin gjithashtu që gjithmonë është pranë kolonisë së piktorëve në Deqan, Agron Mulliqin për mjeshtërinë e tij artistike, Merita Malokun dhe Bija Jasiqin. Mbi të gjitha dua të falënderoj të gjithë që ishit të pranishëm këtu dhe që ma ngrohët shpirtin”, u shpreh mes emocionesh Iberhysaj.

Fjalën në këtë diskutim e mori edhe drejtoresha e KultPus, Ardianë Pajaziti, e cila mes tjerash, tregoi edhe për zanafillën e bashkëpunimit të autores Ajne Iberhysaj dhe profesorit, Agim Vinca.

“Takimi i rastësishëm i Ajne Iberhysaj dhe profesorit Agim Vinca ishte pikërisht në ‘Kultstrofa’, ku profesori atë vit ishte kryetar jurie.Profesori Vinca e di që unë nuk kam njohuri për prurjet që i kemi në ‘Kultstrofa’, sepse ne e hapim thirrjen e më pas është juria ajo që vendos, e krejt rastësisht profesori Vinca më ka treguar para katër muajve që kanë lidhur marëveshje dhe ka  redaktuar librin e Ajne Iberhysaj, e ky është ede misioni i një medie , ky është misioni i të gjithë atyre që merren me art dhe kulturë, që të krijojnë ura. Urat janë shumë të rëndësishme që ne të mbështesim njëri-tjetrin, dhe kjo urë na ka mledhur të gjithëve sot bashkë dhe unë po uroj që pas një viti të takohemi për një bashkëpunim të radhës” , tha mes tjerash Pajaziti.

Një fjalë rasti e mori edhe piktori Musë Prelvukaj, i cili foli më shumë reth piktorëve, veprat e të cilëve u shfaqën në ekspozitën e hapur kraas promovimit të librit.

“Ndjehem mirë që gjendem në këtë ambient siç është KultPlus, një ambient që ia ka haur derën shumë krijuesve. U ndjeva aq  lehtë e mirë sot sepse ndjeva fjalët e shkruara nga poetja Iberhysaj, por natyrisht për pikturat nuk do të flas sepse jemi kolegë së bashku, e dijmë punën  e secilit, por do të them nga një fjalë me radhë. Skendër Idrizi, piktor nga Mitrovia, një piktor që krijon  në mënyrë bashkëkohore, në një mënyrë të veçantë artistike e që frmëzim e ka minierën e Trepçës, Agron Mulliqi, që ka meritë shumë të madhe për hapje e kësaj ekspozite, Mulliqi krijon në frymën e artit bashkëkohor, Merita Mynderrizi – Maloku, është një peisazishte e shkëlqyer, që krijon risi në çdo peisazh, pastaj kemi Bija Jasiqi, një piktore pasionante që krijon pa ndërprerë”  tha Prelvukaj.  

Ndërkaq, promovimi  i librit ‘Gravurë me ngjyrat e kohës’ erdhi si një ngjarje që u bë një hapësirë e hapur për të gjithë adhuruesit e librit dhe pikturës, duke krijuar një mbrëmje të mbushur me emocion, reflektim dhe frymëzim artistik. Të pranishmit patën mundësinë të ndiejnë fuqinë e fjalës dhe të ngjyrës, në një ndërthurje të harmonishme që i dha kësaj nate një hijeshi të veçantë./KultPlus.com

Të ngjajshme