Mbyllet porta e Bibliotekës së Gjilanit, nuk ka shërbime në kohë të iftarit

13 Mars, 2025 - 1:56 pm

Blinera Hajdari

Biblioteka e Gjilanit është lehtë e dallueshme nga çdo objekt tjetër në këtë qytet. Përveç dukjes së saj, është mjaft e furnizuar, sepse personalisht gjej çdo libër që nuk e gjej dot në bibliotekën e kryeqytetit, e shpesh dhe në librari. Madje theks të veçantë, i vendos gjithmonë digjitalizimt, çka mundëson kërkimin, rezervimin dhe shtyrjen e afatit të kthimit. Ndoshta është biblioteka e vetme në Kosovë, ku respektohet afati i kthimit të librave, si shkak i gjobës që marrim në raste të vonimit të librit.

Thënë krejt kjo, imagjinoni sa dëshpëruese është kur shkon në një të hënë, ditë pune, në orën 17:45 dhe nuk punon asgjë. Aq errësirë, sa fillon të mendosh se mos ke hyrë diku gabim. Jo, sepse thashë që ky objekt është lehtë i dallueshëm. Nuk kishte dritë të ndezur përpos korridorit hyrës, sallës së leximit menjëherë në të majtë dhe sallës së fëmijëve. Këto ishin drita e vetme të ndezura të bibliotekës trekatëshe.

Me të hyrë, i thash recepsionistes, dua të marrë një libër, dhe ma kthej ‘ Veç nesër’. Po e ritheksoj furnizimin që ka kjo bibliotekë, ku shpesh unë marrë libra dhe i shpërndaj fotot e saj me të gjithë kolegët, që e kanë të pamundur sigurimin e disa titujve. U futa në sallën për fëmije, ku një grua më përshëndeti, dhe i tregova kërkesën time. Më tha që tashmë punëtorët kishin dalë nga puna, shkaku i iftarit dhe veç nesër mund t’i merrja librat. I tregova që kam ardh nga Prishtina për këtë libër dhe nesër do të shkoja herët në Prishtinë. Dola nga dera dhe në korridor, desha t’i bëj një foto bibliotekës së zbrazët e të errët, e atëherë kjo grua doli dhe më tha se do të më ndihmoj, pasi kam bërë gjithë këtë rrugë. Me të kërkuar librin në sistem, shkuam bashkë në katin e dytë, ku e gjeti librin dhe ma dha. Krejt kjo nuk mori as 5 minuta kohë. E pyeta nëse vetëm sot kishte mungesë stafi, dhe më tha që kjo është pothuajse që një javë, ku për iftar, punëtoret dalin nga puna në orën 17:00/17:30. Orari i bibliotekës, është deri në ora 19:00. Kur kam shkuar njëherë pak minuta para orës 19:00, nuk kam mundur të ndërroj librat pasi ishte fikur sistemi. Çka tash kur jam brenda orës së punës, dhe nuk po kryej punë? Nëse ndalim qytetarët e Gjilanit, dhe kjo vetëm, çdo njëri nga ta do të donte të punonte në punë ‘të shtetit’. Sepse është kjo punë që ofron siguri, të holla, stabilitet, pa u lodhur shumë, sipas shumicës së njerëzve, që mendojnë kështu me të drejtë. Por ata që bëjnë këto punë, nuk arrijnë ta respektojnë as pikën e parë, orarin.

Dola nga biblioteka, që nga errësira e orës 18:00, as nuk shihej mbrapa meje dhe pas diku 10 minutave bëra të njëjtën rrugën, duke kaluar prapë nga biblioteka. Ajo grua, që më ndihmoi mua, kishte dalë nga biblioteka, dhe kishte shikimin nga semaforët, e veshur dhe me çantën në krah, dukej sikur po priste dikë të vinte për ta marrë. Pra, dhe ajo përfundoi orarin e punës, sepse në Bibliotekën e Gjilanit, Fan Noli, në ramazan, nuk paska orar!/ KultPlus.com

Të ngjajshme