21 Mars, 2020 - 9:30 pm
Alda Merini, poeteshë milaneze, lindi në kryeqendrën lombarde më 21 mars 1931.
Më e vogla e tre fëmijëve, kushtet e familjes janë modeste. Alda ndjek shkollat profesionale në Institutin “Laura Solera Mantegazza”; kërkon të pranohet në shkollën e mesme Manzoni, por – duket e pabesueshme – nuk e kalon testin e italishtes. Në këto vite ajo gjithashtu kaloi shumë kohë duke studiuar piano.
E nxitur nga Giacinto Spagnoletti, zbuluesi i saj i vërtetë, bëri debutimin e saj si autore në moshën 15 vjeçare. Spagnoletti do të jetë i pari që publikon krijimtarinë e saj në vitin 1950: në “Antologjia e poezisë italiane 1909-1949” shfaqen poezitë e saj “Katedralja” dhe “Drita”.
Në vitin 1947 do të ketë atë që ajo e quajti “hijet e para të mendjes”: ajo u shtrua një muaj në spitalin psikiatrik të Villa Turno.
Në vitin 1951, edhe me sugjerimin e Eugenio Montales, botuesi Scheiwiller përfshin dy poezi të pabotuara nga Alda Merini në “Poetesha të shekullit të njëzetë”.
Në këtë periudhë ajo i përkushtohet punës, por edhe miqësisë me Salvatore Quasimodon.
Martohet me Ettore Carniti, pronar i disa furrave të bukës në Milano, në vitin 1953. Del vëllimi i parë i vargjeve me titull “La presenza di Orfeo” “Prania e Orfeut”. Dy vjet më vonë publikon”Nozze Romane” “Dasma Romane” dhe “Paura di Dio” “Frika nga Perëndia”. Gjithashtu në vitin 1955 lindi fëmija i parë Emanuela: mjekut të pediatrisë ia dedikoi përmbledhjen “Tu sei Pietro” “Ti je Pjetri” (botuar në vitin 1961).
Poetja pastaj fillon një periudhë të trishtuar të heshtjes dhe izolimit: mbyllet në “Paolo Pini” deri në vitin 1972, gjatë së cilës kohë nuk mungon ndonjë rast të kthehet në familje, dhe gjatë së cilës i lindën tri vajzat (Barbara, Flavia dhe Simonetta ).
Pas periudhave të ndryshme të shërimit dhe sëmundjes, e cila zgjati deri në vitin 1979, Merini i kthehet shkrimit; ajo e bën këtë me tekstet intensive dhe dramatike që tregojnë përvojat e saj tronditëse në izolim. Tekstet mblidhen në “La Terra Santa” “Tokën e Shenjtë”, botuar nga Vanni Scheiwiller në vitin 1984.
Në 1981 burri i saj vdes dhe, mbetur vetëm, Merini ia jep me qira një dhomë të shtëpisë së saj piktorit Charles; fillon të komunikojë me telefon me poetin Michele Pierri, i cili, gjatë asaj periudhe të vështirë të kthimit të saj në botën letrare, kishte treguar vlerësime të shumta për punën e saj.
Të dy u martuan në vitin 1983: Alda u zhvendos në Taranto ku mbeti tre vjet. Në këto vite shkruan njëzet “Poezi-portrete” të “La gazza ladra” (1985) si dhe disa tekste për burrin e saj. Në Taranto ajo gjithashtu përfundoi “L’altra verità. Diario di una diversa” “E Vërteta tjetër: Ditari i një të Ndryshmeje”, libri i saj i parë në prozë.
Pasi ka përjetuar përsëri tmerret e izolimit, këtë herë në Taranto, ajo kthehet në Milano në vitin 1986: fillon një terapi me Dr Marcella Rizzo, të cilit do t’i kushtojë disa poezi.
Nga pikëpamja letrare këto janë vite shumë produktive: pasoja natyrore është edhe pushtimi i një qetësi të re.
Gjatë viteve, disa botime do të konsolidojnë kthimin në skenën letrare të shkrimtares.
Në vitin 1993 merr çmimin Librex-Guggenheim “Eugenio Montale” për poezinë, si shkrimtarët e tjerë të mëdhenj bashkëkohorë para saj, duke përfshirë Giorgio Caproni, Attilio Bertolucci, Mario Luzi, Andrea Zanzotto, Franco Fortini.
Në vitin 1996 u nderua me çmimin “Viareggio” për volumin “La vita facile”; vitin e ardhshëm mori “Çmimin Procida-Elsa Morante”.
Në vitin 2002 Salani ia publikoi një vëllim të vogël të titulluar “Folle, folle, folle d’amore per te” “E çmendur, e çmendur, e çmendur nga dashuria për ty”, me një mendim të Roberto Vecçionit i cili në vitin 1999 kishte shkruar “Canzone per Alda Merini, “Këngën për Alda Merinin”.
Në vitin 2003 “Einaudi Stile Libero” boton një kuti me videokasetë dhe tekstin me titull “Più bella della poesia è stata la mia vita”, “Më e bukur se poezia ishte jeta ime”.
Në shkurt 2004 Alda Merini u pranua në Spitalin San Paolo në Milano për shkak të problemeve shëndetësore. Një mik i shkrimtares kërkon ndihmë financiare me një apel që do të bëjë që ajo të marrë nga e gjithë Italia e-maile për ta mbështetur atë. Shkrimtarja më vonë do të kthehet në shtëpinë e saj në Porta Ticinese.
Në vitin 2004 doli një album me njëmbëdhjetë këngë të kënduara nga Milva, të marra nga poezitë e Alda Merinit.
Vepra e saj e fundit është e vitit 2006: Alda Merini i afrohet zhanrit noir me “La nera novella” (Rizzoli).
Alda Merini vdiq në Milano më 1 nëntor 2009 në departamentin e onkologjisë të spitalit San Paolo për shkak të tumorit të eshtrave.
Në kujtim të personit së saj dhe veprës së saj, bijat Emanuela, Barbara, Flavia dhe Simonetta, krijuan faqen e internetit www.aldamerini.it, një antologji në kujtim të poetes, një lëvdatë për ”Bletën e tërbuar”, kushtuar figurës së saj si shkrimtare dhe nënë.
Në vitin 2016, me rastin e ditëlindjes së saj, Google ia dedikoi një logo. /Voal.ch /KultPlus.com