21 Qershor, 2020 - 4:30 pm
Gotfrid Vilhelm Lajbnici (Gottfried Wilhelm Leibniz, 21 qershor/ 1 korrik 1646 – 14 nëntor 1716), ishte filozof, shkencëtar, matematikan, diplomat dhe jurist gjerman. i cili kryesisht shkruante në gjuhën latine dhe frënge.
Lajbnici konstruktoi makinën e parë llogaritëse që ishte e aftë të kryejë shumëzimin dhe pjesëtimin. Ai gjithashtu futi në përdorim sistemin e numrave binar që sot përdoret në sistemet kompjuterike. Pavarësisht nga Isak Njutoni ai, “zbuloi” ,,njehsimin diferencial,, dhe futi në përdorim simbolet për integralin, derivatin dhe diferencialin të cilat edhe sot janë në përdorim për dallim nga simbolet e Njutonit të cilat ishin më konfuze , për integralet zgjodhi germën latine (S germa e parë e fjalës suma), të cilën e zgjati pak dhe për simbol të derivatit respektivisht të diferencialit germën D (germa e parë e fjalës latine diferentia). Lajbnici mendonte që simbolet janë shumë të rëndësishme për t’i kuptuar gjërat. Ai gjithashtu provoi të formojë një alfabet për mendimet njerëzore, në të cilin do t’i pasqyroje të gjitha konceptet bazike të përdorimit të simboleve dhe kombinimet e tyre për të pasqyruar mendime më komplekse. Lajbnici asnjëherë nuk e përfundoi këtë. Kontributi i tij filozofik për matematikën është bazë e Monadologjisë, në të cilën fut Monadat si “formë substanciale e qenies”, të cilat janë të ngjashme me atomet shpirtërore, i përjetshëm, i patretur, individual, të ndjekur nga vet ligji i tij, pa bashkëveprim (“xham dritareje”) por që nuk reflektonin Universin si tërësi. Në këtë rrugë skema e mësipërme si nocion që tret monadën në problemin e bashkëveprimit të mendjes dhe dukjes së lëndës. Ai bashkë me Rene Descartes, dhe Baruch Spinoza është njëra nga tre figurat më të rëndësishme të racionalizmit të shekullit XVII. Ai zë një pjesë të madhe në historinë e filozofisë dhe në historinë e matematikës. Është i njohur konstatimi i tij se universi ynë është më i miri i mundshmi me fjalë tjera as Zoti vetë nk do të mund të krijonte një më të mirë. Lajbnici dha kontribute të çmueshme edhe në Fizikë, teknologji, biologji, mjekësi, gjeologji, psikologji, linguistikë. Ai gjithashtu shkroi edhe për tema nga politika, Jurisprudenca,Etika, Teologjia, historia, dhe Filologjia.
Lajbnici, njëherit, ka bërë studimin e parë ndër gjermanët dhe evropianët për prejardhjen e gjuhës shqipe e të shqiptarëve. Lajbnici me tri “letrat shqiptare[1] që ai i ka dërguar bibliotekarit mbretëror në Berlin, së bashku me albanologun Erik Hemp, “një dijetar të hershëm të vërtetë të gjuhës shqipe”[2] paraqesin të parët teorin “ilire” të prejardhjes së gjuhës shqipe.
Gotfrid Vilhelm Lajbnici lindi më 5 korrik 1646 në Leipzig, babai i vdiq kur ai kishte 6 vjet kështu që mësimet e para nga feja dhe morali i mori nga nëna e tij. Këto mësime zgjuan tek ai një nxitje për tu marrë me filozofi. Në moshën madhore prezantohej si “von Leibniz”. Babai i tij ishte profesor i filozofisë së moralit në Universitetin Leipzigut i la një bibliotekë personale mjaft të pasur në të cilën Lajbnici filloi të studionte libra që në moshën 7 vjeçare. Kur i mbushi 12 vjet pa problem e zotëronte gjuhën latine e cila në atë kohë ishte gjuha e shkencës. Pastaj filloi të interesohej për gjuhën greke. Në moshën 14 vjeçare i filloi studimet në Univerzitetin ku punoi babai i tij të cilin pas 4 vjetësh e mbaroi në degën e jurisprudencës aty ai gjithashtu mori leksione nga logjika dhe filozofia skolastike. Edukimi i tij matematik ishte në nivelet si në Francë dhe Britani. Në vitin 1666 (ai e publikoi librin e tij të parë si temë diplome Mbi artin e Kombinatorikës.
Janë të njohura tri letra, si duket letërkërkesa të Lajbnicit dërguar një bibliotekisti në Berlin. Në letrën e parë të datës 24 janar të vitit 1705, Lajbnici shprehte mendimin se shqipja duhej të ishte një gjuhë sllave, kurse gjuha e ilirëve të lashtë mund të ekzistonte diku në Epir.
Letrën e dytë ai e shkroi pothuajse pesë vjetë më vonë, më 10 dhjetor 1709, pasi kishte shtënë në dorë një libër dhe një fjalor të gjuhës shqipe, që ishte identifikuar (nga Erik Hemp), përkatësisht Fjalorin latinisht-shqip të frang Bardhit (Dictioarium latinoepiroticum, Romë 1635 ) dhe veprën e Pjetër Budit.
Duke hedhur poshtë mendimin e shprehur në letrën e parë se “gjuha e ilirëve të lashtë ishte një gjuhë krejt e ndryshme nga shqipja”, në këtë letër të dytë ai arriti në përfundim se: “… kjo ishte gjuha e ilirëve të lashtë”.[1]
Laibnici ishte i pakënaqur nga mënyra se si Dekarti dhe Spinoza kishin përshkruar natyrën e substancës, sepse ai e ndiente që ata i kishin shtrëmbëruar idenë tonë për natyrën njerëzore, lirinë dhe Zotin. Të thuash, siç thoshte Dekarti, që mendimi dhe shtrirja janë dy substanca të pavarura, do të thotë të krijosh një dilemë të fortë për shpjegimin e ndërveprimit mendje-trup, si tek njeriu ashtu edhe tek Zoti. Spinoza u përpoq ta zgjidhte këtë dilemë duke thënë se egziston vetëm një lloj substance me dy lloj atribute të ndryshme, që janë mendimi dhe shtrirja. Por të reduktosh të gjithë realitetin në një substancë të vetme, do të thotë të humbësh dallimin midis elementeve të ndryshëm natyror. Megjithse Spinoza u përpoq të na e jepte botën e përbërë nga shumë mënyra, të krijuara nga format e ndryshme që merrte mendimi dhe shtrirja, përsëri monizmi i tij ishte një panteizëm ku Zoti ishte gjithçka dhe çdo gjë ishte pjesë e diçkaje tjetër. Për Laibnicin konceptimi i tyre për substoncën ishte i përshtatshëm, sepse ai turbullonte dallimin midis Zotit, njeriut dhe natyrës, të cilat Laibnici donte t’i veçonte. Në mënytë paradoksale, Laibnici pranoi teorinë e Spinozës për një substancë të vetme dhe modelin e tij mekanik të universit; por ai e paraqiti në një mënyrë kaq unike teorinë e një substonce, sa që ishte në gjendje të fliste për individualitetin njerëzor, transhendencën e Zotit, si dhe për realitetin e përbërë nga liria dhe qëllimet universale.
Laibnici ishte ai që ndryshoi supozimin bazë, mbi të cilin Dekarti dhe Spinoza kishin ndërtuar teorinë e tyre të substancës, dhe pikërisht atë që shtrirja merr përmasa dhe formë të caktuar. Dekarti supozonte se shtrirja i referohet një substance materiale, që shtrihet njësoj në hapsirë dhe nuk është e ndashme në diçka më parësore. Spinoza, nga ana tjetër, e konsideronte shtrirjen të reduktuar vetëm në vetitë e Zotit apo Natyrës. Laibnici nuk pojtohej me asnjë nga idetë e mësipërme. Duke vërejtur me anë të shqisave tona, se të gjithë trupat apo objektet janë të ndarë në pjesë më të vogla, atëherë, pyeste Laibnici, pse ne nuk mundemi të supozojmë se të gjitha gjërat janë agregate ose të përbëra? “Duhet të ketë substanca të thjeshta, – thoshte ai, “përderisa ka substanca të përbëra; përderisa një përbërje nuk është gjë tjetër veçse bashkim apo agregat i substancave të thjeshta”.
Megjithatë, në thënien se çdo gjë përbëhet nga substanca më të vogla, nuk ka asgjë të re sepse, që në kohën e Demokritit dhe Epikurit është diskutuar që substancat përbëhen nga atome. Por Lajbnici ishte ai që e hodhi poshtë nocionin e atomit, sepse Demokriti e kishte përshkruar atë si trup në shtrirje, si një pjesëz të reduktuar të materies. Këto pjesëza të vogla konsidëroheshin pa jetë ose interne dhe të cilat duhet ta merrnin lëvizjen nga diçka që ndodhej jashtë tyre. Duke hedhur poshtë idenë e materies si primare, Lajbnici argumentonte se substancat vërtet të thjeshta janë monadat, të cilat “janë atomet e vërteta të natyrës…elementet e gjithçkaje”. Monadat ndryshojnë nga atomet, pasi këto të fundit deri tani ishin parë si trupa në shtrirje. Ndërsa Lajbnici i përshkruante monadat si forcë ose energji. Ai, më tej, thoshte se materia nuk është element primar i sendeve, por monadat, me elementin e tyre forcë, përbënin substancat bazë të sendeve.
Lajbnici donte të vinte në dukje se substanca përmban jetë ose forcë dinamike. Ndërkohë që atomi material i Demokritit duhej të ndikohej nga jashtë, me qëllim që të lëvizte apo të bëhej pjesë e tufës së madhe të atomeve, Lajbnici thoshte, se substanca e thjeshtë, monada është, “e aftë për të vepruar”. Fjala monadë rrjedh nga fjala greke monas, e cila do të thotë bashkim, prandaj ai shtonte se “substancat e përbëra janë një bashkim monadash. Kështu pra, substancat e thjeshta, jetët, shpirtërat janë njësi. Rrjedhimisht e gjithë natyra është plot me jetë”.
Sipas Lajbnicit, monadat janë elemente pa shtrirje, ato nuk kanë formë apo përmasa. Një monadë është një pikë, e cila nuk nënkupton as pikë fizike dhe as atë matematike, por një pikë metafizike ekzistence. Çdo monadë është e ndarë nga tjetra dhe ato nuk kanë ndonjë lidhje të rastit me njëra-tjetrën. Megjithëse ishte e vështirë të imagjinoje një pikë pa përmasa dhe formë, Lajbnici donte ta theksonte këtë me qëllim që të bënte diferencimin nga atomi material i Demokritit. Mendimi i tij në këtë fazë është i ngjashëm me nocionet e shekullit XX, ku thuhet se pjesëzat e vogla fizike janë forma të veçanta të energjisë. Kryesisht, Lajbnici thoshte se monadat janë logjikisht parësore ndaj çdo lloj forme tjetër trupore. Atëherë, vazhdonte ai, substanca e vërtetë janë monadat, të cilat i quante substanca shpirtërore, për të theksuar natyrën e tyre jomateriale. Çdo monadë është e ndryshme nga të tjerat dhe zotëronte forcën dhe parimet e saj të veprimit, dhe, thoshte Lajbnici, “ato kanë një siguri të mjaftueshme, që shërben si burim i lëvizjeve të tyre të brendshme. Ato, gjithashtu, përmbajnë brenda vetes burimin e veprimeve të tyre”. Përveç kësaj, për të theksuar se gjithë pjesa tjetër e universit nuk mund të ndikonte në sjelljen e tyre, Lajbnici thoshte se monadat janë krejt të mbyllura (pa dritare) ndaj tij. Por duhet të jenë lidhjet midis monadave ato që i japin universit shpjegimet për veprimet e tyre të rregullt. Këto shpjegime, Lajbnici i gjeti në idenë e tij të harmonisë së paravendosur.
Çdo monadë vepron në përputhje me qëllimin e saj. Monadat e mbyllura, të cilat ndjekin qëllimet e tyre formojnë një bashkim apo univers të rregullt. Megjithëse secila prej tyre është e ndarë nga tjetra, qëllimet e tyre të veçuar formojnë një harmoni të një shkalle të lartë. Kjo është njësoj sikur një shumicë sahatesh të ndryshëm të bien të gjithë në të njëjtën orë, pasi secili e llogarit kohën mjaft saktë. Lajbnici i krahasonte të gjitha këto monada me një numër koresh dhe bandash muzikantësh të cilët luanin secili pjesët e tyre të ndara, që as mos e dëgjonin apo shikonin njëri-tjetrin, por, megjithatë, shkonin së bashku në mënyrë të përsosur secili duke ndjekur notat e tij, sa dikush, që i dëgjonte nga jashtë, gjente tek to hormoninë e mrekullueshme dhe habinë për mos ekzistencën e asnjë lloj lidhjeje midis tyre”. Pra, sipas kësaj, çdo monadë ishte një botë më vete, por secila prej tyre vepronte në harmoni me të tjerat. Kështu mund të thuhet se çdo monadë pasqyronte universin (por sipas një prespektive unike) në mënyrë të tillë që sikur një gjë “të ndryshonte apo të largohej prej tij, të gjitha të tjerat do të ndryshonin”. Një harmoni nuk mund të jetë pasojë e një krijimi të rastësishëm monadash, por, thoshte Lajbnici, duhet të jetë si rezultat i veprimtarisë së Zotit; pra, kjo lloj harmonie është e paravendosur.
Harmonia, që ekziston tashmë në botë, e bëri Lajbnicin të argumentonte se Zoti jo vetëm i kishte paravendosur gjërat në botë, por, gjithashtu, ai kishte krijuar më të mirën e mundëshme të gjithë botëve. Megjithëse kjo është më e mira e botëve ose qoftë vetëm e mirë, gjithmonë mbetet e hapur pyetja për arsyen e rrëmujës dhe të këqijave të saj. Në të vërtetë, Shopenhaueri mendonte se, me gjithë këtë të keqe që mbizotëron në të, kjo është më e keqja e të gjithë botëve; kështu ne nuk jemi të bindur, nëse Zoti ekziston apo ai Zot që e ka krijuar atë ka qënë një Zot i mirë. Lajbnici ishte i ndërgjegjshëm për rrëmujën dhe të keqen që ekziston, por ai e konsideronte këtë të pajtueshme me konceptin e një krijuesi me vullnet të mirë. Në njohjen e tij të përsosur, Zoti merr parasysh të gjithë llojet e botëve që ai mund të krijojë; por zgjedhja e tij duhet të jetë në përputhje me kërkesat morale që një botë duhet të përbëhet nga e mira, sa më shumë që të mundet. Por, botë të tilla nuk mund të jenë të përsosura. Përkundrazi, një botë e krijuar konsiston në kufizime dhe papërsosmëri të sendeve, “pasi Zoti nuk mund t’i japë krijesës së tij gjithçka të përsosur, pa e bërë atë gjithashtu Zot, prandaj gjithçka në botë ka kufizime të çforëdo lloji”. Burimi i së keqes nuk është Zoti, por natyra jo e përsosur dhe e kufizuar e sendeve që Ai ka krijuar. Akoma më tej, e keqja nuk është thelbësore, por thjesht një mungesë përsosje, apo privim. Prandaj Lajbnici thotë se “Zoti dëshiron të paraprijë e mira dhe rrjedhimisht më e mira.” Përfundimisht, Lajbnici mendon se ne nuk mund të bëjmë një vlerësim të drejtë të së keqes, në qoftë se do ta shikojmë atë, vetëm nëpërmjet objekteve apo ngjarjeve të veçanta. Shumë gjëra, të cilat në vetvete duken se janë të këqia, shndërrohen në paraprirëse të së mirës; si për shembull, “ëmbëlsirat bëhen të mërzitshme, në qoftë se ne hamë vetëm ato; por po t’i kombinonim me diçka të thartë, të athët apo qoftë dhe pak të hidhur, atëherë do të stimulonim shumë shijen tonë”. Akoma më tej, ngjarjet e humbin prespektivën e tyre të vërtetë. Lajbnici pyet: “Në qoftë se shikoni një pikturë të mrekullueshme, pasi kemi mbuluar një pjesë fare të vogël të saj, çfarë tjetër do të shikoni prej saj, pamvarësisht nga analiza e kujdesshme, që mund t’i bëni, veçse një masë ngjyrash pa zgjedhje dhe pa art? Por në qoftë se do të hiqni mbulesën dhe do të shikoni të gjithë pikturën prej një këndvështrimi të duhur, do të kuptoni se ajo, çfarë ju duk si një shkarravinë e pakujdesshme, është në të vërtetë një punë e bërë prej piktori me shumë art”.
Si mund të ketë liri, vazhdon Lajbnici, në një botë të krijuar prej Zotit, ku ai përcakton një rregull sistematik, duke futur qëllime specifike brenda çdo monade? Secila monadë është e përfshirë në zhvillimin e qëllimeve të saj dhe “çdo gjëndje e një substance të thjeshtë është rrjedhim i një gjëndje paraprirëse”. Çdo person, identiteti i të cilit përqëndrohet rreth një monade mbisunduese, mund të paraqesë, në këtë pamje mekanike, një shpalosje të jetës së tij që prej fillimit. Më tej, përderisa natyra bazë e këtij përsoni është mendimi, sipas tij, zhvillimi jetësor konsiston në mposhtjen e mendimeve konfuze dhe arritjen e ideve të vërteta, të cilat ndodhen të gjitha brenda nesh në formën e potencialeve të errëta, që kërkojnë të marrin përmasa aktuale.
Kur këto potenciale bëhen aktuale, atëherë ne i shohim gjërat siç janë dhe kjo, thotë Lajbnici, do të thotë të jesh i lirë. Me këtë të fundit nuk kuptohet vullneti i lirë, apo fuqia e zgjedhjes, por një vetëzhvillim i brendshëm, që tregon se pamvarësisht nga përcaktimi që secili të veprojë sipas drejtimeve specifike, është natyra e tij e brendshme ajo që përcakton veprimet dhe jo forcat e jashtme. Sipas këtij kuptimi, liria nënkupton aftësitë e dikujt për t’u bërë pa kufizime, çfarë ai është përcaktuar të jetë që më parë dhe kjo, njëkohësisht, nënkupton një ekzistencë cilësore, pamvarësisht se njohja e tij ka kaluar nga konfuzja tek më e qarta. Njeriu i lirë është ai që e di pse dhe për çfarë e bën diçka. Kjo ishte rruga që Lajbnici zgjodhi për të pajtuar pikëpamjet e tij të determinizmit në natyrë me konceptin e lirisë.
Se si Lajbnici arriti në pajtimin e botës së monadave me nocionin e lirisë, është e dyshimtë. Gjithashtu ishte ai që fliste për lirinë si një “zgjidhje e vullnetit të lirë” dhe shtonte se “liria dhe vullneti i lirë nënkuptojnë të njëjtën gjë”. Akoma, këtu, duket se ai e vë theksin, më shumë se kudo, mbi idenë e determinimit, mbi nocionin e universit mekanik dhe makinës shpirtërore. Në këtë kohë Lajbnici nuk përdori modelin e tij mekanik për shpjegimin e universit, sepse, në qoftë se do ta bënte, ai do të thoshte se pjesë të ndryshme të universit ndikojnë mbi njëra-tjetrën në mënyrë të tillë siç ndikojnë pjesët e orës në lëvizjen e njëra-tjetrës. Në njëfarë mënyrë shpjegimi i tij ishte shumë më rigoroz në pikëpamjen determinuese, se sa si sugjerim i modelit mekanik. Monadat e tij ishin krejt të pavarura dhe nuk ndikoheshin nga njëra-tjetra, por vepronin në përputhje më qëllimin e tyre, të cilin i kishin që prej momentit të krijimit nga Zoti. Ky lloj determinizmi është më rigoroz, sepse nuk varet nga shkaqet e jashtme, por nga natyra e brendshme, e përhershme dhe e fiksuar e çdo monade.
Shpjegimi përfundimtar i botës, thotë Lojbnici, është se “disa gjëra ekzistojnë më shumë se disa të tjera, posi kjo është përcaktuar nga fjala e shenjtë…”. Gjërat janë kështu, siç janë, pasi Zoti i donte ato të tilla. Duke dëshiruar që disa gjëra të jenë kështu, siç janë, ai kufizoi numrin e mundësive të tjera dhe përcaktoi se cilat ngjarje mund të jenë të bashkemundshme. Zoti mund të ketë dëshiruar universe dhe bashkime të tjera të mundësive, por dëshira për këtë lloj universi bëri që tani të ekzistojnë këto lloj lidhje të domosdoshme midis sendeve. Gjithashtu, nga prespektiva e arsyetimit njerëzor, thëniet në lidhje me botën e fakteve janë sintetike ose i referohen përvojës apo verifikimit, në qoftë se do të kërkojmë të vërtetën e tyre, duhet të dimë që janë thënie analitike të përcaktuaro ngo Zoti. Vetëm Ai mund të arrijë në të vërtetën e të gjithë substancave. Dhe është vetëm injoranca, ajo që na pengon të shikojmë, në persona të veçantë, të gjitha të vërtetat që janë lidhur me to. Së fundi, të vërtetat e faktit, sipas Lajbnicit, janë po ashtu analitike. Kështu një njeri i përmban brenda tij të gjitha të vërtetat për veten dhe, në qoftë se do të arrijmë ta njohim atë, sipas një nocioni të plotë, atëherë do të arrijmë në zbulimin e asaj që është e vërtetë prej tij, si për shembull, “çfarë përfaqëson mbreti Aleksandri i Madh…”. Zoti duke njohur nocionin individual të Aleksandrit, e shihte atë, në të njëjtën kohë, si krijuesin dhe shkakun e të gjitha të vërtetave, të cilat i atribuoheshin vërtetë atij. Për shembull, ai dinte nëse do të mposhtëte Darius-in dhe Porus-in; nëse ai vdiq në mënyrë natyrale apo i helmuar, të vërteta këto të cilat ai i dinte a priori [jo nga përvoja], ndryshe nga ne [me intelektin tonë të kufizuor njerëzor], që i njohim këto vetëm nga historia”.
Pra për Lajbnicin, logjika ishte çelësi i metafizikës. Nga gramatika e thënieve, ai arriti në konkluzionin e botës reale. Së fundi, ai hodhi idenë se të gjitho thëniet e vërteta janë analitike. Si rrjedhim, si substancat ashtu dhe njerëzit, për Lajbnicin janë të njëjta me kryefjalët e një thënie analitike, të cilat përfshijnë kollëzuesit (pohimet, të vërtetat) brenda tyre. Ai, gjithashtu, zbatoi ligjin e tij të vazhdimësisë tek ideja e tij e substancës, me qëllim që të vërtetonte teorinë e tij, që çdo substancë i shpalos të vërtetat e saj sipas një renditje dhe parashikimi të përcaktuar nga Zoti. Ligji i vazhdimësisë hedh idenë se “natyra nuk bën shmangie”. Në botën e krijuar prej Zotit çdo pozicion është i zënë; kështu të gjitha ndryshimet janë në vazhdimësi. Pra monadat e mbyllura, mbajnë brenda tyre gjithë reagimet për të ardhmen. Dhe ashtu siç është e vërtetë për monadat, po oshtu është e vërtetë se të gjitha kombinacionet dhe mundësitë e ndryshme të ngjarjeve mbajnë brenda tyre gjithë të ardhmen e botës dhe arsyeja e mjaftueshme për këtë rregull është “shkaku suprem, i cili e bën gjithçka në mënyrën më të përsosur”. Gjithashtu, pamvarësisht se mendja njerëzore përmban shumë ide të lidhura dhe të vërteta, ajo nuk mund të njohë realitetin ashtu siç e njeh Zoti. Një fëmijë nuk mund të njohë gjithshka menjëherë, por duhet të presë derisa të rritet dhe derisa raste të veçoantë të përvojës së përditshme, t’ia vërtetojnë ato. Pikërisht fakti që këto ide bëhen të njohura vetëm në raste të tillë, i bën ato tepër të natyrshme. Megjithatë doktrina e idesë së lindur, shoqëruar me realitetin, pasqyroi vlerësimin e tij optimist, për aftësinë e arsyes në njohjen e realitetit dhe besimin e tij që nga të vërtetat e brendshme të natyrshme mund të burojnë dije, pothuajse të plota, të botës reale.