4 Qershor, 2024 - 3:33 pm
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se më 5 qershor, do të hapet Panairi i 24-t i librit “Prishtina 2024”, me moton “Përgjigjja është libri”.
“Me moton “Përgjigjja është libri” vjen edicioni i 24-t i Panairit të Librit, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, me ndihmën dhe bashkëpunimin e vyer nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës dhe Pallati i Rinisë”, thuhet në njoftim.
Ceremonia e hapjes do të bëhet të mërkurën në ora 12:00 dhe do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga ora 9:00 deri në 21:00, deri më datën 9 qershor në ora 19:00.
Në panair do të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora, numri i titujve të rinj do të jetë rreth 2000, kurse numri i titujve të fundit rreth 6000.
Përvjetorët që shënohen në Panairin e 24-t të librit janë:
– 100-vjetori i lindjes së At Zef Pllumit
– 100-vjetori i vdekjes së Franz Kafkas
Në panair do të jenë mbi 40 aktivitete, promovime dhe autorë të pranishëm, ku spikasin i ftuari i nderit shkrimtari francez Éric Faye, fitues i Çmimit të Madh për roman të Akademisë Franceze dhe i Çmimit Deux-Margots
– Botimi dhe promovimi i vëllimit testament të Rexhep Qosjes, po ashtu i ftuar i nderit
Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës. Ky panair përkon edhe me përvjetorë të rëndësishëm që do të shënohen me aktivitete, përkujtime e debate./KultPlus.com