6 Shkurt, 2021 - 10:25 am
Halim Begeja njihet si jurist që dha kontribut të madh në çështjet kombëtare të Shqipërisë, shkruan KultPlus.
Begeja që në moshen 15-vjeçare u bë pjesëtar aktiv në formacionin e “S.K.Tiranës” me të cilin ai fitoi tre tituj kampion i Shqipërisë. U bë pjesë e ekipit kombëtar që prej vitit 1936 nën drejtimin e hungarezit Samo Singer.
Më 16 shtator 1942, Halimi merr pjesë në Konferencën e Pezës, si përfaqësues i Rinisë Nacionaliste dhe i deleguari personal i Mit’hat Frashërit. Ai përpiloi “Traktin për Demokracinë”, dokument që në historiografinë e luftës ka hyrë me emrin “Dekalogu i Ballit Kombëtar”.
Ky dokument paraqitet nga Halimi, miratohet nga organizata e Ballit Kombëtar dhe shpallet publikisht më 28 nëntor 1942. Në qershor 1944 shkon në Kosovë, si zv.komandant i batalionit “Besnik Çano”, ku luftoi për tre muaj rresht. Në vitin 1944 largohet nga Shqipëria dhe vendoset në Neë York, ku vazhdoi aktivitetin e tij politik kundër komunizmit. Halim Begeja ishte anëtar themelues i komitetit “Shqipëria e Lirë” dhe sekretar i këtij komiteti.
Gjithashtu ai u zgjodh Sekretar i përgjithshëm i Ballit Kombetar dhe se bashku me Vasil Andonin, Halit Maçin, Nexhat Peshkëpinë e të tjerë, botuan për disa dekada gazetën “Flamuri” të Ballit Kombëtar. Më vonë me shpenzimet e veta botoi në New York gazetën “Zëri i Ballit Kombëtar.”
Me këtë frymë vazhdoi veprimtarinë e tij kudo që ishte, në Evropë dhe SHBA. Vuante nga veshkat dhe u detyrua që të bënte transplant. Për këtë ishte Jusufi, i vëllai, i cili erdhi nga Franca në New York dhe i dhuroi veshkën e vet , me të cilën Halimi jetoi edhe tre vjet të tjera. Vdiq në New york në vitin 1977 pa e parë vendin dhe familjen e tij. / KultPlus.com