Me dedikim për 25-vjetorin e çlirimit të kryeqytetit, promovohet edicioni i dytë i revistës ‘Prishtina Art’

25 Korrik, 2024 - 9:34 pm

Mbrëmë, në ambientet e bibliotekës “Hivzi Sylejmani” në kryeqytet është bërë promovimi i edicionit të dytë të revistës kulturore të Drejtorisë për Kulturë, “Prishtina Art”, në të cilën pasqyrohet pasuria dhe diversiteti i jetës kulturore në Komunën e Prishtinës.

“Prishtina Art” si magazinë kulturore është një botim i shtypur prej 120 faqesh, e cila u botua në kuadër të 25- vjetorit të Çlirimit të Prishtinës. Në të janë paraqitur artikuj dhe intervista  të shkruara me shumë dashuri e pasion dedikuar personaliteteve ikonike të kryeqytetit dhe ngjarjeve më të rëndësishme të zhvilluara ndër vite.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, promovimin e edicionit të dytë të “Prishtina Art” e ka quajtur një platformë shumë të rëndësishme, përmes së cilës kryeqyteti do të promovohet në aspektin e artit dhe kulturës edhe në nivel ndërkombëtar.

“Misioni ynë është që ta shëndrrojmë kryeqytetin në një qytet të artit dhe kulturës nëpërmjet eventeve të ndryshme. E kemi bërë këtë edhe përmes transformimeve urbane, lirimit të hapësirave të ndryshme fizike duke mundësuar që një numër i madh i artistëve të kenë qasje, po ashtu edhe përmes organizimeve si p.sh Manifesta e Bienale. Sot, patëm nderin të lansojmë edicionin e dytë të “Prishtina Art”, një platformë e re për komunitetin tonë artistik, për të shprehur mendimet e tyre se çka ofron kryeqyteti në spektrin e artit dhe kulturës, cilët janë artistët tanë, si mendojnë ata në aspektin filozofik, teorik, funksional për kryeqytetin”, ka thënë kryetari Rama.

Kryetari Rama më tej është shprehur optimist për të ardhmen e kryeqytetit pasi sipas tij krijimi i platformave të tilla si “Prishtina Art” mundësojnë promovimin e Prishtinës si kryeqytet me karakter unik në botë, në aspektin e artit dhe kulturës.

“Po besoj që e ardhmja e kryeqytetit dhe e vendit tonë është shumë më produktive, më e mirë, më e sofistikuar. Kjo si rezultat i krijimit të këtyre platformave të artit dhe kulturës përmes së cilave vihen në pah njerëzit kreativ, intelegjent e pozitiv të cilët kuptohen në mozaikun ndërkombëtar, edhe më mirë nëpërmjet diplomacisë kulturore, pasi diplomacia politike stagnon ose është shumë e ngadalshme në krijimin e potencialeve madhore që komuniteti ynë i posedon dhe mund t’i prezantojë. “PrishtinaArt”, është një ndër shumë projektet të cilat jemi duke i zhvilluar”, ka thënë kryetari Rama duke potencuar se revista do të ketë shtrirje edhe në ambasada dhe vende të tjera ku do të kenë qasje turistët.

“Kjo magazinë do të jetë pjesë e ambasadave, përveq institucioneve tona lokale dhe qendrore. Pra, do ta shpërndajmë edhe në ambasada, edhe në kompani të aviacionit që fluturojnë nëpër vende të ndryshme të botës, ku turistët e ndryshëm do të kenë mundësi që të njihen me artin dhe kulturën, me mënyrën se si ne mendojmë dhe veprojmë në dimensionin kulturor”, ka thënë kryetari Rama.

Ndërsa, Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, ka thënë se përmes këtij edicioni është synuar paraqitja e plotë e peisazhit kulturor të Prishtinës përgjatë 25 viteve të fundit, e i cili pritet të ndikoj në peisazhin e ardhshëm kulturor të kryeqytetit.

“Revista i dedikohet 25-vjetorit të Çlirimit të Prishtinës, jam jashtëzakonisht e lumtur që nëpërmjet këtij edicioni ne njohim kontributin të cilin e kanë dhënë artistët në këtë dy dekadësh e gjysmë. Jemi munduar ta konceptojmë asisoj që të prezantojmë peisazhin e larmishëm të të gjitha llojeve të artit, të cilin e ka pasur qyteti në dy dekadat e fundit. Jam e lumtur që evente të tilla i bëjnë bashkë të gjithë personalitetet e kulturës dhe të artit në kryeqytet, ky është qëllimi im primar që ne si drejtori e kulturës që dokumentojmë historinë, të ardhmen dhe i japim një orientim vlerave si cilësisë, estetikës dhe artit të së ardhmes. Pa e njohur të kaluarën nuk mund ta njohim as të tashmen as të ardhmen”.

Drejtoresha Halimi më tej ka thënë se botimi i “Prishtina Art” në gjuhën shqipe dhe angleze do të mundësoj që Kosova të promovohet edhe në nivel ndërkombëtar.

“Kosova, kryeqyteti në përgjithësi, ka një histori shumë të begatshme të letërsisë, artit, kulturës në përgjithësi dhe besoj fuqishëm që do të kemi edhe edicione të tjera ku do ta dokumentojmë ajo çka kryeqyteti përfaqëson. Edhe një çështje tjetër me rëndësi që ja vlen të theksohet është që revista është e përkthyer në gjuhën angleze. Ne e kemi për obligim që të komunikojmë edhe me artet e avancuara, me botën e qytetëruar për ta promovuar Kosovën në nivel ndërkombëtar sepse kemi çfarë të promovojmë dhe besoj fuqishëm që kështu me edicione tematike do t’i japim një kontribut dhe vlerë shumë të rëndësishme kryeqytetit”, ka thënë më tej drejtoresha Halimi.

Ndërsa Kryeredaktori i revistës, Artan Krasniqi, punën për realizimin e kësaj reviste e ka quajtur nderë dhe privilegj.

“E falënderoj kryetarin Përparim Rama dhe drejtoreshën e kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimin, për mundësinë dhe besimin që ma kanë dhënë. Personalisht e kam parë këtë si mundësi për t’ia kthyer borxhin Prishtinës, për atë se çka bën për ne Prishtina. E kam parë si nderë për t’i shërbyer komunitetit edhe kulturës në përgjithësi”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa gazetarja e kulturës, Jeta Zymberi, e cila në këtë revistë është autore e disa intervistave, përvojën e saj deri në finalizimin e revistës e ka quajtur të jashtëzakonshme.

“Shumë e lumtur që kam qenë pjesë e edicionit të dytë të revistës “Prishtina Art” me disa shkrime e intervista shumë të veçanta qe pasqyrojnë jetën e këtij qyteti.  Faleminderit të gjithë bashkëpunëtorëve që më janë përgjigj pa përtesë e më kanë ofruar materiale shumë të mira!”, ka thënë gazetarja Zymberi./ KultPlus.com

Të ngjajshme